Lëvizja FOL publikoi raportin preliminar të monitorimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2025, i cili tregon se ka pabarazi të theksuar në përfaqësimin gjinor në transmetimet e kronikave zgjedhore për zgjedhjet e sivjetshme, derisa theksohet se kjo ndikohet edhe nga numri i ulët i kandidateve gra.
Nga 206 kandidatë për kryetar komunash vetëm 20 prej tyre ishin gra. Nga këto vetëm 10 kandidate janë nga subjektet shqiptare që janë të përfaqësuara edhe në Kuvendin e Kosovës, dhe komunat ku janë vendosur këto gra janë kryesisht zona ku këto subjekte përkatëse nuk kanë bazë të fuqishme elektorale, në vend se të vendosen në ato komuna ku fitorja është më e mundshme, thuhet ne raport.
Për më tepër, monitorimi ka treguar se vetëm 10% e hapësirës në kronikat zgjedhore u është kushtuar kandidateve gra, duke i bërë ato më të padukshme gjatë fushatës dhe rrjedhimisht duke ndikuar edhe në rezultatet përfundimtare. E njëjta hapësirë iu është dhënë edhe grave kandidate për kuvende komunale, me vetëm 2 minuta nga gjithsej 20 minuta paraqitje. Po ashtu, pjesëmarrja e kandidateve gra (8%) në debate televizive është shumë më e ulët se ajo e burrave (92%).
Përveç faktit që grave në politikë u është dhënë më pak hapësirë në debatet televizive, edhe në aspektin e analizës dhe komentimit të fushatës, mediat nuk qëndrojnë më mirë në drejtim të përfaqësimit gjinor. Nga gjithsej 456 paraqitje të analistëve dhe analisteve në emisione televizive gjatë periudhës së fushatës, 413 kanë qenë burra dhe vetëm 43 gra. Ky raport i pabarabartë tregon se vetë mediat nuk paraqesin përfaqësim të duhur gjinor gjatë interpretimit publik të proceseve zgjedhore.
Ky monitorim ka për synim vlerësimin e transparencës, paanshmërisë dhe qasjes së barabartë në mbulimin e aktiviteteve zgjedhore. Lëvizja FOL ka monitoruar 11 televizione dhe ka analizuar kronikat zgjedhore, debatet televizive, ka matur minutazhin e dedikuar për secilin subjekt dhe kandidat, si dhe përqindjën e hapësirës që u është kushtuar grave kandidate në krahasim me burrat.
Rekomandimet e lëvizjes FOL janë se duhet të ketë përfaqësim real dhe të barabartë gjinor në kandidime, organizim të trajnimeve për komunikim etik dhe barazi gjinore, zhvillim të platformave konkrete për barazinë gjinore dhe fuqizim të grave, dhe rritje të përfaqësimit të grave në përmbajtjet mediatike.
Raportin e plotë mund ta lexoni këtu