Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Dhuna ndaj luftëtareve kurde në Rojava nxit protesta dhe solidaritet global të grave

QIKA 26.1.2026

Dhuna e dokumentuar ndaj luftëtareve kurde në Rojava ka nxitur reagime të forta dhe protesta simbolike të grave në mbarë botën, duke rikthyer në vëmendje rrezikun me të cilin po përballen gratë dhe arritjet e tyre politike në veri-lindje të Sirisë. Reagimet u shtuan pas publikimit të një videoje që qarkulloi gjerësisht në rrjete sociale, ku shfaqet një militant i forcave të regjimit sirian duke mbajtur gërshetën e flokëve të një luftëtareje kurde të vrarë, pamje që u interpretuan si akt poshtërimi dhe dhune ndaj grave që kanë qenë pjesë e forcave mbrojtëse të rajonit, raporton Kurdistan24.

Si kundërpërgjigje, gra kurde dhe aktiviste të të drejtave të grave në vende të ndryshme të botës kanë nisur një formë proteste simbolike duke gërshetuar flokët e tyre dhe duke shpërndarë video në solidaritet me luftëtaret e Rojavës. Ky veprim është kthyer në një shenjë rezistence dhe kundërshtimi ndaj dhunës së ushtruar mbi trupat e grave, veçanërisht në kontekstin e konfliktit të vazhdueshëm në Siri. Sipas raportimeve, luftëtarja e shfaqur në video ka humbur jetën gjatë përleshjeve në zona si Raqqa, në kuadër të luftimeve që përfshijnë Forcat Demokratike Siriane (SDF) dhe grupet e lidhura me regjimin e Damaskut, raporton Rudaw.

Rojava, e njohur për modelin e saj të vetëqeverisjes dhe për rolin qendror të grave në strukturat politike, administrative dhe ushtarake, ka qenë për vite me radhë një shembull i rrallë në rajon për përfshirjen e grave në vendimmarrje dhe për avancimin e barazisë gjinore. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime serioze për të ardhmen e këtyre arritjeve. Sipas analizave të publikuara në media ndërkombëtare, gratë revolucionare të Rojavës ndodhen sot përballë një rreziku të madh, pasi ofensivat ushtarake dhe përpjekjet për rikthimin e kontrollit të regjimit sirian mbi territorin kërcënojnë drejtpërdrejt strukturat politike dhe sociale që ato kanë ndërtuar, shkruhet në një opinion në The Guardian.

Në këtë kontekst, protestat simbolike dhe reagimet ndërkombëtare janë paralajmërime për pasojat që mund të ketë dhuna ndaj grave në Rojava, jo vetëm për vetë rajonin, por edhe për të drejtat e grave në zona të tjera të konfliktit. Zhvillimet e fundit dëshmojnë se gratë vazhdojnë të jenë ndër më të goditurat nga lufta dhe represioni, edhe në hapësira ku për vite me radhë kanë luftuar për liri, barazi dhe dinjitet.