Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Hollësisht

Heqja dorë nga trashëgimia s’është zgjedhje e lirë

QIKA 22.4.2026

Vendimi i grave në Kosovë për të hequr dorë nga trashëgimia është produkt i presionit familjar, normave shoqërore, mungesës së informimit dhe mangësive institucionale që kufizojnë lirinë e ushtrimit të kësaj të drejte. Ani pse legjislacioni garanton barazi në trashëgimi, kërkesa apo vendimi për të marrë hisen bart kosto të lartë për gratë. Andaj, ato shpesh, të gjendura përballë një zgjedhjeje të kushtëzuar mes së drejtës ligjore dhe përkatësisë familjare, bëjnë kompromis me të drejtën në pronë në këmbim të ruajtjes së raporteve familjare.

“Në momentin që e kërkon hisen tënde, je duke sjellë telashe brenda familjes”, thotë Fatlinda*, teksa flet për realitetin e ndarjes së trashëgimisë në Kosovë. Jo mungesën e të drejtës ligjore, por mungesën e lirisë së plotë për ta ushtruar atë. Ajo na tregon për sfidat që ka kaluar kur ka vendosur ta kërkojë trashëgiminë, veçanërisht për kundërshtimet nga familja e ngushtë dhe e gjerë.

“Sidomos hallat kanë refuzuar. Por edhe familja e nënës ka refuzuar me këmbëngulje, sepse janë frikësuar mos po kërkon edhe nëna hisen e vet te ata”, shprehet ajo. Kjo përvojë i ka treguar Fatlindës se familjen e ka përparimtare dhe mendje hapur, deri kur bëhet fjalë për trashëgiminë e pasurisë.

“Familjarët më kanë thënë se çikat që marrin hise, nuk e kanë më vendin te baba”, tregon ajo.

Këtë përvojë nuk e ka vetëm Fatlinda nga Rahoveci, por edhe shumë gra të tjera, të cilat kanë shprehur dëshirën ose kanë ngritur zërin për të trashëguar pasurinë familjare. Përvojat e grave lidhur me trashëgiminë dëshmojnë se ky proces nuk përjetohet si zgjedhje e lirë dhe e pavarur, por si realitet i ngarkuar me presion social, emocional e familjar, ku shumë prej tyre përballen me një rend familjar e shoqëror që ua bën të qartë në vazhdimësi se kjo e drejtë nuk u takon.

Pra, pronësia është pushtet dhe kushdo që e posedon përcakton se kush merr vendime, kush negocion dhe nga çfarë pozitash, si dhe kush dhe çka mund të zgjedhë. Në shoqërinë tonë, prona kurrë nuk është trajtuar vetëm si çështje ekonomike, por më shumë si çështje nderi, pushteti dhe statusi shoqëror. Konfliktet për pronën ndërmjet burrave shpesh kanë eskaluar deri në dhunë fizike, konflikte të gjata familjare, e në raste të caktuara edhe në vrasje. Në këtë kontekst, prona është parë dhe shihet si element qenësor i identitetit dhe autoritetit burrëror brenda familjes dhe shoqërisëpatriarkale. Ndërkohë, për gratë, përjashtimi nga prona ka qenë dhe mbetet diçka e nënkuptueshme, bile edhe e natyrshme.

Në kuadër të këtij hulumtimi QIKA ka intervistuar e takuar shumë gra nga vende dhe grupmosha të ndryshme, duke marrë mendimet dhe përvojat e tyre për këtë çështje. Gjithashtu, janë realizuar edhe dy fokus grupe me gjithsej 25 pjesëmarrëse gra nga komuna e Podujevës, duke siguruar përfaqësim gjeografik dhe strukturë gjithëpërfshirëse shoqërore nga një grupmoshë 18 deri në 68 vjeç. QIKA ka realizuar një anketë online, në të cilën kanë marrë pjesë 111 gra, të cilat kanë ndarë pikëpamjet e tyre, veçanërisht për përvojat në ndarjen e trashëgimisë së pasurisë familjare.

Nga bisedat dhe komentet e shumë grave si dhe nga gjetjet e fokusgrupeve, rezulton se heqja dorë nga prona rrallëherë është veprim formal juridik, më shpesh, ajo vjen në fund të një procesi të gjatë bindjeje, përshtatje, frike e vetëpërmbajtjeje. Vajzat rriten me idenë se djali është ai që “duhet me pas”, ndërsa vajza është e përkohshme në familje, sepse një ditë “do të shkojë te burri”.

“Kur je djalë, pritet që të kesh shtëpi ku ta sjellësh gruan, ndërsa si vajzë konsiderohesh dikush që nuk e ka të nevojshme shtëpinë, sepse e ardhmja jote paramendohet diku tjetër”, thotë Fatlinda.

Ndërkaq, Mirlinda* përshkruan përvojën e saj të keqe lidhur me trashëgiminë. Anipse ka kontribuar financiarisht në familje për një periudhë të gjatë, thotë se nuk ka trashëguar asgjë. Ajo thotë se ka investuar në rregullimin e banesës, ka blerë produkte ushqimore në vazhdimësi dhe ka mbuluar shpenzimet komunale çdo muaj. Rrjedhimisht ka pritur se aty do ta ketë hisen e saj.

“Djemtë e familjes asnjëherë nuk kanë kontribu, asnjë cent hiç dhe kanë marrë trashëgiminë. Kam kërkuar e kam ngritur zërin, por kot. S’jam djalë, ky është faji im”, u shpreh ajo.

