Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Igballe Rogova dekorohet me Medaljen Presidenciale për kontributin në të drejtat e grave

QIKA 31.3.2026

Drejtorja ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova, u dekorua me Medaljen Presidenciale të Meritave nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, për “angazhimin e jashtëzakonshëm, guximin dhe përkushtimin e palodhur në avancimin e të drejtave të grave dhe të drejtave të njeriut.”

Rogova bashkëthemeloi organizatën e parë të grave në Kosovë, “Motrat Qiriazi”, të cilën më vonë e drejtoi, duke kontribuar në arsimimin dhe fuqizimin e grave dhe vajzave në të gjithë vendin. Përmes kësaj organizate, mbi 6,000 gra patën mundësi për arsim në një kohë kur mësimi në gjuhën shqipe ishte i ndaluar. Ajo mbështeti gjithashtu iniciativa lokale, duke ndikuar në zhvillimin e komuniteteve edhe në kushte varfërie dhe mungese investimesh.

Gjatë kohës si refugjate, Rogova punoi në kampet në Maqedoninë e Veriut, duke ndihmuar dhe mbrojtur gratë dhe vajzat përmes qasjeve që përfshinin edukimin shëndetësor, terapinë dhe forma të tjera mbështetjeje.

Për të mbështetur aktivistet që vepronin në kushte të vështira, ajo themeloi Rrjetin e Grave Rurale, i cili më vonë shërbeu si bazë për krijimin e RrGK-së. Sot, ky rrjet përfshin mbi 100 organizata të shoqërisë civile që promovojnë dhe mbrojnë të drejtat e grave në Kosovë, pa dallim bindjesh politike, feje, moshe, niveli arsimor, orientimi seksual apo aftësive.