Sipas gjetjeve të reja nga Zyra për Statistika Kombëtare (ONS), nënat në Angli ballafaqohen me një ulje të konsiderueshme dhe afatgjatë të të ardhurave pasi bëhen me fëmijë.
Pesë vjet pasi kanë lindur fëmijën e tyre të parë, të ardhurat e nënave bien në një mesatare prej 1.051£ në muaj në krahasim me pagën e tyre një vit para lindjes së fëmijës. Të ardhurat e nënave vazhdojnë të ndikohen edhe pas lindjes së fëmijës së dytë dhe të tretë.
Rachel Grocott, drejtore ekzekutive e grupit të kampanjës Pregnant then screwed, i ka quajtur gjetjet “plotësisht të neveritshme” dhe ka thënë se ndikimi i asaj që e quan “dënimi i amësisë” është “jo vetëm i padrejtë por edhe plotësisht i shmangshëm” .
Në të dhënat e para të këtij lloji, ONS ka studiuar të ardhurat dhe statusin e punësimit të nënave pas lindjes së fëmijës së parë, të dytë dhe tretë gjatë një periudhe tetëvjeçare, nga prilli i vitit 2014 deri në dhjetor të vitit 2022.
Nënat fitojnë mestarisht 313£ më pak në muaj pesë vjet pas lindjes së fëmijës së tyre të dytë, dhe 689£ më pak në muaj pesë vjet pas lindjes së fëmijës së tretë. Secila shifër e krahasohet me pagën e tyre një vit para çdo lindjeje, raporton BBC.
Nënat pësojnë maksimumin e humbjeve në vitin e parë pas lindjes së fëmijës së tyre, kur ato kanë më shumë gjasa të marrin leje prindërore të zgjatur sesa baballarët.
Kur krahasohen të ardhurat e nënës një vit para lindjes së fëmijëve, humbja në total e të ardhurave gjatë pesë viteve pas lindjes ishte:
· 65,618 £ për fëmijën e parë
· 26,317 £ për fëmijën e dytë
· 32,456 £ për fëmijën e tretë
Femiola Miller, nag Londra, ka tre fëmijë të moshave shtatë, pesë dhe tre vjeç.
Para se të krijonte familje, ajo dhe burri i saj David kishin paga të njëjta, por tani ai fiton në vit 55,000£ më shumë se ajo.
Të dytë morën disa muaj pushim nga puna pas lindjeve të secilit fëmijë, “por sa herë që burri im kthehej në punë, ai merrte një promovim”.
“Nënat nuk kompensohen edhe nëse kthehen në punë me orar të plotë edhe janë të përkushtuara në karrierën e tyre” tha Miller.
Miller beson se ndëshkimi i amësisë është i ngulitur në shoqëri dhe disa njerëz i zbatojnë stereotipet pa qenë të vetdijshëm, thotë ajo, duke kujtuar disa komente që njerëzit i kishin bërë rreth nëse do të kthehej në punë pas lindjes së fëmijës.
“Nuk kishte asnjë pyetje se çfarë do të ndodhte me karrierën e David” thotë ajo.
“Unë kisha një karrierë para se të kisha fëmijë dhe dua të vazhdoj tutje duke punuar me orar të plotë”, vazhdon ajo.
Edhe pse hendeku gjinor i pagave po reduktohet ngadalë në Mbretërinë e Bashkuar, gratë që punojnë me orar të plotë ende fitojnë 7% më pak se burrat.
Joeli Brearley, themelues i Pregnant then screwed, tha se ndëshkimi i amësisë ishte “një stuhi perfekte e paragjykimeve, ligjit të vjetëruar dhe normave kulturore”.
Ajo shtoi se pjesa dërrmuese e hendekut gjinor të pagave është e lidhur me ndëshkimin e amësisë, që mund t’i atribuohet një numri faktorësh, duke përfshirë:
· koston e papërballueshme të kujdesit për fëmijët në disa familje
· një sistem të pabalancuar të lejeve prindërore
· disa vende pune që nuk ofrojnë orare fleksibile dhe punë me gjysëm orari
· diskriminimin gjatë shtatzënisë dhe amësisë.
Qeveria ka prezentuar 30 orë në javë kujdes të financuar për fëmijët e prindërve që punojnë dhe po rishikojnë pushimin prindëror.
Ligje të reja gjithashtu hynë në fuqi në Angli, Uells dhe Skoci në vitin e kaluar, të cilat u japin grave mbrojtje më të madhe kundër largimit nga puna gjatë shtatëzënisë ose gjatë pushimit të lehonisë.
Por, sipas kërkimeve prej Pregnant then Screwed dhe Women in Data, deri në 74,000 nëna të reja ose në pritje për tu bërë nëna humbin vendet e punës për shkak të shtatzënisë dhe diskriminimit të amësisë.
Evie, 33 vjeçe, nga Newcastle, thotë se ndihet sikur karriera e saj është në pritje derisa vajza e saj të fillojë shkollës.
Evie fillimisht i zvogëloj orët e punës kur Ellie tani tre vjeçe, lindi, por tani punon 35 orë në javë në NHS.
Ajo dëshiron të rikualifikohet si terapeute, por ta bëjë këtë do të thotë të mos mund të punojë më nga shtëpia, gjë që nuk përputhet me aranzhimet që ka për kujdesin ndaj fëmijëve të saj.
Ajo e përshkroi të bërit nënë si “gjënë më të mirë që më ka ndodhur mua, por për karrierën ka qenë ndëshkim”.
“Je e supozuar të jesh prind sikur nuk punon, por duhet të punosh sikur se nuk ke fëmijë. Nuk mund të fitosh”, shton ajo.
Emma Potts, menaxhere e Market Place Cafe në Stoke-on-trent, thotë se është një balancim vërtetë i vështirë, për biznese të vogla si i saj të sigurojnë punën fleksibile, orare me kohë të pjesshme ose zëvendësim gjatë lejes së lindjes.
“Ne gjithmonë përpiqemi të jemi sa më mbështetës, por realiteti është se në një ekip të vogël, fleksibiliteti është shumë shumë më i vështirë për t’u menaxhuar”, shprehet Potts.
Nëse anëtarët e stafit do të zvogëlonin orët e tyre në punë me kohë të pjesshme, do të shkaktonin probleme të vërteta, thotë ajo.
“Në fund të fundit, bizneset e vogla si yni nuk e kanë luksin e ekipeve të mëdha ose të kapaciteteve rezervë. Çdo ndërrim ka vlerë, çdo afat ka rëndësi dhe çdo mungesë bën një ndryshim.” thotë Potts.
Katie Guild, bashkëthemeluese e Nugget Savings, një biznes që ndihmon prindërit e ri dhe ata në pritje me planifikim financiar, thotë se ndikimi i të pasurit fëmijë mund të jetë “tronditës” për financat, por ka një numër gjërash që prindërit mund të bëjnë.
Këtu përfshihen kontrollimi i përfitimeve që ju takojnë dhe sigurimi që punëdhënësi juaj të vazhdojë të kontribuojë në pension bazuar në pagën tuaj të plotë siç ishte para pushimi të lehonisë.
“Fatkeqësisht, shumë prej rasteve me të cilat merremi lidhen me nënat që kanë situata të vështira me punëdhënësit e tyre dhe që nuk e dinë nëse kanë bazë ligjore për t’u mbrojtur. Të njohësh të drejtat e tua është me të vërtetë thelbësore”, thotë Guild.
Lajmin e përktheu: Anita Mazrekaj