Amnesty International ka publikuar sot raportin The State of the World’s Human Rights për periudhën 2024/25, sipas së cilit Kosova vazhdon të përballet me sfida të vazhdueshme sa i përket mbrojtjes së drejtave të grave dhe personave LGBTIQ+.
Raporti, i cili analizon zhvillimet globale dhe kombëtare për të drejtat e njeriut në 150 vende, vë në pah pabarazitë sistemike dhe dështimet legjislative në Kosovë, duke u fokusuar veçanërisht në qasjen në shërbime shëndetësore riprodhuese për gratë dhe mbrojtjen e komunitetit LGBTIQ+.
“Fertilizimi i Asistuar Mjekësor (FAM) vazhdoi të ishte i qasshëm vetëm në klinikat private, pas një tjetër përpjekjeje të dështuar të Kuvendit për të miratuar ligjin për shëndetin riprodhues që do të mundësonte ofrimin e FAM në spitalet publike. Debati që pasoi u shoqërua me përhapje të dezinformatave dhe gjuhës së urrejtjes ndaj grave beqare nga disa deputetë”, thuhet në raport.
Sa i përket të drejtave të personave LGBTIQ+, raporti u fokusuar të mos votimi i Kodit Civil dhe mungesës së strehimores për individët LGBTIQ+ të mbijetuar të dhunës në familje
“Qeveria nuk arriti të propozojë një votim të ri për reformat në Kodin Civil, i cili ishte refuzuar nga Kuvendi në vitin 2022 dhe që do të kishte hapur rrugën për regjistrimin e partneriteteve civile të së njëjtës gjini. Personat LGBTIQ+, të mbijetuar të dhunës në familje, vazhduan të mos kenë qasje në strehimore të specializuara, pavarësisht premtimeve të bëra nga autoritetet”, thuhet në raport.
AI po ashtu përmendi edhe Ligjin për KPM të cilin së fundmi e ka shfuqizuar Gjykata Kushtetuese për shkak të shkeljeve të shumta, përfshirë edhe cenimin e përfaqësimit gjinor.
Në nivel global, raporti i Amnesty International për vitin 2025 thekson se dobësimi i sistemit ndërkombëtar të bazuar në rregullat e vendosura nga shtetet e fuqishme ka penguar zgjidhjen e problemeve që prekin miliona njerëz.
Shkeljet në konflikte të armatosura, shtypja e mendimit ndryshe, diskriminimi, padrejtësitë ekonomike dhe klimatike, si dhe keqpërdorimi i teknologjisë për të cenuar të drejtat e njeriut, globalisht mbeten sfidat kryesore.
Raportin për Kosovë e gjeni këtu.