Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë janë në qendër të revoltës në Iran

QIKA 14.1.2026

Protestat që kanë përfshirë Iranin që nga fundi i dhjetorit 2025 nisën si reagim ndaj rritjes së çmimeve, inflacionit të lartë dhe përkeqësimit të kushteve të jetesës. Me kalimin e ditëve, ato janë shndërruar në një lëvizje të hapur politike kundër regjimit, duke artikuluar kërkesa për ndryshim strukturor, fund të shtypjes dhe më shumë liri politike.


Sot, protestat nuk kufizohen më vetëm me pakënaqësitë ekonomike. Ato po përfaqësojnë një refuzim të drejtpërdrejtë të pushtetit autoritar dhe teokratik, ndërsa thirrjet kundër udhëheqjes shtetërore janë bërë gjithnjë e më të shpeshta. Autoritete qeveritare po përdorin masa të dhunshme për të ndalur protestat duke përdour vrasjet, arrestime masive dhe bllokim të gjerë të internetit për të penguar organizimin dhe raportimin, raportojnë Reuters dhe Zyra së OKB-së për të Drejtat e Njeriut.


Në qendër të kësaj vale protestash janë gratë. Një video e publikuar nga Iran International më 11 janar 2026, ku një grua shihet duke ndezur një cigare me portretin e djegur të Ali Khamenei, është kthyer në një simbol të revoltës. Pamja u shpërnda gjerësisht në rrjete sociale, pavarësisht censurës, duke reflektuar sfidën e drejtpërdrejtë të grave ndaj autoritetit politik dhe fetar.


Edhe pse regjimi ushtron dhunë ndaj gjithë shoqërisë, gratë preken në mënyrë disproporcionale. Ato përballen me një shtypje të dyfishtë, si qytetare në një sistem represiv dhe si gra nën ligje dhe norma që kontrollojnë trupin, veshjen, lirinë e lëvizjes dhe jetën private. Pjesëmarrja e grave në protesta është thellësisht politike, vlerëson The Guardian.


Raportimet ndërkombëtare flasin për qindra të vrarë dhe mijëra të arrestuar, përfshirë gra dhe vajza të reja, ndërsa familjarët e viktimave po përballen me presion dhe heshtje të detyruar. Megjithatë, prania e grave në rrugë vazhdon. Ato po udhëheqin protesta, po krijojnë gjuhë dhe simbolikë të re rezistence dhe po e shndërrojnë trupin e tyre në hapësirë politike, në një shtet që historikisht ka ndërtuar pushtetin mbi kontrollin e tyre.