Profesorja e departamentit të sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Linda Gusia, thotë se  bindja që prona u takon burrave prodhohet nga edukimi familjar dhe shoqëror qysh nga fëmijëria. Sipas saj, kjo bindje ua mëson vajzave kufijtë imagjinarë të asaj se çka mund të kërkojnë dhe çka jo. Gusia thotë se struktura aktuale e familjes në Kosovë vazhdon të jetë patriarkale dhe jashtëzakonisht shumë patrilineare, ndërsa obsesionimi me djem, me trashëgimtarë dhe me trashëgiminë e mbiemrit të familjes vazhdon të prodhojë idenë se prona i përket linjës së burrave.

“Mendësia se çika është dera e huaj – mbetet e rrënjosur thellë në mënyrën se si shoqëria e kupton familjen, përkatësinë dhe trashëgiminë”, thotë profesorja Gusia.

“Lëçitja” si mekanizëm disiplinues 

Edhe në rastet kur gratë vendosin të kërkojnë të drejtën e tyre, pasojat janë të rënda në aspektin familjar dhe emocional. Mina* rrëfen se pasi ka nisur procedurën gjyqësore për trashëgimi, familja e saj e ka “lëçitur”.

“Prej atëherë nuk flasin me mua dhe as me fëmijët e mi askush nga ata”, thotë ajo, teksa tregon se babai i saj sa ishte gjallë ia ka dhënë gjithë pasurinë vetëm djalit, duke përjashtuar nga trashëgimia atë dhe motrën e saj.

Por, sipas ligjeve në Kosovë, gratë kanë të drejtë të barabartë në trashëgimi, edhe pse shpesh kjo drejtësi sfidohet në praktikë për shkak të presionit familjar.

Këto raste tregojnë se ushtrimi i së drejtës ligjore shoqërohet me sanksione shoqërore e familjare, duke e kthyer vendimin për të kërkuar pronën në një akt me kosto të lartë personale.

“Nëse merr hise, çka po jetë aty? Qysh don me ja trokit vëllait derën?!”, thotë Mihanja*.

Në këtë kontekst, është shpërfaqur fenomeni i “lëçitjes” si mekanizëm disiplinues ndaj grave që kërkojnë hisen e tyre që u takon ligjërisht.

“Lëçitja” nuk nënkupton domosdoshmërisht refuzimin formal të dhënies së pronës, përkundrazi, në disa raste familja mund t’ua japë hisen grave, por si pasojë i ndërpret marrëdhëniet familjare me to. Gratë që kërkojnë pronën përjashtohen nga jeta familjare, humbin të drejtën për të vizituar familjen e origjinës dhe përjetojnë shkëputje të plotë emocionale dhe sociale me ta.

“Afërsia me vëllain, vlen vetëm deri në momentin kur vjen çështja e ndarjes së hises. Prej atij momenti, raporti ndryshon”, thotë Fatlinda.

Profesorja Linda Gusia kërcënimin e heshtur për ndryshim të raporteve e konsideron si një formë disiplinimi brenda familjes, ku vajzës i bëhet e qartë se kërkimi apo pranimi i pronës mund të sjellë telashe dhe prishje të marrëdhënieve familjare.

Në këtë mënyrë, diskutimi për trashëgiminë nuk zhvillohet në një terren të lirë e as të barabartë, por nën trysninë e vazhdueshme të humbjes së përkatësisë familjare. Ndërkaq, kur këto raste shpërndahen në komunitet, krijojnë shembuj negativ për gratë se ja çka mund të ndodh nëse kërkojnë pasurinë që ju takon.

Drita* nga Podujeva thekson se në rrethin e saj familjar janë tri raste që më nuk takohen e as nuk flasin vëllezërit me motra “sepse ato veç e kanë përmend që po dojnë me marrë trashëgiminë e babës”. Kjo e shndërron trashëgiminë në një mekanizëm përjashtimi dhe kontrolli social. 

“Nuk du hise, por vetëm du me pasë një vend ku me shku”, thotë me zë të lartë Shukrija* gjatë diskutimit të këtyre rasteve në fokus grup.

Gjatë këtij diskutimi vërehej që shumica e grave e kishin tejet të rëndësishme mbajtjen e raportit familjar, dhe shpreheshin të gatshme të mos kërkojnë pasurinë që ju takon në “shkëmbim” të ruajtjes së atij raporti.

“Jam pajtuar me faktin se asgjë s’më takon nga vendi ku jam rritur, janë të gjitha të vëllait dhe që duhet të jemi të kënaqura që të kemi një dhomë ku mund të flemë dhe të ndihemi të mirëseardhura në të ardhmen për vizitë”, thotë Arta*, teksa përshkruan frikën nga “lëçitja”.

Në të njëjtin mendim është edhe Sala*. “Kurrë nuk e vlerësoj pasurinë e as pronën para njerëzve të mi. Unë e di që nëse tentoj me marr pasurinë ka me pas reagim”, thotë ajo.

Ndërsa Sabrija* rrëfen para grave tjera një rast nga fshati i saj, i cili tregon se edhe kur pasuria është me bollëk, gratë nuk llogaritën si hisedare.

“Si familje i kanë pasur 8 lokale dhe 27 banesa në lagjen Arbëria në Prishtinë. Kur kanë lyp hise katër motrat, vëllezërit ua kanë dhënë secilës nga një banesë, por u kanë thënë me neve më nuk keni punë. Sot e atë ditë nuk flasin. I kanë lëçit”, tregon ajo.

Për këto përvoja na tregon edhe avokatja Vjosa Shkodra, e cila ka qenë e angazhuar në shumë raste të kontesteve pronësore të kësaj natyre. Ajo thotë se me heqjen dorë nga pasuria, gratë e “fitojnë” të drejtën që ndonjëherë të shkojnë te vëllezërit, përkatësisht familja e tyre për vizitë.

“Pra, vëllai vendos a me ‘lëçit’ motrën dhe kjo varët në bazë të vendimit të saj se a heq dorë nga pasuria”, thotë avokatja Shkodra.

