Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Mbretëria e Bashkuar votoi për dekriminalizimin e abortit në Angli dhe Uells

QIKA 4.7.2025

Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar ka votuar për të dekriminalizuar abortin në Angli dhe Uells, duke hequr përfundimisht gratë nga rreziku i ndjekjes penale për ndërprerjen e shtatzënisë jashtë kuadrit ligjor.

Amendamenti, i cili kaloi me 379 vota pro dhe 137 kundër, shfuqizon një pjesë të Ligjit Viktorian të vitit 1861 (“Offences Against the Person Act”), që deri tani lejonte ndjekjen penale të grave për abortin.

Ky ndryshim vjen pas një rritjeje të ndjeshme të më shumë se 100 rasteve të ndjekjeve penale ndaj grave gjatë pesë viteve të fundit, përfshirë edhe ato që kishin përjetuar aborte spontane, shkruan Al Jazeera.

Aktualisht, një grua mund të përballet me ndjekje penale për zgjedhjen e ndërprerjes së një shtatzënie pas 24 javësh ose pa miratimin e dy mjekëve, sipas ligjeve që teknikisht ende mbartin dënimin maksimal me burgim të përjetshëm.

Megjithatë, ky amendament nuk ndryshon kufijtë ekzistues të ligjit për abortin, i cili lejon ndërprerjen e shtatzënisë deri në javën e 24-të me miratimin e dy mjekëve, dhe në raste të jashtëzakonshme edhe pas kësaj periudhe. Ndërkohë, profesionistët shëndetësorë që ndihmojnë në kryerjen e aborteve jashtë kornizës ligjore mund të përballen ende me ndjekje penale.

Nisma është pjesë e një pakete më të gjerë ligjore të titulluar “Crime and Policing Bill”, dhe pritet të kalojë për shqyrtim në Dhomën e Lordëve.

Aktivistët dhe organizatat për të drejtat e grave e kanë përshëndetur vendimin si një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë riprodhuese dhe mbrojtjes së grave nga penalizimi i panevojshëm ligjor.

Vota dërrmuese për të dekriminalizuar abortin është ndryshimi më i madh në ligjet e abortit në Angli dhe Uells për gati 60 vjet.