Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Kodi i ri penal i Talibanëve legalizon dhunën dhe nënshtrimin e grave

QIKA 27.2.2026

Talibanët kanë publikuar një kod të ri penal në Afganistan që rikthen disa nga praktikat më të prapambetura dhe pritet të prekë veçanërisht gratë.

I nënshkruar nga lideri suprem i grupit islamist radikal, Hibatullah Akhundzada, kodi penal prej 90 faqesh përfshin dispozita anakronike të bazuara në interpretime të shkrimeve islame, si nivele të ndryshme ndëshkimi në varësi të faktit nëse shkelësi është “i lirë” apo “skllav”, duke krijuar në thelb një sistem kastash në shoqëri dhe imunitet për udhëheqësit fetarë.

Ky kod në thelb i vendos gratë në të njëjtin nivel me “skllavet”, me dispozita që përcaktojnë se si “pronarët e skllevërve” mund të japin ndëshkime sipas gjykimit të tyre, në formën e rrahjeve, ndaj grave ose të nënshtruarve të tyre, raporton the Independent.

Shumë njerëz kanë frikë të flasin kundër këtij kodi nga frika e ndëshkimeve nga Talibanët, pasi  që ata kanë marrë edhe një vendim të veçantë që përcakton se edhe diskutimi i kodit të ri përbën shkelje.

Kodi parashikon që ndëshkimet trupore për krime të rënda nuk do të zbatohen nga shërbimet korrektuese, por nga klerikët islamikë.

Kodi parashikon drejtësi për gratë që sulmohen, por atyre u kërkohet të tregojnë evidencë se kanë pësuar dëmtime të rënda trupore duke i treguar plagët para gjykatësit, ndërkohë që njëkohësisht u kërkohet të mbeten plotësisht të mbuluara. Atyre gjithashtu u kërkohet të shoqërohen në gjykatë nga burri ose kujdestari burrë. Megjithatë, një këshilltare ligjor që punon në Kabul tha se gratë përballen me një proces “jashtëzakonisht të gjatë dhe të vështirë” për të siguruar drejtësi për sulmet sipas ligjit të Talibanëve.

Ky kod përfaqëson një përkeqësim të qartë krahasuar me progresin e arritur nën administratën e mëparshme afgane të mbështetur nga NATO, e cila kishte futur masa të ashpra kundër martesave të detyruara, përdhunimeve dhe formave të tjera të dhunës me bazë gjinore. Dhuna në familje ndaj grave dënohej me nga tre muaj deri një vit.

Sipas kodit të ri, edhe nëse një grua afgane kalon të gjitha pengesat ligjore dhe sociale për të dëshmuar se ka qenë objekt i një sulmi serioz nga bashkëshorti i saj, ai do të marrë një dënim maksimal prej 15 ditësh.

Rawadari, një lëvizje për të drejtat e njeriut që monitoron regjimin islamist të linjës së ashpër në Afganistan dhe që vepron kryesisht në mërgim, tha se një pjesë tjetër e kodit nuk u lejon grave të gjejnë strehim të sigurt as në shtëpitë e prindërve të tyre.

“Neni 34 përcakton se nëse një grua shkon vazhdimisht në shtëpinë e të atit të saj ose te të afërmit e tjerë pa lejen e burrit dhe nuk kthehet në shtëpi pavarësisht kërkesës së burrit, gruaja dhe çdo anëtar i familjes dhe i të afërmve që e ka penguar të shkojë te shtëpia e burrit të saj konsiderohen kriminelë dhe do të dënohen me tre muaj burgim”, tha organizata në një deklaratë.

“Kjo dispozitë, veçanërisht në rastet e grave që kërkojnë strehim, i ekspozon ato ndaj dhunës së vazhdueshme në familje dhe ua heq mbrojtjen nga familja dhe komuniteti, edhe pse kjo është e vetmja mbrojtje që u mbetet atyre”, shton Rawadari.