Ndalimi jozyrtar i kontrollit të lindjeve nga talibanët filloi të përhapej në të gjithë Afganistanin në vitin 2023, dhe rrjedhimisht kontraceptivët janë zhdukur, klinikat janë mbyllur dhe ndërlikimet e shtatzënisë po mbeten të patrajtuara.
Ky ndalim nuk u shpall kurrë zyrtarisht, por që në vitin 2023, mjekët dhe mamitë në disa provinca raportuan se furnizimet me medikamente vinin me vonesë, me sasi gjithnjë e më të vogël dhe në fund filluan të mos vinin fare, raporton the Guardian.
Në një provincë në veri të Afganistanit, Jawzjan, një mjeke që ka drejtuar një klinikë prej tre dekadash thotë se zhdukja e medikamenteve ishte e shpejtë. “Pasi erdhën talibanët, kontraceptivët filluan të pakësoheshin. Brenda disa muajsh, u zhdukën fare”, thotë ajo.
“Dikur, më së paku 30 nga 70 gra që vinin në klinikë kishin nevojë për kontroll të lindjeve. Tani na duhet t’iu themi se nuk kemi asgjë”. Në provincën veriore të Badghis, një mjek në një klinikë private thotë se talibanët shkuan dhe urdhëruan stafin të shkatërronte të gjithë kontraceptivët. “Nëse ju shohim që po ua jepni sërish grave, do ta mbyllim klinikën”, thanë ata.
Sipas Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 440 spitale dhe klinika janë mbyllur ose kanë reduktuar shërbimet që nga viti i kaluar, pas ndërprerjes së financimit ndërkombëtar. Për gratë në provincat rurale, mbyllja e disa klinikave do të thotë të ecin për orë të tëra ose të lindin në shtëpi, shpesh të vetme. Në fshatra të izoluar nga malet dhe rrugët me baltë, mamitë thonë se gratë mund të gjakosen me ditë të tëra përpara se të arrijnë në një klinikë.
Kriza riprodhuese është bërë e pandashme nga kriza ekonomike e Afganistanit. Një mjeke në provincën veriore të Jawzjanit vlerëson se 80% e grave shtatzëna dhe atyre që ushqejnë me gji që ajo sheh janë të kequshqyera.
Një mami që punon në një repart materniteti të mbipopulluar në Kandahar, thotë se dhuna po ashtu është një nga shkaqet kryesore të aborteve spontane që ajo sheh. “Çdo 24 orë shohim më shumë se 100 lindje. Rreth 6 aborte spontane ndodhin çdo ditë, shumë prej tyre janë pasojë e rrahjeve, shumë të tjera nga gratë që mbajnë pesha të rënda”.
Para ndalimit jozyrtar të kontraceptivëve, klinikat rurale mbanin seanca të rregullta për planifikimin e lindjeve. Tani të gjitha këto programe janë ndalur. “Nuk ka kuptim të rrisësh ndërgjegjësimin kur nuk ka ilaçe. Talibanët nuk kanë dhënë urdhra me shkrim, por ekziston frika. Nëse na zbulojnë, ata mund të na mbyllin”, thotë një mjek.