Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

OBSH: Abuzimi gjatë dhe pas lindjes po ndodhë globalisht

QIKA 12.8.2025

Rreth 60% e ekzaminimeve vaginale janë kryer pa pëlqimin e grave, derisa forma të ndryshme të keqtrajtimit mbeten të përhapura në kujdesin për nënat dhe të porsalindurit sipas të dhënave të reja të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Programi i OBSH-së për Riprodhim Njerëzor (HRP) publikoi të mërkurën një përmbledhje, e cila kishte për qëllim dhënien fund të keqtrajtimit dhe promovimin e kujdesit me dinjitet për nënat dhe të porsalindurit.

Keqtrajtimi gjatë lindjes merr forma të ndryshme, nga neglizhenca dhe abuzimi deri tek kryerja e procedurave mjekësore pa pëlqim. Një studim i vitit 2019 i mbështetur nga OBSH pati gjetur se 40% e grave në katër vende kishin përjetuar një formë të abuzimit apo diskriminimit gjatë lindjes.

Disa gra raportuan se i kishin goditur, u kishin bërtitur ose i kishin mbajtur me forcë. Në këto katër vende, studiuesit gjithashtu zbuluan se më shumë se 4 nga 10 gra kishin përjetuar abuzim fizik ose verbal gjatë lindjes, ndërsa disa ishin përballur edhe me diskriminim.

Përveç kësaj, deri në 75% e procedurave jashtëzakonisht të ndjeshme u kryen pa pëlqim.
“Shpesh, gratë nuk janë fare pjesë e procesit vendimmarrës dhe nënçmohen apo abuzohen” tha Dr. Hedieh Mehrtash nga OBSH.

“Kujdesi me respekt për nënat dhe të porsalindurit duhet të jetë i integruar në politika dhe praktikë,” theksoi OBSH, ndërsa përmbledhja e re ofron burime praktike për vendet, duke i nxitur sistemet shëndetësore që në mënyrë proaktive të vendosin dinjitetin e barazinë dhe në qendër të kujdesit për nënat dhe të porsalindurit.

Nga hartimi i politikave deri te praktika klinike dhe shërbimet e përbashkëta, kjo përmbledhje paraqet hapa konkretë për të mbrojtur të drejtat, nevojat dhe preferencat e grave, të porsalindurve, prindërve dhe familjeve.

Përmbledhjen e plotë e gjeni këtu.