Paqja familjare përballë një trashëgimie të konsideruar si pronë e burrave

Një nga narrativat më të forta që e legjitimon këtë praktikë është ideja se prona është “mall i familjes” dhe nuk duhet të “dalë jashtë” përmes vajzave. Në diskursin publik, kjo shprehet hapur. Shumica e grave pjesëmarrëse në fokus grupe dhe në anketën online nuk e shohin pasurinë e familjes ku janë rritur si pjesë që u takon, por atë e lidhin me një trashëgimi ndër breza e që në thelb dhe në qendër i kavetëm burrat.

Kjo lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si gratë perceptohen brenda familjes. Ato nuk konsiderohen si pjesë integrale dhe e përhershme e saj, por si të përkohshme, si “dera e huaj” . Në këtë mënyrë, kërkimi i një të drejte elementare paraqitet si devijim moral dhe si rrezik për unitetin familjar.

 “Vajzat, sidomos nëse janë të martuara, nuk duhet ta marrin te baba trashëgiminë”, thotëQefserja*.

“Çka ju duhet fëmijëve të mi pasuria e dajëve?! Qysh mundesh me mendu, e lërë marr me çu te burri. Nuk do ta sillja te burri pasurinë e gjyshit e stërgjyshit”, thotë Mirvetja*.

Frika nga konfliktet përbën një nga faktorët kryesorë që i shtyn gratë të heqin dorë nga trashëgimia. Ato nuk heqin dorë sepse nuk duan të trashëgojnë pasuri, por sepse kanë frikë nga pasojat e kërkimit të saj. 

Kjo frikë është e shumëfishtë: frikë nga prishja e marrëdhënieve me vëllezërit, frikë nga tensionet me bashkëshortin dhe familjen e tij, si dhe frikë nga gjykimi shoqëror.

Dina*, e cila sapo ka përfunduar shkollën e mesme, rrëfen se, ndonëse dëshiron të marrë pjesën që i takon nga trashëgimia, realiteti familjar e vendos përballë një dileme të vështirë. Edhe pse shpreh qartë se do të donte ta merrte pronën, ajo pranon se nëse kjo do të nënkuptonte prishje me vëllain, “ja fali pronën, heq dorë e kurrë nuk prishna”, thotë ajo, duke treguar se për të ruajtja e familjes mbetet më e rëndësishme se ushtrimi i të drejtës së saj.

Avokatja Vjosa Shkodra na tregon këtë ndjeshmëri nga përvoja e saj. Ajo thotë se ka pasur shumë raste kur gratë që kanë nisur kontestet gjyqësore kanë qenë vazhdimisht në gjendje të rëndë emocionale për shkak të brengës së raporteve familjare.

“Ato nuk duan me prishë familjen, por gjithashtu duan të luftojnë për të drejtën e vet. A e din çfarë lufte e madhe është kjo? Djersët e lotët ju shkojnë prej sikletit”, thotë Shkodra.

Një dukuri tjetër që është vërejtur gjatë këtij hulumtimi ka të bëjë me rastet kur në familje nuk ka burra, pas vdekjes së babait të vajzave, atë pasuri e marrin axhallarët ose djemtë e tyre. 

Drita*, të cilës i ka vdekur vëllai i vetëm, bashkë me shtatë motrat e saj thotë se kanë vendosur të heqin dorë nga prona, duke ia bartur djalit të vëllait. Ajo thotë se nga disa hektarë tokë që i posedojnë, ka kërkuar vetëm dy ari për ta ndërtuar një shtëpizë të vogël “ku mund të mblidhet  me motrat e saj.

“Toka kalon në emër të djalit të vëllait, por ne do t’i marrim për shfrytëzim ato dy ari”, thotë ajo, teksa tregon se edhe këtë vendim e ka marrë vetëm pas konsultimit me hoxhën e fshatit.

 Manipulimi përmes dokumenteve

Gratë shpesh nuk janë fare pjesë e diskutimeve apo procesit të ndarjes së trashëgimisë, ndërkaq në anën tjetër nuk janë edhe aq të informuara për ligjet dhe aspektet tjera procedurale e administrative.

“Na e kemi nda pasurinë, i kemi vendosë gurët e mexhave, kurrë kurrkush si ka pyet as hallat as çikat e mixhës as bijat”, thotë Lulja*, ndërkaq, për më keq, në disa raste ky përjashtim shkon edhe më tej, ku vëllezërit, përmes manipulimeve gjatë nxjerrjes së dokumenteve si aktvdekja, kanë fshehur qëllimisht trashëgimtaret gra për t’i përjashtuar nga e drejta e tyre.

Kjo praktikë nuk mbetet vetëm në nivel familjar, por në disa raste lidhet edhe me procedura formale, ku janë raportuar edhe raste të padive gjyqësore ku të përfshirë janë noterë që akuzohen për fshehje të trashëgimtarëve, në bashkëpunim me një nga trashëgimtarët, duke mundësuar përjashtimin e trashëgimtarëve të tjerë nga procesi. 

Këtë e pohon edhe Avokati i Popullit, Naim Çelaj. Ai thotë se shpeshherë gratë nuk janë përfshirë fare në proces ose nuk janë deklaruar si trashëgimtare.

Edhe Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore e identifikon problemin që në pikënisje të procedurës, duke theksuar se Akti i Vdekjes mbetet problem i madh që krijon mundësi për manipulime.

“Agjencia e Regjistrimit Civil ka mundësi ta përmirësoj komunikimin midis databazave, të certifikatës së lindjes dhe vdekjes në mënyrë që kur vdes një person, me automatizëm me pas një listë se kush janë trashëgimtarët. Kështu nuk lejohet që vajzat të mbesin jashtë Aktit të Vdekjes”, thotë Gusia.

