Organizata Fourth Wave përmes një aksioni simbolik ka kërkuar drejtësi e kushte më të mira pune për punëtoren e Trepçës, Valdete Shabani e cila është lënduar në vendin e punës pasi që Trepça nuk kishte marrë parasysh nevojat e saj shëndetësore.
“Valdete Shabani, dikur shefe e shërbimit logjistik dhe administrativ në Flotacionin në Stantërg, u zhvendos dy herë në pozita që jo vetëm nuk përputheshin me përgatitjen e saj profesionale, por rëndonin drejtpërdrejt në shëndetin e saj. Këto lëvizje u bënë pa konsultim dhe në kundërshtim me rekomandimet mjekësore, pas një ndërhyrjeje kirurgjike që ajo kishte pasur në këmbën e majtë. Aty gjatë përpjekjes për të bartur një pjesë metalike të rëndë në depo, ajo u lëndua rëndë dhe përfundoi në Spital. Ajo ishte detyruar të kryente detyra të papërshtatshme për gjendjen e saj shëndetësore – sepse ndërmarrja Trepça kishte zgjedhur të injorojë gjendjen e saj shëndetësore” thuhet në komunikatën e Fourth Wave teksa njoftuan se kryeshefi dhe drejtori i Trepçës nuk i kishte pranuar në takim.
Kujtojmë në storien e realizuar nga Betimi për Drejtësi, u tregua se si menaxhmenti i Ndërmarrjes Trepça i kishte bërë dy herë transfere nga vendi i saj i punës, në njësi të tjera me detyra e përgjegjësi përtej aftësive fizike të saj, pa e konsultuar atë.
Për të dy transferet, Shabani ishte ankuar në Komisionin e Ankesave brenda ndërmarrjes, ku kishte kërkuar të anuloheshin vendimet për transfere pikërisht për shkak të situatës së veçantë shëndetësore që kishte, por të dy kërkesat i ishin refuzuar me arsyetimin e njëjtë se ishin të pabaza.
Më pas, ajo ishte ankuar në Inspektorat të Punës dhe kishte filluar procedurë gjyqësore ndaj Trepçës për të kërkuar të drejtën e saj.
Gjykata Themelore në Mitrovicë, në vendimin e datës 13 janar 2025, ka vendosur që ta pranojë në tërësi padinë e Valdete Shabanit e cila ka kërkuar që të anulohen dy vendimet Trepçës për ta transferuar në vende të tjera të punës dhe ta rikthejnë në pozitën të cilën e kishte para këtyre vendimeve. Gjykata ka kërkuar që këto vendime të anulohen dhe ka obliguar Ndërmarrjen Trepça që Valdeten ta rikthejë në vendin e punës si Shefe e Shërbimit logjistik dhe administrativ.