Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Ngritet aktakuzë ndaj Naim Murselit dhe tre të tjerëve për vrasjen e Liridona Ademajt

QIKA 15.1.2025

Në një konferencë për media, Prokuroria e Themelore në Prishtinë ka njoftuar se për vrasjen e Liridona Ademajt ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, ish-bashkëshorti i Ademajt, Kushtrim Kokallës e Granit Plavës dhe një personi tjetër të cilit prokurorja e rastit nuk ia ka përmendur emrin.

Ndaj Naim Murselit, sipas Prokurorisë, rëndon vepra penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, për Plavën rëndon vepra penale “vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje”, ndërsa për Kushtrim Kokallën “marrëveshja për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë”.

Gjatë konferencës aktakuzën e konfirmoi edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, i cili tha se informacionet kanë qenë të kufizuara për shkak të ndjeshmërisë së rastit. “Ky rast ka qenë i ndjeshëm dhe për atë ka qenë një kufizim për dhënie të informacioneve. Po ashtu siç e dini rasti ka qenë i inskenuar si grabitje por në një afat të shkurt kohor kemi arrit të zbulojmë kryerësit e veprës penale. Janë zhvilluar hetime në shumë dimensione për arsye se kemi siguru ekspertiza edhe nga jashtë edhe nga brenda vendit tonë”- ka thënë Gashi.

Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq ka thënë se arsyeja pse ka kaluar një kohë e gjatë për ngritjen e aktakuzës ka qenë mungesa e informacioneve për motivin e ngjarjes.

“Dua të sqaroj pse ka kaluar një kohë e gjatë nga ngritja e aktakuzës, provat janë mbledhur shpejte për veprën penale. Çka ka munguar – ka munguar motivi, dhe e kemi të njohur faktin se e ndjera me familje ka jetuar në Suedi, organeve atje ju jemi drejtuar për të na ofruar te dhëna nëse kanë pasur të dhëna në lidhje me problemet, nëse kanë pasur. Deri sa nuk i kemi pasur të dhëna në lidhje me këtë nuk kam mundur ta ngris aktakuzën. Tani që kemi edhe motivin kemi zbuluar edhe faktin pse ka ndodhur dhe pse janë përfshirë edhe si janë përfshirë edhe Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava”- është shprehur ajo.

Kujtojmë se Liridona Ademaj ishte vrarë më 29 nëntor 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Naim Murseli, Kushtrim Kokalla e Granit Plava gjenden në masën e paraburgimit që nga nëntori i vitit 2023, dhe kjo masë nga Gjykata në Prishtinë u ishte vazhduar edhe për dy muaj të tjerë më 27 dhjetor 2024.