Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Hollësisht

Gratë nuk janë pronare të tokave që i punojnë

Shkurte Kafexholli 16.1.2026

Në një vend si Kosova, ku gratë vazhdojnë të jenë shtylla e padukshme e ekonomisë rurale, historia e Shkurte Kafexhollit nga Bellanica e Malishevës pasqyron pabarazitë që nuk matin vetëm punën, por edhe të drejtën për pronë.

Në vitin 1990, derisa shumë vajza në Evropë po nisnin studimet e tyre, Shkurta, atë botë 23-vjeçare, u martua. Anipse nuk pati mundësi që të ndiqte shkollimin universitar, ajo e mësoi vetë punën e bujqësisë dhe blegtorisë, e me kalimin e viteve arriti të ndërtonte një fermë, nga e cila ajo siguron të ardhurat për të gjithë familjen.

Çdo ditë, pas kafes së mëngjesit Shkurta niset drejt fermës së saj, vendi ku lodhja kthehet në qëndrueshmëri dhe dashuria për tokën bëhet mënyrë jetese. Për të, momenti kur mbërrin në fermë është pjesa më e bukur e ditës: një çast që e lidh me jetën, me kafshët dhe me dheun që ajo e ka shndërruar në shtëpi.

‘‘Punët e fermës i bëj në mëngjes herët nga ora shtatë në mëngjes deri në ora nëntë pasdite, varësisht se sa punë kërkohet në fermë, pas orës nëntë, deri në ora 10 punoj në bahçe, kujdesem për lopët, e krejt çka duhet. Pak se nuk kam shume kohë me u fokusu krejt, se si gru, prej meje kërkohet edhe me u kthy në shtëpi, me përgatit bukën, me pastru, me la e me të gjitha’’, thotë Shkurta.

‘‘Megjithatë, ajo nuk e konsideron aspak të vështirë ngarkesën e saj ditore teksa flet edhe për rëndësinë e organizimit. Nuk është e vështirë nëse njeri arrin me i udhëheq punët në mënyrë të organizuar’’, shton ajo.

‘‘Stalla për mua është gjithmonë prioritet, punoj edhe pak në bahçe, prej bahçes vi te shtëpia, e përgatiti drekën, mas bukës, ha, pi, pastroj, gjithçka çka ka nevojë shtëpia, meqë nuk e kam kërkan që mundet me më ndihmu, sepse, secili antarë i familjes i ka obligimet personale e nuk vijnë në shtëpi deri vonë’’.

‘‘Nuk kam duar të ngjitna tjetër kah, përveç dy duarve të mia’’, thekson ajo.

Edhe pse ferma ndodhet disa kilometra larg shtëpisë, ajo e viziton dy herë në ditë, ndonjëherë edhe tri. Siç thotë ajo, teksa i shkon buza në gaz: “Nëse është nevoja, edhe buj.”

Ferma e Shkurtës, ndonëse është rezultat i përpjekjeve të saj të vazhdueshme dhe i një pune të palodhur shumëvjeçare, ende nuk arrin të plotësojë standardet që kërkohen për një fermë moderne, e cila përmbush standardet e punës. Ajo përballet me mungesë të pajisjeve adekuate, qasje të kufizuar në  infrastrukturë dhe mbështetje të pamjaftueshme institucionale, çka e bën të vështirë zhvillimin e fermës sipas standardeve bashkëkohore të bujqësisë.

Tutje, Shkurta rrëfen për standardet që nuk arriti t’i zbatojë në fermën e saj të vogël. Prej më shumë se dhjetë vitesh, ajo vazhdon të punojë në të njëjtën baltë, në të njëjtin prag dere që e ndërtoi vetë me shumë përkushtim. Megjithatë, përkundër përpjekjeve të saj, deri më sot asnjë institucion lokal as qendror asnjë organizatë apo donator nuk i ka ofruar mbështetje për ta zhvilluar punën dhe për ta çuar më tej ëndrrën e saj.

‘‘Ferma nuk është kushedi sa komode, është mire po nuk e ka dyshemenë e shtruar, as nuk ka teknikë të mirë brenda fermës, e ka veç ujin edhe ushqimin për bagëti, por kam qef me pas një fermë ma të mirë që me pas edhe ma shumë punë, me një hapësirë ma të madhe, me sisteme ma të avancuara, siç edhe janë në shumë ferma tjera, po prapë keq nuk është’’, thotë Shkurta, derisa vazhon të tregojë për fillimet e fermës, si dhe për kontributin e familjarëve me të cilët bashkë e kishin ndërtuar atë. 

‘‘Këtë fermë e kemi ndërtu me forcat tona, nuk kemi pas ndihmë prej kurrkuj’’, tregon ajo.

