Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Dy aktiviste dorëzojnë kallëzim penal ndaj një personi për nxitje të urrejtjes ndaj komunitetit LGBTIQ+

QIKA 23.6.2025

Aktivistet Arlinda Morina dhe Uresa Ahmeti kanë dorëzuar në stacionin policor në Prishtinë kallëzim penal kundër D.R., pasi i njëjti kishte shpërndarë një video në rrjetin social Twitch, me përmbajtje të gjuhës nxitëse, urrejtjes dhe përçarjes ndaj komunitetit LGBTIQ+.

Në kallëzim penal thuhet se veprimet e të dyshuarit janë përhapur me shpejtësi dhe janë ripostuar në platforma të tjera të rrjeteve sociale, duke e rritur edhe me shumë ndikimin e urrejtjes dhe përçarjes kundrejt këtij komuniteti.

“Më 17.06.2025, rreth orës 02:00 pas mesnate, i dyshuari duke përdorur llogarinë e tij personale në rrjetin social Twitch, publikoi dhe shpërndau një videopërmbajtje të gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes ndaj anëtarëve të komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë.” – thuhet në kallëzim.

I dyshuari derisa ishte livestream (direkt) në Twitch ka reaguar për një video, që ishte transmetuar në Kallxo.com për Paradën e Krenarisë dhe ndaj saj ka përdorur gjuhë denigruese ndaj komunitetit LGBTIQ+.

Në kallëzim citohen fjalët e tij, të  cilat përmbajnë  gjuhë  seksualisht eksplicite që  ka për qëllim nxitjen e urrejtjes, dhunë s dhe përçarjes.

Tutje, në kallëzim penal thuhet se në disa prej videove të shpërndara në rrjetet sociale shihen të identifikuara edhe parashtrueset e kallëzimit penal: Uresa Ahmeti dhe Arlinda Morina, duke shtuar dimensionin personal të rrezikshmërisë të këtyre veprimeve.

Ndër të tjera në kallëzim ceket se në këtë video i dyshuari shihet duke e selektuar me katrorë paraqitësen e kallëzimit penal, Arlinda Morinën. Kështu duke tentuar të linçojë dhe nxisë urrejtjen edhe më tej ndaj saj.

Sipas kallëzimit penal i dyshuari pretendohet se ka kryer veprat penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” dhe veprën penale “kanosje”.