Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Suspendohet gjyqtarja e cila bashkë një të akuzuar për dhunë në familje po planifikonin t’i mohonin viktimës të drejtën e fjalës në gjykatë

QIKA 9.9.2025

Në një mbledhje të jashtëzakonshme me dyer të mbyllura, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur që të suspendoj gjyqtaren e Departamentit të Përgjithshëm, Naime Krasniqi-Jashanica dhe të themelohet edhe një panel hetimor dhe do të hetohen e trajtohen të gjitha veprimet e saj të cilat i kishte ndërmarrë gjatë një seance për një rast të dhunë në familje në prill të vitit 2024.

Suspendimi i gjyqtares Krasniqi-Jashanica erdhi pasi Kallxo.com publikoi një audio-incizimi ku dëgjohej gjyqtarja Naime Krasniqi- Jashanica dhe prokurorja Edina Jupolli teksa bisedonin me një burrë të akuzuar për dhunë në familje dhe planifikonin që viktimës t’i mohohet e drejta e fjalës në gjykatë.

Diskutimi ka ndodhur në zyrën e gjyqtares dhe në audio-incizim dëgjohet diskutimi për epilogun e rastit, ofendohet viktima, si dhe prokurorja Jupolli dëgjohet teksa i jep rekomandime të akuzuarit për familje. Në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës viktima dyshohet se u rrah dhe u kërcënua me vrasje nga i dyshuari Arton Tullari, i cili deri sa ishte duke u kthyer nga Gjermania ishte hasur nga policia e që më pas ishte dërguar në gjykatë.

“Këshilli pas shqyrtimit dhe analizimit të rastit disiplinor ka themeluar panelin hetimor dhe me votim unanim ka vendosur për suspendimin e subjektit të hetimit deri në një vendim tjetër të Këshillit”, thuhet në njoftimin e publikuar sot nga KGJK.