Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Zohran Mamdani prezanton ekipin e tranzicionit të përbërë tërësisht nga gratë

QIKA 7.11.2025

Kryetari i sapozgjedhur i qytetit të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, prezantoi të mërkurën ekipin e tij të tranzicionit, i cili do ta ndihmojë në përgatitjen e administratës së re që do të marrë detyrën më 1 janar 2026. Të gjitha anëtaret e këtij ekipi janë gra dhe do të udhëhiqen nga këshilltarja politike Elana Leopold.

Në një konferencë për shtyp në Queens, socialisti demokrat Mamdani prezantoi edhe pjesën tjetër të ekipit që janë: Lina Khan, ish-kryetare e Komisionit Federal të Tregtisë (FTC) nën administratën Biden, e njohur për qëndrimin e saj të ashpër kundër monopoleve; Maria Torres-Springer, ish-nënkryetare e parë e bashkisë; Grace Bonilla, drejtuese e organizatës United Way of New York City; Melanie Hartzog, ish-nënkryetare për shëndetësi dhe shërbime njerëzore.

Ndër emërimet më të diskutuara është ai i Linda Khan, për të cilin The Guardian shkruan se është sinjal i qartë që Mamdani i cili vazhdimisht ka bërë thirrje për rritje të taksave për të pasurit për të financuar politikat që synojnë uljen e kostos së jetesës, do të vazhdojë ta sfidojë atë që ai e quan “oligarki”, sapo të marrë detyrën si kryetar.

Gjatë prononcimit në konferencë ai bëri të ditur se në vijim do të prezantojë edhe pjesën tjetër të ekipit disa prej të cilëve do të jenë emra të njohur e disa të tjerë jo pasi që ai premtoi se do ti përfshijë në ekip, përveç profesionistëve, edhe punëtorët/et të cilët sipas tij “e dijnë më mirë se kushdo se çfarë u duhet nëpër lagjet e tyre”.

Mamdani, i cili e nisi fushatën me vetëm 1% mbështetje sipas sondazheve, korri fitore historike përmes një fushate që në qendër e kishte jetesën e përballueshme. Ai premtoi rritje të taksave për të pasurit dhe korporatat, zgjerim të programeve sociale, ngrirje të qerasë për rreth 2 milionë banorë, transport publik pa pagesë dhe deklaroi hapur përkrahjen për klasën punëtore, emigrantët, personat LGBTIQ+, etj.

Zohran Mamdani bëhet kryetari i parë mysliman dhe emigrant që qeveris qytetin e Nju Jorkut, si dhe personi më i ri në moshë që mban këtë post në më shumë se një shekull. Ai gjithashtu thyen rekord historik të votave, duke fituar me 1,036,051 vota, që përbëjnë 50.4% të totalit, rezultati më i lartë i arritur ndonjëherë nga një kandidat në këtë garë.