Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Projektligji i ri në SHBA mund të pengojë gratë e martuara të votojnë

QIKA 20.3.2025

Një projektligj i propozuar nga përfaqësuesi republikan i Teksasit, Chip Roy, i quajtur “Akti për Mbrojtjen e Përshtatshmërisë së Votuesve Amerikanë” (SAVE Act), synon të detyrojë personat që regjistrohen për të votuar në zgjedhjet federale të ofrojnë dëshmi përmes dokumentave të shtetësisë amerikane, si pasaporta apo çertifikata lindjeje.

Ky propozim ka ngjallur shqetësime mes aktivistëve për të drejtat e votimit, të cilët argumentojnë se projektligji mund të prekë në mënyrë disproporcionale disa grupe, veçanërisht gratë e martuara që kanë ndryshuar mbiemrin. Sipas një analize nga Qendra për Progres Amerikan, rreth 69 milionë gra në SHBA kanë marrë mbiemrin e bashkëshortit të tyre, por çertifikata e tyre e lindjes pasqyron tjetër mbiemër, atë që kishin në lindje, raporton Neewsweek.

Kjo mund të krijojë pengesa për regjistrimin e tyre në votime, pasi projektligji nuk përcakton qartë se cilat dokumente shtesë do të nevojiteshin për të “vërtetuar” identitetin e tyre. Ekspertët argumentojnë se punonjësit zgjedhorë mund të hezitojnë të regjistrojnë gra që nuk kanë dokumentacionin me emrin e tyre aktual, nga frika e pasojave ligjore.

Kritikët paralajmërojnë se projektligji mund të ndikojë edhe në grupe të tjera të cenueshme, si të rinjtë, personat me ngjyrë dhe personat transgjinorë, të cilët shpesh hasin vështirësi në sigurimin ose përditësimin e dokumenteve të identitetit. Gjithashtu, ligji mund të kufizojë format ekzistuese të regjistrimit të votuesve, si regjistrimi online dhe ai me postë, duke imponuar dorëzimin personal të dokumenteve.

Mbështetësit e projektligjit argumentojnë se ai është i nevojshëm për të parandaluar votimin e personave që nuk janë shtetas amerikanë, pavarësisht se ligjet ekzistuese tashmë e ndalojnë këtë praktikë. Ata pretendojnë se projektligji përfshin mekanizma për të ndihmuar ata që kanë mospërputhje dokumentesh për shkak të ndryshimit të emrit. Megjithatë, kritikët e shohin këtë si një masë të pamjaftueshme që mund të çojë në mohimin e të drejtës së votës për mijëra qytetarë.

Aktualisht, SAVE Act është ende në diskutim në Kongresin Amerikan, duke shkaktuar debate të forta mbi ndikimin e tij në të drejtat e votimit dhe qasjen në zgjedhje.