Më shumë se 1400 protesta masive “Hands Off!” kundër presidentit Donald Trump dhe Elon Musk u mbajtën në mbarë ShBA-të, nëpër kryeqytete të shteteve, ndërtesa federale, zyra të kongresit, seli të Sigurimeve Shoqërore, parqe dhe bashki.
Këto protesta të organizuara nga lëvizjet pro- demokracisë si kundërpërgjigje të asaj që ata e quajnë sulm ndaj të drejtave dhe lirive amerikane.
“Jemi kudo ku mund të sigurohemi që ata të na dëgjojnë. ‘Hands Off’ kërkon fundin e këtij rrëmbimi të pushtetit nga miliarderët”, thanë organizatorët.
Organizatorët për CNN thanë se në protesta gjithandej kanë marrë pjesë me miliona njerëz.
“Jemi nisur për të ndërtuar refuzim masiv, të dukshëm, kombëtar të kësaj krize”, thuhej në fletushkat e ngjarjes teksa numëroheshin një numër i shkeljeve si sulme kundër demorkacisë.
Përveç protestuesve kanë marrë pjesë edhe përfaqësues demokratë të shtetit. Gjatë “Hands Off!”, në Uashington, deputeti demokrat Jamie Raskin nga Maryland, tha se nuk ka të ardhme me një president që ka politikën e Musolinit dhe ekonominë e Herbert Hoover, teksa shtoi se Kushtetuta amerikane fillon me ‘Ne njerëzit” e jo me “Ne diktatorët”.
Më shumë se 150 grupe, përfshirë organizata të të drejtave civile, sindikata të punës, avokues për të drejtat e personave LBGTQ+, veteranë dhe aktivistë të të drejtave të grave u bashkuan për të kundërshtuar qeverisjen e re amerikane dhe vendimet e ashpra të tyre.
Në qendër të protestave qëndron pakënaqësia ndaj goditjes ndaj të drejtave të njeriut, dhe forcimit të autoritarizmit të mbështetur nga grupe të fuqishme financiare dhe korporata.
Që kur Trump mori detyrën, mijëra punonjës federalë janë larguar nga puna, programe të ndihmës sociale dhe ndërkombëtare janë shkatërruar, përfshirë USAID-in, ndërsa Administrata e Sigurimeve Shoqërore është futur në kaos pas shkurtimit masiv të stafit.
Elon Musk, në rolin e tij si udhëheqës i një të ashtuquajturi “Departament për Efikasitet të Qeverisë”, ka përdorur ndikimin e tij për të promovuar politika të rrepta kursimi, shpesh të bazuara në dezinformim dhe manipulim të opinionit publik rreth shpenzimeve federale.
Një nga fushat më të prekura nga këto politika është barazia gjinore dhe të drejtat e grave. Gjatë administratës Trump, janë hequr apo dobësuar mbështetjet për programet që ndihmojnë gratë në tregun e punës, janë ndalur financimet për shërbime të shëndetit riprodhues, dhe është promovuar një diskurs që minimizon dhunën ndaj grave dhe vajzave. Retorika dhe politikat e Trump-it kanë ndikuar drejtëpërdrejt në rritjen e pasigurisë për gratë, veçanërisht për ato që i përkasin komuniteteve të margjinalizuara.
Ndërkohë, qeveria ka ndërmarrë masa të ashpra kundër emigrantëve, përfshirë plane për dëbime masive dhe presion të shtuar mbi ICE për arrestime të shpejta dhe përndjekje të studentëve protestues pro-Palestinës.
Sipas ligjvënësit Maxwell Frost, kjo administratë po shpërbën edukimin publik, mohon krizën klimatike dhe hesht përballë dhunës me armë ndërsa përqendron pushtetin dhe pasurinë në duart e pakicës së pasur.
Protestuesit akuzojnë Trump dhe Musk për krijimin e një klime të frikës dhe kontrollit, ku liria e fjalës dhe e protestës është në rrezik, si në rastin e arrestimit të Mahmoud Khalil, një refugjat palestinez që humbi kartën e gjelbër për shkak të pjesëmarrjes në protesta universitare.
Organizatorët paralajmëruan se këto protesta janë vetëm fillimi i një vale më të gjerë mobilizimi qytetar për të ruajtur zgjedhjet e lira, të drejtat e votës dhe barazinë sociale në SHBA.