Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Shtëpia është vendi më i rrezikshëm për gratë

QIKA 27.11.2024

Sipas raportit të UN Women dhe UNODC “Femicidi në vitin 2023: Vlerësimet globale të femicidit nga partneri intim/anëtarët e familjes”, nga 85,000 gra të vrara në vitin 2023, 60% janë vrarë nga partneri intim ose nga ndonjë anëtar i familjes. Sipas OKB kjo nënkupton se globalisht vendi më i rrezikshëm për një grua është shtëpia e saj.

Ky raport gjen se për çdo 10 minuta një grua apo vajzë vritet nga partneri i tyre intim ose nga familjarët, çka nënkupton se rreth 140 gra dhe vajza vriten çdo ditë në të mbarë botën.

“Të dhënat tregojnë se sfera private dhe shtëpiake e jetës së grave, ku ato duhet të jenë më të sigurta, janë hapësira ku shumica prej tyre janë duke u ekspozuar ndaj dhunës vdekjeprurëse. Numrat në këtë raport i shohim si majën e ajsbergut, sepse e dijmë se jo të gjitha vrasjet e grave dhe shkaqet e tyre janë regjistruar si femicide, si dhe ka pasur shumë komunitete ku nuk kemi pasur qasje në asnjë informacion.” tha Nyaradzayi Gumbonzvanda, zëvendësdrejtore ekzekutive e UN Women.

Të dhënat nga agjencia e OKB-së për barazi gjinore dhe fuqizim të grave dëshmojnë se Afrika regjistroi shkallën më të lartë të  rasteve të femicidit nga partneri intim, me rreth 21,700 viktima në vitin 2023, e pasur nga Amerika dhe Oqeania.

Sipas raportit, edhe burrat edhe gratë mund të jenë viktima të dhunës nga partneri intim ose familjarët, burrat përbënin 80% të të gjitha viktimave globale të vrasjeve në vitin 2023, por vetëm 12% e këtyre vdekjeve i atribuohen dhunës vdekjeprurëse brenda familjes, krahasuar me 60% të grave.

Kujtojmë se këtë vit shumë gra në vende si Turqia, Kenia, Indi dhe Meksikë kanë protestuar vazhdimisht kundër rritjes së rasteve të femicidit.

Raportin e plotë e gjeni këtu.