Po ashtu edhe Oda e Noterëve të Kosovës e sheh të domosdoshme një sistem të tillë. Nga ky institucion kanë thënë se një sistem i tillë do të reduktonte varësinë nga deklarimet individuale pranë ofiqarit civil gjatë lëshimit të dëshmisë së vdekjes, duke rritur transparencën dhe mbrojtjen e të drejtave të grave.

Lidhur me këtë çështje, Agjencia e Regjistrimit Civil fillimisht kishte pranuar të marrë pjesë në hulumtim, por pas pranimit të pyetjeve që lidhen drejtpërdrejt me procedurat e aktvdekjes, është tërhequr. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme, deri në publikimin e këtij hulumtimi, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara.

Në anën tjetër, institucionet nuk posedojnë të dhëna të detajuara mbi këtë fenomen. Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), në një përgjigje me shkrim, ka konfirmuar se nuk ka të dhëna të ndara sipas gjinisë për numrin e grave që përmes procedurave gjyqësore kanë kërkuar ose janë duke kërkuar verifikimin e pronësisë. Megjithatë, Gjykata Themelore në Mitrovicë ka konstatuar se aktualisht janë dy lëndë të kësaj natyre ku gratë janë fshirë nga procedura e trashëgimisë, ndërsa nga Gjykata Themelore në Pejë kanë thënë se ka raste të ngjashme që trajtohen si lëndë civile pronësore dhe se është e pamundur të nxirret një numër i saktë i tyre, pasi shumë raste të tilla regjistrohen në kategori të përgjithshme si lëndë për vërtetim pronësie.

Sa gra trashëgojnë pronë në Kosovë?          

Në Kosovë, shteti – përkatësisht të gjitha agjencitë shtetërore të përfshira në proceset e trashëgimisë, si në procedurën kontestimore ashtu edhe në atë jokontestimore – nuk mbledhin të dhëna të ndara sipas gjinisë për atë se sa gra trashëgojnë apo heqin dorë nga prona. As Oda e Noterëve nuk disponon të dhëna për numrin e grave që heqin dorë nga trashëgimia te noteri. 

“Të dhënat nuk raportohen në këtë nivel detaji nga zyrat noteriale, ndërsa raportimet zakonisht përfshijnë vetëm numrin e akteve noteriale dhe tregues të përgjithshëm të veprimtarisë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Agjencia Kadastrale e Kosovës posedon të dhëna mbi ndarjen gjinore të titullarëve të pronave, si dhe të dhëna vjetore për lëndët që trajtohen si kalim i posedimit ose pronësisë përmes trashëgimisë.

Megjithatë, mungojnë të dhënat zyrtare të përgjithshme dhe statistikat në nivel vendi që do të mundësonin pasqyrimin dhe analizën e saktë të gjendjes në terren lidhur me atë se sa gra trashëgojnë pronë në Kosovë.

“Sot, nëse dëshiron ta shohësh gjendjen reale se sa gra trashëgojnë ose sa prej tyre u mohohet e drejta në trashëgimi, mundesh vetëm të hamendësosh”, thotë Avokati i Popullit, Naim Çelaj.Në mungesë të të dhënave zyrtare mbi numrin e grave që trashëgojnë pronë në Kosovë, QIKA ka siguruar dhe analizuar të dhënat e Agjencisë Kadastrale të Kosovës për pesë vitet e fundit, duke shqyrtuar ndarjen gjinore të posedimit të pronave në Kosovë, si dhe natyrën e lëndëve përmes të cilave është realizuar e drejta në pronë. Këto të dhëna dëshmojnë se prona vazhdon të qarkullojë kryesisht brenda linjave të burrave të familjes dhe se mekanizmat familjarë të transferimit të pronës – veçanërisht trashëgimia dhe dhurimi – vazhdojnë të funksionojnë si mekanizma të riprodhimit të pushtetit ekonomik dhe social të burrave, ku burimet ekonomike dhe asetet e familjes konsiderohen si kapital që duhet të ruhet dhe të trashëgohet nga burrat.

Në vitin 2024, vetëm 17.7% e personave që kanë trashëguar pronë janë gra, ndërsa 82.3% janë burra. Në raport me numrin total të vajzave dhe grave, kjo do të thotë se vetëm 1.06% e grave në Kosovë kanë trashëguar pronë.

Në përgjithësi, burrat përfitojnë rreth katër deri në pesë herë më shumë prona përmes trashëgimisë sesa gratë. Ky dallim është i dukshëm edhe në vitin 2025, ku numri i rasteve të trashëgimisë për burrat arrin në 43,880, ndërsa për gratë në 10,042. Edhe pse vërehet një rritje graduale e numrit të grave që përfitojnë pronë përmes trashëgimisë gjatë viteve të fundit, diferenca ndërmjet grave dhe burrave mbetet e konsiderueshme në të gjitha vitet e analizuar. 

Sipas të dhënave të Agjencia Kadastrale e Kosovës për vitin 2025, mënyra përmes së cilës fitohet prona dallon dukshëm ndërmjet grave dhe burrave. Rritja më e madhe e pronave në emër të grave ka ardhur përmes blerjes së pronave, respektivisht nga kontratat e shitblerjes dhe regjistrimit të pronës në emër të të dy bashkëshortëve, me rreth 9,222 raste të regjistruara.

Ndërkaq, sa i përket burrave, të dhënat tregojnë se prona fitohet kryesisht përmes transferimeve familjare, veçanërisht përmes trashëgimisë, e cila përbën formën më të shpeshtë të fitimit të posedimit me 42,843 raste në vitin 2025. Pas saj vjen dhurimi, me 32,707 raste, që gjithashtu mbetet një nga format e transferimeve brenda familjes, ndërsa blerja renditet si forma e tretë më e shpeshtë për burrat.

