Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gjykata Supreme liron të dënuarin për lëndim të rëndë me pasojë vdekjen e bashkëshortes së tij

QIKA 30.3.2026

Ilir Haxhiaj, i dënuar nga Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit me 15 vjet burgim për lëndimin e 54-vjeçares Hatije Dina që kishin pasojë vdekjen e saj, është liruar nga akuzat nga Gjykata Supreme.

Prokuroria Themelore në Prizren ka pretenduar se më 31 maj 2019, 400 metra nga rruga kryesore Suharekë-Rahovec, Haxhijaj e ka ndalur veturën dhe e ka nxjerrë Hatije Dinën nga vetura, e ka sulmuar fizikisht në pjesë të ndryshme duke ja përplasur kokën për asfalti, çka sipas aktakuzës e ka shkaktuar vdekjen asaj.

Derisa gjykatat e shkallëve më të ulëta e dënuan Haxhiajn për këto akuza, Gjykata Supreme ka konstatuar se nuk janë arsyetuar mjaftueshëm aktgjykimet për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” me pasojë vdekjen.

“Gjykata Supreme arrin në përfundim se gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë kanë bërë interpretim selektiv, fragmentar dhe të izoluar të provave, pa i shqyrtuar ato në ndërlidhshmëri me njëra-tjetrën dhe as në tërësinë e tyre, për të nxjerrë përfundime të sakta, të qarta e të qëndrueshme mbi plotësimin e standardit “përtej dyshimit të arsyeshëm” për fajësinë e të pandehurit”, u tha në aktgjykimin e Supremes.

Në këtë rast, superekspertiza e komunikacionit hodhi poshtë ekspertizën e parë – që e bënte përgjegjës Haxhiajn për lëndim të rëndë trupor.

Në vendimin e saj Gjykata Supreme është thirrur në përgjigjen e dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Naser Lajçi, i cili ka thënë se as eksperti, Ejup Qehaja, e as profesorët e tjerë të fakultetit nuk e kanë njohuri të bëjnë ekspertizë që tregon se a ishte vetura në lëvizje dhe se a e hodhi një forcë e jashtme apo jo, 54-vjeçaren nga vetura.

“Në mes tjerash, ka theksuar se përgjegjësi i ekspertizave të veçanta, edhe pas prezencës në vendin e ngjarjes – rekonstruktimit, është i mendimit se nuk ka elemente për ta trajtuar lëndën Pkr.nr.88/23 si aksident trafiku. Përkatësisht, nuk mund të japin mendim nëse pasagjerja-viktima Hatije Dina ka kërcyer vetë nga vetura apo jo, dhe nëse vetura në atë moment ka qenë në lëvizje apo e ndaluar, duke shtuar se qëndron pas përgjigjes së dhënë më datë 27.03.2024”, u tha nga Supremja.

Meqë dekani i FIM-it konstatoi se nuk dinë të bëjnë ekspertiza të këtilla, trupi gjykues i kryesuar nga Mejreme Memaj konstatoi se duhet të vlejë parimi juridik që mëdyshjet faktike të interpretohen në favor të të akuzuarit.

Dy shkallë gjyqësore e dënuan me 15 vjet Haxhijan e rasti u kthye në rigjykim nga Supremja. Në aktgjykim e Supremes është thënë po ashtu se nuk ka pasur asnjë dëshmitar okular të ngjarjes.

Koha.Net e ka pyetur Prokuroinë Themelore në Prizren se a ndihet përgjegjëse për këtë rast dhe se a do të bëjë hetim nga fillimi meqë i akuzuari është liruar nga shkalla e tretë, por kjo prokurori e ka hedhur përgjegjësinë te dy gjykatat e shkallës më të ulët që e dënuan Haxhiajn.

“Prokuroria Themelore në Prizren, bazuar në hetimet e kryera dhe provat e mbledhura gjatë procedurës, ka krijuar dyshimin e bazuar mirë dhe ka ngritur aktakuzë. Ky rast ka kaluar për shqyrtim në dy shkallë gjykatash, ku gjykata e shkallës së parë dhe e shkallës së dytë kanë dhënë vendimet përkatëse. Ne, si prokurori, nuk mund të komentojmë vendimet e Gjykatës Supreme, pasi ato janë të pranuara dhe të ekzekutueshme sipas ligjit. Çdo vendim i Gjykatës Supreme është përfundimtar dhe i detyrueshëm për t’u zbatuar, dhe secili është i obliguar t’i respektojë ato. Në përputhje me këtë, prokuroria do të vazhdojë të respektojë procedurat dhe vendimet e institucioneve përkatëse të drejtësisë”, tha nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.

Haxhijaj kishte histori me disa raste të dhunës në familje ndaj së ndjerës, raporton Koha.