Parlamenti i Hungarisë miratoi të martën një ligj kundër aktiviteteve LGBTQ+, duke përfshirë edhe marshimin e famshëm Budapest Pride, i cili çdo vit tërheq mijëra njerëz.
Legjislacioni i ri u propozua vetëm një ditë më parë dhe u miratua me një procedurë të përshpejtuar falë mazhorancës së koalicionit qeverisës.
Ligji u miratua me 136 vota pro dhe 27 kundër dhe mbështetet nga partia Fidesz e kryeministrit hungarez Viktor Orbán dhe anëtari i tyre në koalicion, Demokratët e Krishterë.
Ky projektligj do ta bëj të paligjshëm organizimin ose pjesëmarrjen në ngjarje që shkelin legjislacionin e Hungarisë për “mbrojtjen e fëmijëve”, i cili ndalon shfaqjen ose promovimin e homoseksualitetit për fëmijët nën 18 vjeç, raporton the Guardian.
Pjesëmarrja në një ngjarje të ndaluar do të ndëshkohet me gjoba deri në 500 Euro, të cilat shteti do t’i transferoj për “mbrojtjen e fëmijëve”.
Ky ligj është hapi më i fundit kundër personave LGBTQ+ nga qeveria që grupet e të drejtave dhe politikanë të tjerë evropianë e kanë dënuar si shtypje.
Qeveria ka për synim ruajtjen e vlerave tradicionale familjare dhe mbrojtjen e qytetërimit të krishterë nga ajo që e quan “çmenduri gjinore” dhe thotë se politikat e saj synojnë të mbrojnë fëmijët nga “propaganda seksuale”.
Ligji hungarez për “mbrojtjen e fëmijëve” u miratua në vitin 2021. Përveç ndalimit të “shfaqjes ose promovimit” të homoseksualitetit në përmbajtje të qasshme për të miturit, përfshirë televizionin, filmat, reklamat dhe letërsinë, gjithashtu ndalon përmendjen e çështjeve LGBTQ+ në programet arsimore.
“Nuk është asgjë më shumë se teatër politik, partia në pushtet po e përdor komunitetin LGBTQ+ për përfitimet e saj. Përderisa gjithnjë e më shumë njerëz po vuajnë nga uria në Hungari, prioriteti i Kryeministrit është të ndalojë protestat për të drejtat e njeriut”, thanë organizatorët e Budapest Pride në një deklaratë.
Mijëra protestues u mblodhën jashtë parlamentit të Hungarisë pas votimit, duke brohoritur slogane kundër qeverisë.
Po ashtu, partitë opozitare nisën një protestë në parlament, duke përdorur bomba tymi me ngjyra të ylberit.