Ndërkaq, nga Komuna e Malishevës, Shkurta ka marrë përgjigje se për ta përfshirë fermën e saj në sistem dhe për të përfituar mbështetje financiare, ajo duhet të ketë së paku pesë lopë. Kjo kërkesë, megjithëse pjesë e kritereve zyrtare, për të mbetet një pengesë e madhe, pasi mundësitë e saj ekonomike nuk i lejojnë të zgjerojë fermën në atë masë.

‘‘Komuna të vetmën përgjigje që na ka dhanë u kanë që ndihmë prej neve mundesh me marrë në momentin që në fermën tane janë mbi pesë lopë qumështore, përndryshe nuk mundesh me marr ndihmë’’.

Megjithatë, ajo vazhdon të ruajë shpresën se vitin e ardhshëm do të mund të përfitojë ndihmë nga komuna, në mënyrë që të përmirësojë kushtet e fermës dhe ta zhvillojë më tej punën e saj.

Guximi dhe përkushtimi i grave si Shkurta tejkalojnë kufinjtë e përcaktuar nga rolet gjinore

Shkurta rrëfen se gjatë punës së saj është përballur me shumë paragjykime, të cilat përveçëse kanë qenë të padrejta, ishin edhe demotivuese. Megjithatë, ajo thekson se kurrë nuk i ka parë ato si pengesë për të vazhduar rrugën e saj. Përkundrazi, paragjykimet e kanë forcuar vendosmërinë dhe dëshirën për të punuar me të njëjtin pasion e përkushtim si në fillim.

‘‘Unë kurrë se kam pas problem kur njerëzit më kanë gjykuar pse jam grua edhe kam një fermë. Nuk ju marr lakmi burrave’’, thekson me këmbngulësi ajo, teksa shton: ‘’Njerëzit paragjykojnë, po ti duhet me zgjedhë gjithmonë rrugën tane,  pavarësisht paragjykimeve të të tjerëve’’

Por pas gjithë këtij përkushtimi dhe pune të palodhur, qëndron një realitet i njohur për shumë gra në Kosovë: prona ku ajo punon nuk figuron në emrin e saj. Ashtu si shumë gra të tjera në vend, Shkurta nuk është pronare ligjore e tokës për të cilën  përkujdeset dhe të cilën e punon çdo ditë, duke u përballur me sfida të shumta derisa burimin e fuqisë së saj e ka vetëm në përpjekje personale.

“Prona është në emër të burrit”, thotë ajo, duke shtuar se ai gjithmonë e ka mbështetur, dhe e ka shtyrë para për punë.

Por mbështetja morale nuk është e njëjtë me fuqinë ligjore që i jep një gruaje siguri, pavarësi dhe të drejtë në vendimmarrje.

Sipas të dhënave zyrtare dhe analizave të institucioneve ndërkombëtare, rreth 19.8% e pronave të regjistruara në Kosovë (të gjitha llojet e pronave) ishin në emër të grave në 2024. Kjo përqindje përfshin pronat e regjistruara individuale dhe pronësitë e përbashkëta. 

Ndërsa, sa i takon tokave bujqësore konkretisht, sipas Regjistrimit / Censusi i Bujqësisë, për vitin 2014 rezulton se vetëm 4.9% e pronarëve të tokave bujqësore në Kosovë ishin gra. 

Rreth 62% e popullsisë së Kosovës jeton në zona rurale, dhe gratë përballen me nivele më të ulëta të arsimit, gjë që ndikon në qasjen e tyre te njohuritë, subvencionet dhe shërbimet publike. Po ashtu, vetëm 16% e grave që jetojnë në zona rurale përdorin shërbimet publike online, ndërsa 41% nuk kanë aftësi dixhitale të mjaftueshme për tregun e punës.

Sipas një hulumtimi të publikuar nga Organizata e Ushqimit dhe e Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO) lidhur me bujqësinë dhe jetesën rurale në Kosovë, gratë luajnë një rol kyç në ekonominë dhe jetesën rurale, por përballen me pengesa të shumta që kufizojnë pjesëmarrjen e tyre të barabartë me burrat. Profili gjinor i Kosovës për bujqësinë dhe jetesën rurale thekson nevojën për barazi gjinore dhe fuqizimin ekonomik të grave.  

Megjithëse gratë përbëjnë 49% të fuqisë punëtore në bujqësi, shumë prej tyre punojnë në mënyrë joformale, duke kufizuar mundësitë e tyre për qasje në kapital, tokë dhe trajnim. 