Këto të dhëna tregojnë se burrat në masë të madhe fitojnë pronën përmes mekanizmave familjarë si trashëgimia dhe dhurimi, ndërsa gratë e sigurojnë pronën përmes blerjes, ku shumica e tyre figurojnë si bashkëpronare me bashkëshortin. Këtë e vëren edhe noterja Doruntina Peçani nga Ferizaji, e cila thekson se, falë lehtësirave të parashikuara me Udhëzimin Administrativ të vitit 2016 për regjistrimin e pronës së përbashkët në emër të dy bashkëshortëve, ka trend pozitiv i rritjes së numrit të pronave të regjistruara edhe në emër të grave.

Sipas të dhënave të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, nga momenti kur ky udhëzim ka hyrë në fuqi deri në vitin 2023, pronësia në emër të grave është rritur me rreth 4% – nga 16% ka arritur në afro 20%.[3] “Kur e ka propozu ABGj, UA për regjistrim të pronës së përbashkët në emër të dy bashkëshortëve – si masë afirmative në vitin 2016, ne i kemi pasë vetëm 105 çifte në krejt Kosovën që kanë pasur pronën e regjistruar në emër të dy bashkëshortëve. Në fund të vitit 2025 janë mbi 30 mijë çifte”, thotë Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore.

Prishtina prin për nga numri i grave që kanë realizuar të drejtën në pronë, me mbi 13 mijë raste. Sipas statistikave të Agjencisë Kadastrale, kryeqyteti i vetëm përbën mbi 10% të numrit total, krahasuar me 34 komunat e tjera.

Sipas Drejtorisë së Kadastrit të Komunës së Prishtinës, vetëm më 2024 si aplikues për të regjistruar pronën janë paraqitur 7084 burra kurse 667 gra, pra dhjetëfish më pak. Kjo komunë nuk ka të dhëna sa i përket aplikuesve që vijnë nga fshatrat e Prishtinës. Shumë më keq qëndrojnë komunat tjera, me një mesatare prej 3 mijë gra pronare.

Noteri Dardan Kuçi nga Suhareka vëren gjithashtu dallime në aspektin e moshës së grave, duke theksuar se “gratë në moshë më të shtyrë pothuajse në çdo rast heqin dorë nga prona.” Ndërkaq, rastet që ai ka trajtuar, ku gratë kanë përfituar trashëgiminë familjare, i përkasin kryesisht grave të moshave relativisht më të reja.


Çka thotë ligji në Kosovë për trashëgiminë dhe të drejtave pronësore të grave?

Barazia mes grave dhe burrave në të drejta pronësore është element qenësor i barazisë gjinore dhe autonomisë ekonomike. Në rendin juridik të Kosovës, garantimi i kësaj të drejte rregullohet në kuadër të legjislacionit primar dhe atij sekondar të aplikueshëm në vend, respektivisht dispozitave kushtetuese, konventave ndërkombëtare, legjislacionit kombëtar, akteve nënligjore dhe dokumenteve strategjike.

Themelin e garantimit të së drejtës të pronës për të gjithë qytetarët/et e vendos Kushtetuta e Republikës së Kosovës ne nenin 46, i cili ndalon në mënyrë eksplicite çdo formë të privimit arbitrar nga prona. Ndërkaq, në nenin 7, Kushtetuta e vendos barazinë, mosdiskriminimin dhe të drejtën e  pronës, si parime themelore të rendit kushtetues në Kosovë. Kjo nënkupton se qasja në pronë, trashëgimi dhe të drejta ekonomike nuk mund të kufizohen mbi bazë të gjinisë. 

Legjislacioni primar e rregullon qasjen në të drejtat pronësore dhe trashëgimore përmes disa ligjeve. Ligji për Pronësinë dhe të Drejtat e Tjera Sendore përcakton bazat normative për krijimin, përmbajtjen, bartjen, mbrojtjen dhe shuarjen e të drejtave të pronësisë dhe të drejtave sendore të kufizuara mbi pasuritë e luajtshme dhe paluajtshme, si dhe përkufizon pronësinë, bashkëpronësinë dhe pronësinë e përbashkët.

Ligji për Trashëgiminë garanton se çdo person, pavarësisht nga gjinia, ka të drejtë të trashëgojë pjesën e tij ligjore të pasurisë së trashëgimlënësit, duke siguruar kështu që burrat dhe gratë njihen si trashëgimtarë të barabartë para ligjit.

Ligji për Familjen rregullon të drejtat pronësore të bashkëshortëve dhe përcakton aspektet juridike të pronës së përbashkët, përfshirë mënyrën e përcaktimit, ndarjes dhe administrimit të saj, dhe duke njohur barazinë e burrit dhe gruas jo vetëm në kontributet financiare, por edhe në kontributet jo-financiare dhe kujdesin gjatë martesës.

Ligji për Barazi Gjinore dhe Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi, garantojnë barazinë e grave dhe burrave në qasjen në burime, shërbime dhe pronë, duke ndaluar çdo formë diskriminimi mbi bazë gjinie, identiteti gjinor apo orientimi seksual.

Sa i përket instrumenteve ndërkombëtare të aplikueshme në Kosovë, Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave kërkon barazi të plotë mes bashkëshortëve në posedimin, fitimin, administrimin dhe disponimin e pasurisë, përfshirë vlerësimin e të gjitha formave të kontributit  financiar apo jo-financiar. Po ashtu, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, përmes nenit 17, garanton të drejtën e çdo individi për të zotëruar pronë, si në mënyrë individuale ashtu edhe në bashkëpronësi, duke ndaluar privim arbitrar nga kjo e drejtë.  Ndërkohë, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut garanton posedimin e pronës dhe përcakton se kufizimi i kësaj të drejte mund të bëhet vetëm me bazë të fortë ligjore dhe për qëllime të interesit publik.

