Në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, sot me 14 prill, u rikthye në qendër të vëmendjes një nga plagët më të rënda të luftës që është mungesa e drejtësisë së plotë për mijëra të mbijetuar/a.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) organizoi një konferencë rajonale me temë “Avancimi i qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës: Përgjegjësia penale dhe e drejta për kompensim”, duke mbledhur përfaqësues institucionalë, aktivistë dhe të mbijetuar/a për të diskutuar mbi sfidat që vazhdojnë edhe pas më shumë se dy dekadash nga përfundimi i luftës.
Në këtë konferencë, zëri i të mbijetuarve u vendos në qendër. Vasfije Krasniqi Goodman rikujtoi se 14 prilli nuk është thjesht një datë kalendarike, por një moment që i ka ndryshuar jetën përgjithmonë.
Ajo foli për përvojën e saj me padrejtësinë, si nga institucionet ndërkombëtare ashtu edhe nga ato vendore, duke theksuar se kërkimi për drejtësi ka qenë një rrugë e gjatë dhe e lodhshme. Sipas saj, ndryshimi ka filluar vetëm pasi ajo vendosi të flasë publikisht në vitin 2018, duke thyer heshtjen që për vite me radhë kishte mbuluar këto krime.
“Shpirti im do të ketë paqe vetëm atëherë kur drejtësia do të shkojë në vend, jo vetëm për rastin tim, por për mijëra viktima të tjera,” u shpreh ajo, duke bërë thirrje që më shumë të mbijetuar të dalin publikisht dhe të kërkojnë drejtësi.
Megjithatë, pavarësisht disa zhvillimeve të fundit, përfshirë dënimet në disa raste, drejtësia mbetet larg për shumicën. Sipas Feride Rushiti, edhe pas 27 vjetësh, shumë raste të dhunës seksuale gjatë luftës vazhdojnë të mbeten të pandëshkuara.
Ajo theksoi se drejtësia nuk mund të reduktohet vetëm në ndjekje penale të kryerësve, por duhet të përfshijë edhe njohjen institucionale të krimeve, rikthimin e dinjitetit dhe kompensimin e dëmeve për të mbijetuarit.
“Nuk mund të ketë drejtësi të plotë pa kompensim. Trauma nuk ka afat, dhe as përgjegjësia institucionale nuk mund të kufizohet me kohë,” u shpreh Rushiti, duke nënvizuar se kërkesa për drejtësi është një proces kolektiv që lidhet drejtpërdrejt me zërin dhe përvojat e të mbijetuarve.
Konferenca synon të nxisë një qasje më të avancuar dhe më gjithëpërfshirëse ndaj drejtësisë, në një kontekst ku rreth 20 mijë persona besohet se kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë. Përtej shifrave, diskutimi rikujton se bëhet fjalë për jetë të prekura, për trauma të vazhdueshme dhe për një shoqëri që ende përballet me sfidën për të njohur plotësisht këtë realitet.