Komisionit qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë i është zgjatur mandati.
Kështu ka njoftuar kryeministri në detyrë, Albin Kurti në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të Luftës.
Siç ka bërë të ditur më pas Qeveria, mandati i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës është zgjatur deri më 15 maj 2028, ndërsa afati për të parashtruar kërkesën për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës është zgjatur deri me 15 maj 2027.
Vendimi për këtë është marrë në mbledhjen elektronike të mbajtur më 14.04.2025.
Kujtojmë se aktivistët dhe organizatat e shoqërisë civile, sidomos ata që punojnë drejtpërsëdrejti me të mbijetuarit/at, kanë kërkuar vazhdimisht që ky afat, i cili është zgjatur edhe njëherë më parë, të hiqet dhe të ekzistojë mundësia e përhershme për aplikim për njohje të statusit.