Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Fshihet nga platforma Steam video loja që promovonte dhunën seksuale

QIKA 30.4.2025

‘No Mercy’, një video lojë e dhunshme dhe me përmbajtje seksualisht eksplicite është fshirë nga platforma Steam pas reagimeve të ashpra ndërkombëtare dhe ndalimit në disa vende të botës.

Loja e cila u lejonte lojtarëve të kontrollonin një personazh që përdhunon, torturon dhe vret gra, u krijua nga Zerat Games dhe u lancua në platformën e lojërave Steam në fillim të prillit.

Kjo lojë promovonte dhunën me bazë gjinore, veçanërisht kulturën e dhunës seksuale, incestin dhe shantazhin. Sipas disa përdoruesve materialet promovuese të lojës inkurajonin lojtarët që kurrë të mos e pranonin ‘jo-në’ si përgjigje dhe të bëheshin makthi më i keq i çdo gruaje.

‘No Mercy’ përmban ndër tjerash, skena në të cilat lojtari përdhunon një grua, e cila mbetet shtatzënë, lind një fëmijë dhe më pas vritet së bashku me të porsalindurin e saj, shkruan Newsroom.

Video loja ‘No Mercy’ u ndalua në Mbretërinë e Bashkuar, Kanada dhe Australi. Ndërsa pavarësisht veprimeve ndërkombëtare, kjo lojë nuk ishte ndaluar në ShBA para heqjes së saj.

Po ashtu, kjo lojë nuk kishte vlerësim moshe apo paralajmërim për përmbajtjen, dhe rrjedhimisht ishte e qasshme edhe për të mitur meqë Platforma Steam u lejon përdoruesve që nga mosha 13 vjeç të krijojnë llogari.

Pas këtyre ndalimeve dhe reagimeve të ashpra në mbarë botën Zerat Games e hoqi tërësisht lojën nga Steam, dhe tani nuk është e qasshme për askënd.