Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Në Filipine, çiftet e të njëjtit seks fitojnë të drejtën e bashkëpronësisë

QIKA 12.2.2026

Gjykata Supreme në Filipine, në një vendim historik, ka vendosur se çiftet e të njëjtit seks kanë të drejtë për bashkëpronësi nëse ka evidencë se të dyja palët kanë kontribuar në blerjen e pronës.

Çiftet mes të njëjtit seks janë të ndaluara me ligj në Filipine dhe vendi është i vetmi në botë, përveç Vatikanit, që nuk lejon divorcin. Kjo ka bërë që çiftet LGBT të mbeten pa mbrojtje ligjore në çështje që lidhen me pronën, financat dhe kujdesin shëndetësor, raporton BBC.

Edhe pse Kodi i Familjes e përkufizon martesën si një lidhje mes një burri dhe një gruaje, gjykata tha se neni 148, i cili rregullon “marrëdhëniet pronësore të personave që jetojnë së bashku por nuk mund të martohen ligjërisht”, nuk diskriminon mbi baza gjinore dhe “zbatohet për të gjitha format e bashkëjetesës”.

Neni 148 zbatohet edhe për çiftet e të njëjtit seks, “përndryshe do t’i bënim juridikisht të padukshme disa forma të marrëdhënieve intime”, tha gjyqtari i asociuar Marvic Leonen.

Gjyqtarja e asociuar Amy Lazaro Javier shtoi se neni 148 nuk duhet të kufizohet vetëm te çiftet heteroseksuale, “duke marrë parasysh vlerat mbizotëruese të shoqërisë moderne, si dhe dallimin e dukshëm dhe të pajustifikuar në trajtimin e çifteve heteroseksuale krahasuar me ata homoseksual”.

Në vendimin e saj, gjykata u bëri thirrje gjithashtu qeverisë dhe ligjvënësve që të adresojnë nevojat e çifteve të të njëjtit seks.

“Me pyetjet politike, morale dhe kulturore që e rrethojnë çështjen e të drejtave të çifteve të të njëjtit seks, institucionet politike, veçanërisht Kongresi, duhet të përfshihen për të kërkuar zgjidhje”, thuhet në vendim.