Punët e papaguara të kujdesit dhe përgjegjësitë familjare rëndojnë joproporcionalisht mbi gratë. Gratë i kushtojnë 83% të kohës së tyre punëve të shtëpisë. Gratë janë të nënpërfaqësuara në vendimmarrje dhe rrjetet komunitare: 91% e grave që jetojnë në  fshatëra nuk marrin pjesë në aktivitete politike, dhe vetëm 3% kanë marrë pjesë në mbledhje komunitare për bujqësi, ndërsa vetëm 5% njihnin shërbimet këshilluese rurale. Pandemia COVID-19 ka thelluar këto pabarazi, duke vështirësuar më tej qasjen në ushqim dhe shërbime për gratë, si dhe duke rritur barrën e punës së papaguar dhe kujdesit ndaj familjes.

“Gratë që punojë në fushat e bujqësisë dhe blegtorisë nuk vlerësohen, dhe shumë persona nënvlerësimin e kanë pikërisht sepse jemi gra”, shton ajo.

Një realitet i përbashkët për gratë e zonave rurale në Kosovë

Sipas UN Women, vetëm rreth 5% e fermave të regjistruara janë në emër të grave, duke nxjerrë në pah hendekun gjinor që ekziston midis kontributit të grave dhe njohjes ligjore të punës së tyre. Këto statistika tregojnë qartë sfidat strukturore me të cilat përballen gratë që jetojnë në zonat rurale dhe nevojën për mbështetje institucionale dhe barazi reale.

Në shoqëritë si e jona, ku trashëgimia në të shumtën e rasteve bartet vetëm tek djemtë e familjes, gratë mbeten të përjashtuara nga e drejta themelore për të zotëruar tokën që e punojnë. Rrjedhimisht edhe në fushën e subvencioneve bujqësore, nga 28,981 aplikues në vitin 2022, 95 % ishin burra dhe vetëm 5 % gra. 

Ky hendek gjinor përkthen pabarazinë në mundësi të mohuara strukturore. Mungesa e pronësisë mbi tokën, e cila mbetet kryesisht në duart e burrave për shkak të praktikave tradicionale të trashëgimisë dhe moszbatimit të plotë të barazisë ligjore, i përjashton gratë nga qasja reale në kredi bankare, grante shtetërore dhe programe zhvillimore. Pa kolateral formal, gratë fermere mbeten jashtë mekanizmave financiarë që mundësojnë investim, modernizim dhe rritje të kapaciteteve prodhuese. Kjo situatë thellon varësinë e tyre ekonomike, i ekspozon ndaj pasigurisë ligjore dhe i mban në pozita të margjinalizuara brenda sektorit bujqësor, duke i bërë kontributet e tyre të padukshme në statistika, politika publike dhe vendimmarrje.

Në një të ardhme të afërt, Shkurta ëndërron që toka të jetë në emrin e saj, dhe në këtë tokë të ndërtohet një fermë e re, e standardizuar dhe moderne.“Është shumë e mirëseardhur për mua që të kem edhe tokën në emrin tim edhe fermën’’, shprehet ajo.

Forca e saj individuale përballë një sistemi që nuk e mbështeti


Edhe pse nuk ka përfituar kurrë asnjë subvencion apo grant, Shkurta nuk është ndalur.

“Jo, s’kam marrë subvencione, se sic ju tregova, siç ju tregova në komunë më kanë thënë që hala ke pak krerë lopë që me të dhanë,” thotë ajo.
Ferma e saj është e vogël, por e mbushur me dashuri –  dashurinë që ajo u ofron kafshëve. Është një hapësirë e thjeshtë, por e gjallë, e ndërtuar me duar që s’kanë pushuar.

Derisa ajo na shoqëron drejt fermës së saj, Shkurta ndan kujtime dhe tregime për ditët e mbushura me lodhje, por edhe për momentet e gëzueshme që e bëjnë këtë vend të veçantë për të. Ajo flet për sfidat me të cilat është përballur, nga kujdesi ndaj kafshëve deri te puna e palodhur në fusha dhe kopsht, si dhe për kënaqësitë e vogla që e mbushin me gëzim: kur i sheh bagëtitë e shëndetshme, frytet e punës së saj dhe qetësinë që gjen tek toka. Çdo hap që bëjmë me të na jep një pasqyrë më të thellë të jetës së saj të përditshme, ku puna, përgjegjësitë dhe dashuria për tokën bashkohen në një ritëm që e karakterizon Shkurtën dhe përkushtimin e saj të palëkundur.

‘‘Momenti më i mirë për mu është kur kam sukses në punë, kur e shoh që puna po hec mirë e mbarë, lodhjen se ndjej hiç, masi kom ardhë deri në këtë pikë, kam qef që bagëtitë me qenë të shëndetshme edhe me i pa mirë’’, tregon ajo derisa ende ka mendje tek njëra nga kafshët se a e ka ngrënë ushqimin.

