Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

“Vrasjet për nder” vazhdojnë të marrin jetët e qindra grave në Pakistan

QIKA 11.8.2025

Sidra Bibi, 18 vjeçe, dyshohet se u vra me urdhër të një këshilli lokal në qytetin e Rawalpindit, në lindje të Pakistanit, pasi u martua me një burrë që e kishte zgjedhur vetë. Midis nëntë personave të arrestuar për vdekjen e saj janë babai dhe ish-bashkëshorti i viktimës.

Sipas policisë, familjarët e saj e varrosën trupin dhe e sheshuan tokën për të zhdukur çdo gjurmë të varrit. Zyrtari i policisë, Aftab Hussain, tha se viktima ishte mbytur duke i vendosur një jastëk mbi fytyrë. Arrestimet erdhën pasi autoritetet e zhvarrosën trupin dhe kryen autopsinë, e cila konfirmoi se ajo ishte torturuar para se të vritej.

Ky rast ka zgjuar interesim të madh publik derisa në Pakistan vrasjet “për nder” janë ende të zakonshme. Komisioni i Pavarur për të Drejtat e Njeriut në Pakistan raportoi se në vitin 2024 janë vrarë 405 gra në raste të tilla, krahasuar me 226 në vitin 2023.

“Numri real në fakt besohet të jetë më i lartë por jo të gjitha rastet raportohen ,” tha Sadia Bukhari, anëtare e këshillit të komisionit.

Sipas Organizatës për Zhvillim Social të Qëndrueshëm (SSDO), një organizatë e pavarur me bazë në Islamabad, vitin e kaluar në gjithë vendin u raportuan mbi 32,000 raste të dhunës me bazë gjinore, përfshirë 547 vrasje.

Vrasjet ku anëtarët e familjes vrasin gra për veprime që perceptohen si “turpërim” i familjes janë shtuar në vitet e fundit, shkruan Al Jazeera.

Kujtojmë se në janar policia arrestoi një burrë pakistanez të dyshuar për vrasjen e vajzës së tij 15-vjeçare të lindur në SHBA, pasi ajo kishte refuzuar të ndalonte publikimin e videove në TikTok, një platformë me mbi 54 milionë përdorues në vend.

“Këto të ashtuquajtura vrasje për ‘nder’ zbulojnë një mentalitet të rrënjosur thellë që e sheh gruan si pronë të burrit,” shtoi Bukhari.

Po ashtu, muajin e kaluar një video u bë virale teksa Bano Bibi, një grua 35 vjece thoshte fjalët e fundit para se të vritej.

Bano Bibi ecën hapat e fundit mbi terrenin e hapur shkretinor në Pakistanin jugor dhe ndalet. Ajo ktheu shpinën nga ekzekutori i saj teksa ai ngrinte armën. “Mund të më qëllosh. Por nuk mund të më besh asgjë më shumë se kaq”, ishin fjalët e saj që u shpërndan gjithandej ne rrjete sociale.

Një burrë e qëlloi tre herë, duke e vrarë në vend pas akuzave se Bibi, nënë e pesë fëmijëve kishte një lidhje jashtëmartesore. Më pas ai iu kthye Ehsanullah Samalanit, 50 vjeç, baba i katër fëmijëve, dhe e ekzekutoi po ashtu në vend.

Ky rast pati ngjallur protesta të mëdha dhe sipas një raporti policor një udhëheqës fisnor kishte urdhëruar ekzekutimin e tyre, shkruan New York Times.

Gratë në Pakistan vazhdojnë të vriten çdo ditë nën akuzat se kanë turpëruar familjet e tyre, dhe arrestimet ende mbeten të rralla.