Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar ndaj mungesës së mediave në ndeshjen e fundit të Kombëtares në konkurrencën e vajzave, duke e cilësuar këtë fenomen si shqetësues dhe të papranueshëm për zhvillimin e sportit në vend.
Në ndeshjen Kosovë- Bullgari në konkurrencën e vajzave, sipas FFK-së, tribuna e mediave ishte plotësisht bosh, pa asnjë gazetar sportiv të pranishëm për ta ndjekur nga afër ekipin kombëtar, teksa theksuan se kur luajnë burrat kërkesat për akreditim nga gazetarët e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut tejkalojnë kapacitet e Federatës.
“Kur luajnë Dardanët, zona e mediave mbushet përtej kapaciteteve, ndërsa për vajzat tona mbretëron heshtja”, thuhet në reagimin e FFK-së, duke theksuar kontrastin e madh në mbulimin mediatik mes ekipeve të burrave dhe atyre të grave.
Sipas reagimit, problemi lidhet me një mendësi të rrënjosur që ende nuk e vlerëson në mënyrë të barabartë sportin e vajzave.
Në fund, FFK bën thirrje për reflektim të përgjithshëm, duke theksuar se përfaqësimi i Kosovës nuk duhet të trajtohet me standarde të dyfishta.
“Heroinat tona dardane nuk kërkojnë favore, por vetëm vëmendjen që e meritojnë”, thuhet në reagimin e publikuar në faqen zyrtare të FFK-së në rrjetin social Instagram.