Sa i përket dokumenteve strategjike, Strategjia Kombëtare për të Drejtat Pronësore adreson sfidat kryesore në fushën e pronësisë duke synuar rritjen e qartësisë juridike, zvogëlimin e informalitetit dhe forcimin e mekanizmave institucionalë për zbatimin efektiv të të drejtave pronësore. Ndërkohë, Programi i Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024 pati shërbyer si orientim politik për integrimin e barazisë gjinore në të gjitha politikat publike, duke vënë theks të veçantë te fuqizimi ekonomik i grave, avancimi i mirëqenies sociale, transformimi i roleve gjinore dhe përmirësimi i qasjes në drejtësi dhe siguri.

Procedura trashëgimore dhe roli i noterisë në rastet e heqjes dorë nga trashëgimia

Sistemi noterial në Republikën e Kosovës rregullohet me Ligjin për Noterinë, i miratuar në vitin 2018. 

Një ndër kompetencat thelbësore të noterit është ushtrimi i veprimeve në procedurën jokontestimore/trashëgimore, përfshirë shqyrtimin e pasurisë trashëgimore dhe nxjerrjen e aktvendimit për trashëgimi në rastet jokontestimore. 

Edhe pse shteti ka mundësi ligjore ta nisë procedurën e trashëgimisë, sipas noterëve, aktualisht kjo nuk praktikohet. Por, personat fizik paraqiten tek noteri me kërkesën për ta iniciuar procedurën trashëgimore. Të gjithë noterët e intervistuar pajtohen se në 90-95% të rasteve janë trashëgimtarët burra ata që paraqiten pranë zyrës noteriale me këtë kërkesë.

“Rastet e vetme kur këtë procedurë e iniciojnë vajzat është kur nuk kanë vëlla”, shton noteri dhe ligjëruesi i së drejtës pronësore Isuf Jahmurati.

Pjesëmarrës në procedurë konsiderohen propozuesi, personat për të drejtat e të cilëve vendoset, si dhe organet shtetërore të autorizuara. Në Kosovë, trashëgimtarët zakonisht i deklaron trashëgimtari që e ka iniciuar procedurën dhe që i nxjerr dokumentet e nevojshme për hapjen e saj.

“Personi që e nis procedurën e trashëgimisë e ka në dorë përfshirjen ose mos-përfshirjen e trashëgimtarëve dhe pikërisht këtu fillon problemi”, thotë Naim Çelaj, Avokat i Popullit.

Me paraqitjen e kërkesës, noteri e hap procedurën trashëgimore dhe kërkon dokumentacionin përkatës. Dokumenti kryesor është aktvdekja, e cila nxirret në Zyrën e Gjendjes Civile në komunën ku ka jetuar personi i ndjerë. Aktvdekja përmban të dhënat identifikuese të personit të ndjerë si dhe të dhënat e regjistrimit në librat amzë.

Së bashku me aktvdekjen duhet të dorëzohen dokumentet përcjellëse, si ekstraktet e lindjes për të gjithë trashëgimtarët, dokumentacioni që dëshmon pronësinë mbi pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme, si dhe dokumentet që provojnë masën trashëgimore.

Në disa komuna, kur trashëgimtari nënshkruan formularin për nxjerrjen e aktvdekjes, ai nënshkruan edhe deklaratë nën përgjegjësi të plotë penale, ose sjell dy dëshmitarë. Në Komunën e Prishtinës, për shembull, aplikuesi deklaron se i ka njoftuar të gjithë trashëgimtarët dhe se nuk ka fshehur asnjë trashëgimtar, si dhe se çdo deklarim i pavërtetë ose i pasaktë përbën vepër penale. Ky dokument jepet nga komuna dhe nënshkruhet aty.

“Kërkesa e dëshmisë së vdekjes dhe ku paraqiten trashëgimtarët bëhet me shkrim me dorë”, pohon udhëheqësja e Sektorit për Regjistrim Civil në Komunën e Prishtinës, Shkëndije Krasniqi.

Ndërsa komuna të tjera, si Komuna e Vushtrrisë, kërkojnë që aplikuesi deklaratën nën betim ta bëjë pranë noterit dhe ta sjellë në komunë. Pra, nuk ekziston një praktikë e unifikuar në nivel vendi për këtë çështje.

Agjencia e Regjistrimit Civil dhe Ministria e Punëve të Brendshme, përkundër insistimit dhe pritjes për katër javë, kanë refuzuar të përgjigjen lidhur me atë se në cilën fazë ndodhet procesi i digjitalizimit të dhënave të gjendjes civile, si dhe pse aktvdekjet ende nuk lëshohen sipas detyrës zyrtare nga këto institucione (ex-officio) pas vdekjes së personit, apo së paku pse noterët nuk kanë qasje në të dhëna për verifikimin e aktvdekjeve gjatë procedurave trashëgimore. 

“Kur vijnë tek ne, ne e marrim listën e trashëgimtarëve ashtu siç shkruhet në Aktin e Vdekjes. Nuk kemi mënyrë për ta verifikuar”, thotë noterja nga Lipjani, Ariana Demolli. 

Në rastet kur nuk ka kontest ndërmjet trashëgimtarëve, noteri zhvillon procedurën, konstaton rrethin e trashëgimtarëve ligjorë ose testamentarë, evidenton pasurinë trashëgimore dhe nxjerr aktvendim për trashëgiminë, i cili ka fuqi dokumenti publik dhe mund të jetë dokument përmbarimor.

Pas inicimit të procedurës, akti noterial publikohet në Gazetën Zyrtare, ku qëndron për 30 ditë. Në këtë publikim përfshihen të dhënat për personin për të cilin është iniciuar procedura, me qëllim që të verifikohet nëse ekziston ndonjë person tjetër që pretendon të drejtë në trashëgimi, apo nëse ekzistojnë borxhe të trashëgimlënësit. 

