Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës sot ka paditur Kuvendin e Kosovës dhe kompaninë Schafberger, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, për largimin nga puna të punëtoreve teknike të Kuvendit të Kosovës, të cilat për më shumë se tre muaj u organizuan e mbajtën grevë për të kundërshtuar shtypjen në vendin e punës dhe pagat e ulta.
“Ne sot sapo dorëzuam padinë ndaj Kuvendit të Kosovës dhe kompanisë Schafberger. Ju e dini se për 79 ditë ne kemi qenë në grevë dhe realisht e kemi shtyrë në funksion Inspektoratin e Punës i cili ka vlerësuar se greva jonë ka qenë gjithçka në rregull dhe e ligjshme. Kërkesat tona kanë qenë të ligjshme dhe legjitime dhe pas kësaj IP i ka propozuar kompanisë Schafberger që brenda tre ditësh t’i paguajë të gjitha obligimet që i kanë ndaj punëtorëve gjatë kohës së grevës dhe të kthehen në vendet e tyre të punës. Nuk kemi asnjë njoftim nga kompania se si do të veprojë dhe normalisht se sot e dorëzuam padinë dhe sipas njohësve të fushës, lënda jonë do të jetë në favor tonin”, u shpreh Jusuf Azemi, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, teksa foli për dëmin që kompania Schafberger u ka shkaktuar punëtoreve.
Po ashtu, Azemi shtoi se punëtoret duhet të paguhen për sa kohë qëndrojnë jashtë procesit të punës. “Ne konsiderojmë se përgjatë gjithë kësaj kohe sa do të qëndrojnë jashtë procesit të punës, gratë duhet të kenë një pagesë afër 400 euro, e tani mund të themi se vetëm në tre muajt e fundit janë tre pagesa, janë 1200 euro për secilin person”, deklaroi Azemi.
Kujtojmë se Inspektorati i Punës pak kohë më parë në bazë të raportit zyrtar për ankesën e punëtoreve greviste të Kuvendit të Kosovës pati konstatuar se kompania Schafberger ka shkelur dispozitat ligjore kur ua ka ndërprerë punëtoreve marrëdhënien e punës, nuk u ka hartuar kontrata me afat të pacaktuar ani pse kanë përvojë mbi 10 vjeçare, si dhe për muajin tetor i ka paguar ato nën pagën minimale.