Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Malala Yousafzai: Talibanët nuk i shohin gratë si njerëz

QIKA 20.1.2025

Malala Yousafzai u ka kërkuar udhëheqësve myslimanë që të sfidojnë qeverinë talibane në Afganistan dhe politikat represive për vajzat dhe gratë. “Thjesht, talibanët në Afganistan nuk i shohin gratë si qenie njerëzore”, tha ajo në samitin ndërkombëtar për arsimimin e vajzave në vendet islamike, të organizuar nga Pakistani.

Yousafzai, e cila u evakuua nga Pakistani në moshën 15-vjeçare pasi u qëllua në kokë nga një i armatosur taliban pakistanez, konsideron se nuk ka “asgjë islame” në politikat e talibanëve për të ndaluar vajzat dhe gratë nga qasja në arsimim dhe punësim, dhe të njëjtit ajo i quajti “sistem të aparteidit gjinor”.

“Qeveria po mbulon krimet e saj me justifikimin kulturor dhe fetar por në fakt kjo shkon kundër gjithçkaje që përfaqëson besimi ynë”, shtoi laureatja e çmimit Nobel për Paqe në konferencë në Islamabad, organizuar nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC).

Pjesëmarrësit e konferencës përfshinin dhjetëra ministra dhe studiues nga vendet me shumicë myslimane, të cilët avokojnë për arsimimin e vajzave. Ndër të ftuarit kishin qenë edhe udhëheqësit e qeverisë talibane por nuk kishin marrë pjesë, shkruan BBC.

“Afganistani është i vetmi vend në botë ku vajzave u ndalohet plotësisht arsimimi përtej klasës së gjashtë” shtoi Yousafzai.

Krahas kufizimeve në shkollim e punësim gratë dhe vajzat afgane çdo ditë e më shumë po përballen me abuzim të të drejtave të njeriut. Kujtojmë se së fundmi talibanët i kanë ndaluar gratë edhe nga funksionet e mamive dhe infermiereve, u kanë ndaluar të flasin me zë në publik e madje edhe që të duken nga dritaret e shtëpive ku jetojnë.

Yousafzai shtoi se arsimimi i vajzave ishte në rrezik në shumë vende. Ajo përmendi shkatërrimin e gjithë sistemit arsimor të Gaza-s nga Izraeli dhe përmendi krizat në Jemen e Sudan duke konsideruar këto si “vjedhje të të ardhmes së vajzave”.