Kur Shkurta përfundon procesin e të ushqyerit të bagëtive, na dërgon tek pjesa prapa fermës, dhe na tregon se brenda kënaqësive e të mirave, ka edhe sfida, vështirësi, e barriera, sidomos kur je grua dhe mendjen e ke për shumë vende njëherazi.

Për Shkurtën, puna në bujqësi nuk është vetëm mënyrë për të siguruar të ardhurat e familjes; çdo ditë në fermë është pjesë e një rutine të ndërtuar me durim, përpjekje dhe një lidhje të fortë me tokën, përmes së cilës ajo ecën përpara në jetë.Ajo nuk kërkon ndihmë, por mundësi të barabarta. 

As mungesa e trajnimeve nuk e ka penguar të mësojë vetë çdo teknikë të punës, nga mbjellja e farës deri te kujdesi për bagëtitë. 

Gjatë bisedës, sytë i ndriçojnë kur përmend idenë e trajnimeve për gra fermere – një mundësi që, sipas saj, “do të ishte më e vlefshme se çdo subvencion.”

“Deri tash nuk kam pas mundësi me ndjek asnjë trajnimi, po shumë kam qef, me kanë e rrethuar me gra, me fol e me mësu edhe prej tyne diçka por edhe prej trajnimeve me marr ma shumë përgatitje profesionale’’, shton ajo.

Në një plan më të gjerë, pabarazitë gjinore në bujqësi janë një problem global. Sipas UN Women, në sistemet bujqësore ushqimore në botë, rreth 36% e grave punojnë në këtë sektor vetëm 15 për qind e pronarëve të tokave bujqësore janë gra.
Kjo do të thotë se miliona gra, që kujdesen për të siguruar ushqimin, komunitetet dhe ekonomitë ku bëjnë pjesë, nuk kanë kontroll mbi tokën ku punojnë.Në Kosovë, kjo pabarazi ndjehet çdo ditë në duart e grave si Shkurta, të cilat punojnë shumë, por nuk kanë asgjë të regjistruar në emrin e tyre.

Pa një mbështetje të tillë, punëtoret në bujqësi rrezikojnë të mbesin në margjinë të zhvillimit rural, duke i dhënë sektorit bujqësor një potencial të papërmbushur dhe duke ngecur vetë në cikle të pabarazisë gjinore.

Një mesazh për gratë që nuk u dorëzuan

Për gratë si Shkurta, sistemi ofroi pak mbështetje, ndaj ato mësuan ta gdhendin vetë rrugën e tyre me durim dhe punë. Qëllimi i saj ishte i qartë: vajza e saj e vetme të arsimohej – një mundësi që vetë nuk e pati. E vetëdijshme për pabarazitë që vazhdojnë të favorizojnë djemtë, Shkurta punoi pa u ndalur, duke përballuar çdo vështirësi që ëndrra e vajzës së saj të bëhej realitet.

“Kam punu ditë e natë, kam dashtë që çika me u shkollu, se gjithmonë kam mendu që djemëve iu qelet një rrugë, e për çika është ma e vështirë,” thotë ajo.

Në fund, Shkurta ndan një mesazh për vajzat dhe gratë që duan të merren me bujqësi e blegtori, por hezitojnë për shkak të paragjykimeve dhe barrierave ekonomike.

‘‘Kam punu ditë e natë, kam dashtë që çika me u shkollu, se gjithë kam mendu që djemëve iu qelet një rrugë, e për çika gjithmonë është më e vështirë’’, thekson ajo.

Shkurta ka një mesazh për fund, për të gjitha vajzat dhe gratë që dëshirojnë të merren me bujqësi e blegtori, por hezitojnë për shkak të paragjykimeve dhe barrierave ekonomike.

“Vajzave edhe grave ju jap një porosi: mos i ngoni paragjykimet e të tjerëve se nuk të qojnë përpara, po veç ju lënë prapa, dëgjoni zemrën tuaj çka ju thotë, ajo të dërgon te destinacioni yt’’

Ndërsa ecim mes bagëtive dhe ndjejmë ritmin e përditshëm të punës së fermës, bëhet e qartë se historia e Shkurtës është më shumë se sa një tregim personal. Ajo simbolizon zërin e qindra grave në Kosovë, që punojnë pa u lodhur, që sfidojnë paragjykimet dhe pengesat institucionale, por shpesh mbeten të padukshme në sytë e shoqërisë.

Përmes përkushtimit të saj, Shkurta tregon se puna dhe vendosmëria mund të ndërtojnë jo vetëm fermën e saj, por edhe mundësinë për barazi dhe njohje të drejtë për gratë që kontribuojnë çdo ditë në zhvillimin rural.