Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

CEL Kosova ankohet në KPM ndaj Klan Kosovës për diskutimin mbi “shërimin e homoseksualitetit”

QIKA 22.10.2026

Organizata CEL Kosova ka dorëzuar të martën me 20 tetor ankesë në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) ndaj Klan Kosovës, pas transmetimit të një diskutimi mbi mundësinë e të ashtuquajturit “shërim të homoseksualitetit” përmes ndërhyrjeve psikiatrike apo fetare, më 19 tetor 2026 në emisionin Kosova Today.

Sipas CEL Kosova, përmbajtja e transmetuar u jep hapësirë pretendimeve të pabazuara shkencërisht, të cilat mund të kontribuojnë në stigmatizimin e personave LGBTIQ+ dhe në përforcimin e paragjykimeve e diskriminimit ndaj tyre, raporton Dylberizm.

Homoseksualiteti nuk është sëmundje dhe nuk kërkon shërim. Paraqitja e tij si çrregullim mund të ndikojë negativisht në mënyrën se si trajtohen personat LGBTIQ+, duke përforcuar stigmën dhe refuzimin familjar.

Përmes ankesës, CEL Kosova i ka kërkuar KPM-së largimin e materialit nga të gjitha platformat e Klan Kosovës, kërkimfalje publike ndaj personave dhe komuniteteve LGBTIQ+, si dhe shqiptimin e sanksioneve përkatëse sipas nenit 30 të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Organizata e mbështet ankesën në dispozita të Kushtetutës së Kosovës, Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Kodit të Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale.

CEL Kosova thekson se mediat kanë përgjegjësi të informojnë saktë dhe me kujdes, pa i paraqitur pretendimet e pabazuara si fakte. Sipas organizatës, përmbajtjet mediale që trajtojnë personat LGBTIQ+ duhet të respektojnë dinjitetin njerëzor dhe të mos kontribuojnë në normalizimin e homofobisë.

Lidhur me këtë emision, organizatat CEL, QIKA, CSGD, Instituti Sekhmet,, QKSGJ, YIHR dhe Dylberizm kanë publikuar një reagim publik të përbashkët, përmes së cilit kanë dënuar gjuhën e përdorur dhe kanë kërkuar heqjen e emisionit nga transmetimi.