Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Zgjatet afati për regjistrimin falas të pronës së paluajtshme në emër të dy bashkëshortëve

QIKA 24.6.2025

Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ) ka publikuar një videospot informues ku njofton se është shtyrë afati për regjistrimin e pronës së paluajtshme në emër të dy bashkëshortëve deri në muajin mars të vitit 2028.

Regjistrimi i pronës pa asnjë tarifë bëhet në zyrat kadastrale komunale në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.

Kujtojmë se në mars të vitit 2024, Qeveria e Kosovës pati aprovuar Udhëzimin Administrativ për Masat e Veçanta për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme të Përbashkët në Emër Të Dy Bashkëshortëve.

Këtij Udhëzimi Administrativ në çështjen e lirimit nga pagesa e tarifës i ka hapur rrugë ndryshimi që ka ndodhur në Udhëzimin Administrativ i Agjencisë Kadastrale në vitin 2024.

Sipas UA-së Kontrata për blerjen e një pasurie të paluajtshme dhe dokumentet e tjera për fitimin e së drejtës së pronësisë dhe posedimit që është krijuar me kontributin e të dy bashkëshortëve duhet të përmbajë emrat e të dy bashkëshortëve si bartës të së drejtës së pronësisë së përbashkët në pjesë të papërcaktuara.

Ky UA ishte lancuar për herë të parë në vitin 2016 nga Agjencia për Barazi Gjinore, në bashkëpunim me Agjencinë Kadastrale të Kosovës.

Në bazë të Udhëzimit të vitit 2016 autoritetet publike obligohen që të zbatojnë masa të veçanta të përkohshme, me qëllim të rritjes së numrit të grave të regjistruara si pronare të përbashkëta, si dhe me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike midis burrave dhe grave në të drejtën pronësore.

UA i vitit 2016 ishte plotësuar-ndryshuar në vitin 2022, duke e vazhduar kohëzgjatjen nga 1 vjet në 7 vjet, apo gjithsej 9 vjet deri në vitin 2025.

Videospotin e publikuar nga ABGJ e gjeni këtu.