Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Prokuroria Speciale ka marrë në shqyrtim dosjen e Arlinda Zekajt

QIKA 5.11.2026

Prokuroria Speciale ka pranuar para rreth tri ditësh dosjen lidhur me dyshimet për mosveprim të zyrtarëve policorë, prokurorëve dhe gjyqtarëve në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Dosja është në shqyrtim, ndërsa hetimi i kësaj prokurorie përqendrohet në përgjegjësinë eventuale të zyrtarëve për neglizhencë të mundshme, e cila mund të ketë ndikuar në kryerjen e vrasjes, raporton Ekonomia Online.

Këtë e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, në një konferencë për media, duke sqaruar se kompetenca e kësaj prokurorie në këtë rast lidhet vetëm me dyshimet ndaj zyrtarëve, ndërsa pjesët e tjera të rastit po trajtohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Mund ta konfirmoj që Prokuroria Speciale para rreth tri ditësh ka pranuar, veçse në shqyrtim, dosjen në ndryshimin, apo në dyshimet sa i përket zyrtarëve policorë, zyrtarëve, apo prokurorëve dhe gjyqtarëve të cilët eventualisht mund të jenë të dyshuar për shkak të mosveprimit të tyre, se mund të ka ardhur deri te neglizhenca dhe, si pasojë, rasti siç ka ndodhur apo kryerja e vrasjes. Kështu që, po, Prokuroria Speciale e ka këtë rast në shqyrtim, por vetëm sa i përket zyrtarëve policorë, prokurorëve dhe gjyqtarëve, eventualisht si të jenë, mund të jenë të përfshirë në rast, ndërsa raste të tjera, besoj veç se jeni informuar tashmë edhe nga zyra e kryeprokurorit të shtetit, janë duke u trajtuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë”, tha Paca.

Arlinda Zekajn e vranë më 26 tetor në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuar për vrasjen është kunati i saj.

Vrasja e Arlindës nxiti protesta në qytete të ndryshme të Kosovës, përfshirë Pejën, Mitrovicën, Istogun, Ferizajn dhe Gjakovën. Ndërkohë, protestat e çdoditshme në Prishtinë po vazhdojnë ende, ndërsa qytetarët dhe aktivistët kërkojnë drejtësi për viktimën dhe llogaridhënie nga institucionet që kishin trajtuar rastin.