Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Lufta në Sudan dhe çmimi që po paguajnë gratë dhe punonjëset shëndetësore

QIKA 20.1.2026

Sudani po përjeton krizën humanitare më të rëndë në botë, e shkaktuar nga një luftë brutale midis ushtrisë së rregullt sudanese dhe grupit paramilitar RSF (Rapid Support Forces).

Gjatë një bllokade brutale që zgjati 18 muaj në El Fasher, gratë dhe vajzat iu nënshtruan bombardimeve të pandërprera dhe një rritjeje të dhunës seksuale, ndërkohë që nuk merrnin ndihma humanitare. Institucionet shëndetësore sulmoheshin vazhdimisht, gratë shtatzëna lindën pa asnjë ndihmë profesionale dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale mbetën pa kujdes mjekësor, raporton UNFPA.

Kriza u përshkallëzua në tetor të vitit 2025, kur El Fasher ra në duart e Rapid Support Forces. Më shumë se 107,000 njerëz, shumica gra dhe fëmijë, u larguan nga El Fasher, pa mjete transporti, ushqim apo para.

“Ne hapëm gropa për t’u fshehur brenda tyre”, tha Rania, 22 vjeçe, e cila ishte shtatzënë në atë kohë.

Punonjësit shëndetësorë përshkruan gjithashtu çfarë përjetuan gjatë rrethimit që zgjati me muaj. Mamia Madina Bashir ishte e bllokuar së bashku me 65 gra brenda në një xhami në El Fasher për gati një vit. “Për shumë ditë nuk kishim as ushqim, as ujë. Mbijetuam duke pirë ujë shiu dhe duke ngrënë bimë që rriteshin në oborr”, tha ajo.

“Punonim duke përdorur çarçafë të prerë dhe rrjeta kundër mushkonjave, bëmë gjithçka që mundëm. Kryenim ndërhyrje si amputime jashtë sallës së operacionit”, përshkruan Ikhlas Ahmed Abdallah Adam, mjeke e obstetrikës.

UNFPA vazhdon të punojë në shtetin verior duke forcuar kujdesin obstetrik emergjent në spitalin e maternitetit në Al Dabbah dhe duke operuar në një klinikë të shëndetit riprodhues në kampin e zhvendosjes në Al Affad.

Kujtojmë se Sudani është në konflikt aktiv që nga prilli i vitit 2023, dhe shërbimet thelbësore si kujdesi shëndetësor, arsimi dhe uji i pastër janë kryesisht jo funksionale. Pas 1000 ditësh lufte, më shumë se gjysma e popullsisë janë në nevojë për ndihmë humanitare.