Gjatë procedurës trashëgimore, të gjithë trashëgimtarët duhet të informohen nga noteri për të drejtat dhe detyrimet e tyre lidhur me pasurinë e trashëgimlënësit. Pas deklarimit të të gjithë trashëgimtarëve nëse duan ta pranojnë trashëgiminë, ta cedojnë pjesën e tyre në favor të ndonjë trashëgimtari tjetër apo të heqin dorë nga prona, shpallet akti noterial për trashëgiminë.

Nëse gjatë procedurës lind kontest lidhur me të drejtën trashëgimore apo me faktet relevante, çështja mund të udhëzohet për zgjidhje në procedurë kontestimore në gjykatë, ndërsa jokontestimorja ndërpritet.

Heqja dorë nga trashëgimia dhe cedimi

Brenda procedurës trashëgimore, trashëgimtari ka të drejtë të deklarojë heqjen dorë nga trashëgimia. Kjo deklaratë jepet para noterit dhe përfshihet në aktin noterial, duke u bërë pjesë e dokumentacionit zyrtar të lëndës. Heqja dorë nënkupton se trashëgimtari (vet) përjashtohet nga pjesëmarrja në ndarjen e pasurisë dhe konsiderohet sikur nuk ka qenë trashëgimtar në atë pjesë. Më së shpeshti heqja dorë realizohet në favor të trashëgimtarëve të tjerë (zakonisht e motrave në favor të vëllezërve), çka në aspekt juridik nënkupton cedim të pjesës trashëgimore. Cedimi është transferim i trashëgimisë tek një trashëgimtar tjetër, me deklarim të qartë dhe të formalizuar para noterit.

Kjo praktikë konfirmohet edhe nga përvoja e noterëve. Ardi Behrami, noter në Fushë Kosovë dhe Besmir Juniku noter në Suharekë thonë se në mbi 90% të rasteve të trashëgimisë që i kanë trajtuar, gratë heqin dorë nga e drejta për trashëgimi dhe zakonisht ia cedojnë pjesën e tyre vëllaut.

Deklarimet trashëgimore janë të parevokueshme, përveçse në gjykatë, ku pala duhet të arrijë të dëshmojë se deklaratën e ka dhënë nën presion, kërcënim apo lajthim. Teksa e tregon këtë, Avokati i Popullit, Naim Çelaj, thotë se proceset gjyqësore shpesh janë të pafavorshme për gratë.

“Në një analizë të mëhershme të Avokatit të Popullit ka rezultuar se përfundimi i një procesi civil pronësor mund të zgjasë mesatarisht deri në tetë vjet. Kjo është e papranueshme”, thotë ai, duke iu referuar mosefikasitetit të gjykatave.

Një shembull i tillë është rasti i Shyhrete Berishës, e cila pas 20 vitesh betejë ligjore me familjen e bashkëshortit, arriti ta fitojë të drejtën mbi shtëpinë ku kishte jetuar me bashkëshortin dhe fëmijët e saj, të cilët u vranë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ajo kishte paditur familjen e bashkëshortit, pasi nuk po i lejonin të ushtronte të drejtën e saj mbi pronën.

Noterët në përgjithësi hezitojnë të flasin për çështjet që lidhen me trashëgiminë. Kjo u reflektua edhe gjatë realizimit të këtij hulumtimi. Nga gjithsej 128 noterë të kontaktuar në gjithë Kosovën për të zhvilluar intervista lidhur me procedurat trashëgimore dhe praktikën e heqjes dorë nga trashëgimia, vetëm shtatë prej tyre pranuan të flasin për këtë temë. Ky nivel i ulët i pjesëmarrjes tregon një hezitim të konsiderueshëm për ta trajtuar publikisht këtë çështje, e cila shpesh lidhet me dinamika të ndjeshme familjare dhe norma patriarkale të rrënjosura në shoqërinë e Kosovës.

Heqja dorë nga prona nuk është vendim i lirë dhe i informuar i grave

Të gjitha këto dëshmi tregojnë se heqja dorë nga prona nuk mund të kuptohet si vullnet i lirë në kuptimin klasik juridik, në rastet kur ajo vjen si rezultat i rrethanave të jashtme që kufizojnë dhe kushtëzojnë zgjedhjen e grave. Heqja dorë nga trashëgimia nuk është më vendim i lirë, por një vendim që buron nga marrëdhënie të bazuara në hierarki dhe nga një kulturë që u ka mësuar vajzave se sakrifica është pjesë e natyrshme e rolit të tyre në familje. 

Edi Gusia nga Agjencia për Barazi Gjinore thotë se çështja e pronës ndër të tjera ështëedhe mungesë e informimit dhe njohjes. Ajo thotë se bindja se prona u takon djemve nuk krijohet në momentin e ndarjes së trashëgimisë, por ndërtohet gradualisht brenda familjes dhe ushqehet në çdo qelizë të shoqërisë.

Kjo bindje riprodhohet përmes praktikave të përditshme, normave kulturore dhe roleve gjinore të brendësuara, duke e bërë përjashtimin e grave nga prona të duket si diçka e natyrshmeNë këtë proces, edhe sistemi arsimor luan rol të rëndësishëm përmes mungesës së veprimit. Duke dështuar vazhdimisht në integrimin e perspektivës gjinore në edukim, sistemi ka dështuar edhe në sfidimin e kësaj narrative shoqërore.

Arrita Rezniqi, hulumtuese në IKD dhe e angazhuar në Qendrën për Ndihmë Juridike Falas, e cila, duke u mbështetur në përvojën e saj me qindra raste – ku mbi 40% e përfituesve të ndihmës juridike janë gra – e vendos këtë çështje në kufirin e paqartë mes zgjedhjes dhe kushtëzimit.

