Tre javë pas vrasjes së aktivistes feministe Yanar Mohammed në Bagdad, rasti mbetet ende i pa zgjidhur dhe nuk dihen kryesit e veprës, ndërsa organizata dhe institucione të ndryshme kanë kërkuar hetim të plotë dhe transparent.
Aktivistja e njohur për të drejtat e grave në Irak, Yanar Mohammed, është vrarë më 2 mars 2026 në Bagdad, pasi u qëllua me armë zjarri pranë shtëpisë së saj nga persona të paidentifikuar që lëviznin me motoçikletë. Ajo u dërgua në spital, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve, vrasja e saj ka nxitur reagime të shumta ndërkombëtare dhe thirrje për drejtësi, raporton The New York Times.
Mohammed ishte bashkëthemeluese e Organizatës për Lirinë e Grave në Irak, e krijuar në vitin 2003, dhe një nga figurat më të rëndësishme të lëvizjes feministe në vend. Ajo kishte ndërtuar rrjetin e parë të strehimoreve për gra në Irak, duke ofruar mbrojtje për qindra gra që përballeshin me dhunë në familje, trafikim dhe të ashtuquajturat “vrasje të nderit”.
Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, vrasja e Mohammed vjen në një kontekst më të gjerë të sulmeve ndaj aktivistëve dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut në Irak, ku një klimë e pandëshkueshmërisë ka lejuar përsëritjen e këtyre krimeve.