Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

60% e grave në industrinë e filmit në Spanjë kanë raportuar përvoja me dhunë seksuale

QIKA 15.5.2025

Gjashtë në dhjetë gra në industrinë e filmit dhe medias audiovizuale në Spanjë kanë përjetuar dhunë seksuale, sipas një raporti që bën thirrje për veprime urgjente për të mbrojtur gratë e punësuara.

Raporti, i publikuar nga shoqata e grave regjisore dhe medias audiovizuale, zbuloi se 60.3% e grave të anketuara ishin ekspozuar ndaj një forme të dhunës seksuale në hapësira të lidhura me këto industri.

Nga ato që raportuan se kishin qenë viktima të dhunës seksuale, 49.5% thanë se kishte pasur edhe sulm fizik dhe 81.4% se kishte pasur sulm verbal. Pothuajse 22.3% e grave që kishin përjetuar dhunë seksuale thanë se ishte në formën e abuzimit seksual virtual apo digjital, raporton the Guardian.

Të dhënat, të mbledhura nga përgjigjet e një pyetësori me 312 gra, përbëjnë bazën e studimit të titulluar “Pas Heshtjes: Ndikimi i dhunës dhe abuzimit seksual ndaj grave në industrinë e filmit dhe audiovizualit”.

Megjithëse dhuna seksuale ishte e pranishme “nga sesionet e audicioneve deri te festivalet”, raporti spanjoll theksoi një kulturë të vazhdueshme turpi dhe pandëshkueshmërie, ku 92% e viktimave nuk kishin raportuar atë që u kishte ndodhur.

“Në gjithë përparimin që është bërë për të rritur ndërgjegjësimin e përgjithshëm dhe personal për format e ndryshme të dhunës seksuale, ende ekzistojnë pengesa të rëndësishme që dëshmojnë vështirësinë që kanë gratë për ta raportuar atë në vendin e punës”, thuhet në raport.

“Frika nga hakmarrja, ndjenja e turpit, riviktimizimi, mungesa e njohurive për mekanizmat e raportimit dhe barra e përgjegjësisë që bie mbi gratë, dhe jo mbi abuzuesit në industri, hapin rrugën për heshtje dhe pandëshkueshmëri”.

Duke folur në prezantimin e raportit në Madrid, njëra nga autoret, politologe dhe hulumtuese feministe, Nerea Barjola Ramos, tha se “natyralizimi dhe normalizimi” i kësaj dhune ka krijuar një ndjenjë pandëshkueshmërie.

“Kjo ndodh sepse ekziston një strukturë që e gjeneron dhe e mbron këtë dhunë, nga shkollat e aktrimit deri te zyrat e produksionit. Gratë e reja, përjetojnë një dhunë të dyfishtë si për shkak të moshës, ashtu edhe për shkak të pozitës së tyre të pasigurt ekonomike”, tha Barjola.

Raporti përfundon se janë të nevojshme hapa urgjentë për të forcuar mekanizmat që çojnë në denoncimin e dhunës dhe për të vënë në funksion masa të detyrueshme dhe efektive që garantojnë dhe mbrojnë të drejtën e të gjitha grave profesioniste në këtë sektor.

Raporti gjithashtu propozon trajnime të posaçme për dhunën seksuale në gjithë industrinë dhe bën thirrje për fushata publike ndërgjegjësimi dhe për forcimin e inspektimeve në vendet e punës.