Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Performanca “Sërish s’vjen Marsi” denoncon pabarazitë gjinore

QIKA 16.3.2026

Më 8 mars, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë artistja feministe Ms. Indefinite realizoi performancën artistike “Sërish s’vjen Marsi”, përmes së cilës kritikon reduktimin e thelbit politik të kësaj date dhe rikujton përvojat e dhunës, diskriminimit dhe pabarazisë me bazë gjinore.

Në qendër të performancës ishte një instalacion simbolik i përbërë nga tetë kube akulli, brenda të cilave ndodhej nga një trëndafil. “Performanca krijon një konfigurim simbolik të tetë kubeve të akullit, brenda të cilave ndodhet nga një trëndafil, të cilat përdoren si metaforë e arkitekturës së ftohtë të patriarkalitetit, një rend pushteti që “ngrin” dhunën strukturore dhe diskriminimin gjinor në forma të normalizuara shoqërore, duke tentuar të ngurtësojë dhe ta bëj të padukshme përvojën e përditshme të shtypjes që gratë përjetojnë gjatë gjithë vitit.”, shkruan Ms. Indefinite.

Artistja e veshur me një kostum transparent që simbolizonte ekspozimin dhe vulnerabilitetin, artikuloi artistikisht politikën e dukshmërisë së dhunës ndaj grave teksa thyente kubet e akullit me takën e këpucës. “Çdo goditje mbi akull krijonte një çarje simbolike në strukturat e ngrira të pushtetit që natyralizojnë pabarazitë gjinore.”

Ndërsa kubet thyheshin, trëndafilat e ngrirë brenda tyre nxirreshin dhe grumbulloheshin në hapësirë, duke krijuar një arkiv vizual të dhimbjes kolektive dhe të përvojave të fragmentuara të grave brenda një sistemi strukturor patriarkal, shpjegon Ms.Indefinite.

Në mes të akujve të thyer, artistja interpretoi një fragment poetik të adaptuar në mënyrë heretike, duke artikuluar dhunën dhe shtypjen që gratë përjetojnë gjatë 364 ditëve të tjera të vitit.

Përmes këtij akti performativ, publiku u ftua të reflektojë mbi realitetet që qëndrojnë pas ritualeve simbolike të kësaj dite dhe mbi nevojën për rezistencë dhe veprim kolektiv. Siç thekson artistja, kur barazia mbetet e ngrirë në akullin e patriarkalitetit, trëndafilat nuk janë as mirënjohje, as vlerësim dhe as nderim.