Presidenti i zgjedhur në Kili, José Antonio Kast, ka emëruar Judith Marín, evangjeliste dhe haptazi kundërshtare e të drejtës së abortit, në postin e Ministres për Gratë dhe Barazinë Gjinore në qeverinë e tij të ardhshme. Emërimi ka ngjallur reagime të forta, për shkak të qëndrimeve të saj të mëhershme publike kundër të drejtave riprodhuese, raporton The Guardian.
Marín ka qenë e përfshirë në grupe kristiane ultra-konservatore dhe është shprehur vazhdimisht kundër zgjerimit të së drejtës për abort. Ajo gjithashtu ka vënë në dyshim ekzistencën dhe rolin e Ministrisë për Gratë dhe Barazinë Gjinore, institucion që tashmë do ta drejtojë. Në deklarimet e saj publike, Marín ka mbrojtur idenë e “familjes së natyrshme”, duke theksuar se struktura familjare duhet të përbëhet nga një burrë dhe një grua.
Ky emërim vjen në një moment kyç politik, pasi në Kongresin e Kilit po diskutohet një projekt-ligj për dekriminalizimin e abortit deri në javën e 14-të të shtatzënisë. Aktualisht, aborti në Kili lejohet vetëm në tre raste: kur rrezikohet jeta e personit shtatzënë, në rast përdhunimi ose kur fetusi nuk është i qëndrueshëm për jetën. Përpjekjet për zgjerimin e këtyre të drejtave kanë qenë prej vitesh pjesë e debatit publik dhe politik në vend.
José Antonio Kast, i cili do të marrë zyrtarisht detyrën më 11 mars 2026, e ka prezantuar Marín si pjesë të një kabineti kryesisht konservator, ku përfshihen edhe figura të tjera nga e djathta dhe e djathta ekstreme.