Raporti i Progresit për Kosovën 2026, i publikuar më 4 nëntor nga Komisioni Evropian, evidenton se zbatimi i politikave për barazi gjinore mbetet i pamjaftueshëm, ndërsa dhuna me bazë gjinore, pabarazia ekonomike dhe mbrojtja e kufizuar e të drejtave të personave queer vazhdojnë të jenë ndër sfidat kryesore të vendit. Raporti thekson se, pavarësisht ekzistimit të kuadrit ligjor dhe institucional, qëndrimet patriarkale dhe stereotipet gjinore vazhdojnë të pengojnë përparimin drejt barazisë, ndërsa gratë nga komunitetet joshumicë, zonat rurale dhe gratë me aftësi të kufizuara përballen me forma të shumëfishta dhe të ndërthurura të diskriminimit.
Ndër gjetjet kryesore të raportit për çështjet gjinore dhe të drejtat LGBTIQ+ përfshihen:
– Kuadri ligjor dhe institucional për barazinë gjinore dhe luftimin e dhunës me bazë gjinore është kryesisht në fuqi, por zbatimi i ligjeve dhe politikave duhet të përmirësohet dhe përafrimi i plotë me direktivat e BE-së ende nuk është arritur.
– Qëndrimet patriarkale dhe stereotipet gjinore vazhdojnë të pengojnë përparimin drejt barazisë gjinore. Gratë nga komunitetet joshumicë, zonat rurale dhe gratë me aftësi të kufizuara përballen me forma të shumëfishta dhe të ndërthurura të diskriminimit.
– Programi i ri për Barazi Gjinore 2026-2036, së bashku me Planin Kombëtar të Veprimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, është finalizuar dhe pritet të miratohet. Kosova ende nuk ka indeks të barazisë gjinore dhe mungojnë të dhënat e ndara sipas gjinisë në disa sektorë.
– Integrimi i perspektivës gjinore në ligje dhe politika publike nuk zbatohet në mënyrë të qëndrueshme. Mungojnë analizat gjinore, politikat e përgjegjshme gjinore dhe treguesit e matshëm të barazisë gjinore.
– Dhuna me bazë gjinore mbetet e përhapur, përfshirë dhunën kibernetike, e cila prek veçanërisht gratë në jetën publike dhe gratë e reja.
– Sistemi i parandalimit dhe mbrojtjes nga dhuna me bazë gjinore mbetet i pamjaftueshëm. Baza e integruar e të dhënave nuk përfshin të gjitha format e dhunës me bazë gjinore, ndërsa të dhënat e raportuara nga nëntë institucione regjistrohen në mënyrë jokonsistente.
– Kapacitetet e Koordinatorit Nacional për Dhunën në Familje, Dhunën ndaj Grave dhe Dhunën me Bazë Gjinore duhet të forcohen. Raporti kërkon gjithashtu krijimin e një skeme shumëvjeçare të financimit për strehimoret.
– Pjesëmarrja e grave në tregun e punës mbetet dukshëm më e ulët se ajo e burrave. Sipas të dhënave për vitin 2025, burrat përbëjnë 67% të personave aktivë në tregun e punës, ndërsa gratë vetëm 32%.
– Ngacmimi seksual dhe diskriminimi me bazë gjinore në vendin e punës janë të shpeshta, por raportohen pak. Inspektorët e punës dhe gjyqtarët kanë nevojë për trajnim për trajtimin më të mirë të diskriminimit me bazë gjinore.
– Pavarësisht masave për regjistrimin e pronës së përbashkët në emër të të dy bashkëshortëve, pronësia e grave në vitin 2025 është rritur vetëm në 20.02%, nga 19.82% në periudhën paraprake.
– Integrimi i perspektivës gjinore në të gjithë ciklin buxhetor, me qëllim që fondet publike të kontribuojnë në rezultatet e barazisë gjinore, mbetet në një fazë të hershme.
– Organizatat për të drejtat e grave përballen me kufizime financiare që kërcënojnë qëndrueshmërinë e tyre, si pasojë e mbështetjes së kufizuar publike dhe ndryshimit të prioriteteve të donatorëve. Pavarësisht këtyre vështirësive, ato vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm në monitorimin e zbatimit të ligjeve dhe politikave, ndërgjegjësimin dhe ofrimin e shërbimeve.
– Mbrojtja ligjore e të drejtave të personave queer mbetet e pamjaftueshme. Strategjia dhe plani i veprimit për të drejtat e personave LGBTIQ+, të cilat presin miratimin që nga viti 2024, ende nuk janë miratuar dhe nuk janë zhvilluar aktivitete zyrtare për ndërgjegjësimin e publikut.
– Kosova ende nuk ka procedurë të qartë administrative për njohjen ligjore të gjinisë. Personat trans përballen me pasiguri ligjore dhe mund të detyrohen t’u drejtohen procedurave të gjata gjyqësore për ndryshimin e shënuesve gjinorë në dokumentet zyrtare.
– Çiftet e të njëjtit seks vazhdojnë të mos kenë njohje dhe mbrojtje ligjore, ndërsa miratimi i Kodit Civil, i cili pritej ta adresonte këtë çështje, nuk ka përparuar.
– Personat LGBTIQ+ vazhdojnë të përballen me diskriminim në hapësirat publike, vendet e punës dhe diskursin publik, përfshirë gjatë fushatave zgjedhore. Dhuna online vazhdon, ndërsa normat patriarkale dhe tradicionale kontribuojnë në diskriminimin dhe refuzimin e tyre brenda familjeve.
– Shërbimet publike për personat LGBTIQ+ mbeten jashtëzakonisht të kufizuara. Organizatat e shoqërisë civile vazhdojnë të jenë ofruesit e vetëm të shërbimeve shëndetësore, psikosociale dhe ligjore për këtë komunitet.
Raporti i Progresit rekomandon që Kosova të forcojë integrimin e perspektivës gjinore në legjislacion, rregullore dhe politika; të miratojë Programin për Barazi Gjinore dhe Planin Kombëtar të Veprimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë; të forcojë rolin dhe burimet e Koordinatorit Nacional; të sigurojë financim shumëvjeçar për strehimoret; si dhe të miratojë Strategjinë për të Drejtat e Personave LGBTIQ+ dhe Strategjinë Kundër Racizmit.
Raportin e plotë e gjeni këtu.