Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Pushim për abort spontan apo lindje të foshnjës së vdekur në Zelandën e Re

QIKA 26.3.2021


Parlamenti i Zelandës së Re, ka votuar unanimisht ligjin që iu mundëson nënave dhe partnerëve të tyre tre ditë pushim nëse kanë përjetuar abort spontan apo kanë lindur foshnjë të vdekur.

Deputetja Ginny Andersen tha se ky ligj iu mundëson prindërve të kalojnë nëpër këtë periudhë të vështirë pa shfrytëzuar pushimin mjekësor. “Pikëllimi që vjen pas abortit spontan nuk është sëmundje, është humbje” – tha ajo për The Guardian.

Jan Logie shtoi se ky ligj do të thyejë tabutë dhe heshtjen që ende ekziston rreth humbjes së shtatzënisë dhe abortit spontan. Ajo tha  se “kjo heshtje ka shkaktuar kaq shumë dëm. Unë besoj që kjo heshtje pjesërisht ka filluar të thehet nga ky debat dhe nga vëmendja që po merr nga vet parlamenti”. “Për shumë kohë përmes heshtjes dhe stigmatizimit, i kemi detyruar gratë – kryesisht gratë – që të shtiren sikur nuk ka ndodhur asgjë” – shtoi Logie.

Përveç Zelandës së Re edhe vende të tjera kanë bërë progres në këtë aspekt. Në Indi grave u lejohen gjashtë javë pushim nëse abortojnë spontanisht. Disa vende tjera kanë dispozita për pushim me pagesë për gratë që lindin fëmijë të vdekur. Në Ontario, nëse një grua e humb foshnjën 17 javë ose më pak para datës së planifikuar të lindjes, ajo ka të drejtë për 17 javë pushim pa pagesë. Ndërsa në Britaninë e Madhe nëse një fëmijë i vdekur lind pas javës së 24 të shtatzënisë, nëna ka të drejtë për pushim të lehonisë dhe për pagesat shoqëruese.