“Në praktikë heqja dorë nga trashëgimia nuk është gjithmonë rezultat i një vendimi të informuar dhe të mirëpeshuar, por shpesh lidhet me mungesën e njohurive për të drejtat, me frikën nga konfliktet familjare dhe me kushtëzimin e mbështetjes familjare”, thotë Rezniqi.

Në të njëjtën linjë, noteri në Vushtrri, Isuf Jahmurati, thekson se tema e trashëgimisë mbetet tabu dhe rrallë diskutohet brenda familjes apo shoqërisë tonë. Ai thotë se për çështjen e të drejtave trashëgimore nuk kemi diskutim të mjaftueshëm brenda familjes apo brenda sistemit arsimor dhe shoqëror.

“Gratë kryesisht informohen për të drejtat e tyre vetëm kur mbërrijnë në një moshë të shtyer dhe atëherë kur veçse ka filluar procesi te noteri”, thotë Jahmurati.

Rëndësia e informimit të drejtë juridik në këtë proces është thelbësore. Siç thekson avokatja Vjosa Shkodra informimi i palëve është shumë me rëndësi.

“Ata le të merren vesh si të duan, por duhen të jenë të informuar drejtë juridikisht nga profesionistët”, u shpreh Shkodra.

Megjithatë, përvojat e grave tregojnë se ky standard shpesh nuk përmbushet në praktikë.

Hamidja* duke na treguar përvojën e saj në këtë aspekt thotë se i ka pesë vëllezër dhe kur e kanë nda tokën i kanë ftuar atë dhe motrën e saj te noteri në Podujevë.

“Na ka vet çka po ja u merr mendja, apo merrni hise a s’po merrni. Nuk ka zgjat ma shumë, as të drejta as informata diçka. Veç kemi nënshkru”, tregon ajo.

Aktivistja Dea Fetiu thekson se shumë noterë nuk iu tregojnë grave të drejtat dhe përgjegjësitë që ato i kanë në momentin që e nënshkruajnë një deklaratë të heqjes dorë nga pasuria dhe se nëse heqë dorë njëherë ajo është e parevokueshme.

“Gratë presin në rend me orë dhe në fund atyre iu jepet një letër që nuk e kuptojnë se çfarë shkruhet dhe detyrohen ta nënshkruajnë shpejtë pa e ditur përmbajtjen”, thotë Fetiu.

Aktivistja dhe drejtorja e Qendrës për Barazi dhe Drejtësi, Tringa Kasumi vlerëson se noterët rolin e tyre në këtë proces e perceptojnë kryesisht si teknik dhe procedural. “Kjo gjë që ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si u qasen rasteve dhe grave, si dhe në mënyrën se si i informojnë ato për të drejtat e tyre dhe për pasojat që mund të sjellë heqja dorë nga prona”, shton Kasumi.

Lidhur me këtë çështje nga Oda e Noterëve të Kosovës thonë se informimi i palëve nuk është vetëm praktikë e mirë, por obligim ligjor para se gjithash. Ata na sqarojnë se gjatë deklarimit për heqje dorë, noteri obligohet të zhvillojë bisedë individuale me trashëgimtarin për të verifikuar se ai e kupton të drejtën e tij, arsyet e heqjes dorë dhe faktin se deklarata është e parevokueshme.

Ministria e Drejtësisë, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka ofruar përgjigje lidhur me këtë dhe çështje të ndërlidhura.

“Gjatë gjithë procedurës, noteri i udhëzon, paralajmëron dhe këshillon palët për pasojat juridike të veprimeve të tyre”, thuhet në përgjigjën e Odës së Noterëve.

Prona si bazë e (pa)sigurisë së grave

Në Kosovë, prona mbetet një nga arsyet kryesore të pasigurisë ekonomike për gratë. Ky dimension bëhet edhe më i rëndësishëm në një kontekst të karakterizuar nga pabarazi të thella gjinore në tregun e punës. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e punësimit të grave mbetet dukshëm më e ulët se ajo e burrave – rreth 20%, ndërsa shkalla e jo-aktivitetit ekonomik për gratë është jashtëzakonisht e lartë, 74,2% në vitin 2024. Kjo nënkupton se shumica e grave nuk janë pjesë aktive e tregut të punës dhe nuk kanë të ardhura të qëndrueshme. Por edhe për gratë e punësuara, siguria ekonomike mbetet e brishtë. Ato janë më të ekspozuara ndaj diskriminimit, punës pa kontrata dhe mungesës së mbrojtjes sociale. Për më keq, në pothuajse të gjithë sektorët e tregut në Kosovë, gratë paguhen më pak se burrat.

“Mungesa e pronësisë kufizon edhe mundësitë për zhvillim ekonomik, pasi gratë kanë më pak mundësi ta përdorin pronën si garanci për kredi, për zhvillimin e një biznesi apo për mundësi të tjera financiare”, thotë Arrita Rezniqi nga IKD.

Drita* nga Podujeva, e cila bashkë me vajzën e saj udhëheq një biznes të vogël, flet për ndikimin që e ka mos marrje e pronës. Ajo thotë se posedimi i pronës do t’i kishte ndihmuar për rritjen e biznesit të saj.

“Kur ke një pronë apo pasuri i ke dyert e hapura gjithkund, sidomos te bankat sepse e ke një lloj garancie. E unë këtë garanci nuk e kam. Me dashtë me marrë një kredi më duhet me lutë e me bind burrin me hi garantues”, thotë ajo.

Në këtë realitet socio-ekonomik, mungesa e pronës i vendos gratë në një pozitë të vazhdueshme pasigurie. Në praktikë, kjo do të thotë se ato mbesin të varura nga familja e origjinës apo nga partneri. Aktivistja Dea Fetiu mendon se prona është siguri dhe presioni për heqje dorë nga prona është dhunë ekonomike.

Ndërkaq, Arrita Rezniqi thotë se heqja dorë nga prona e rrit edhe ekspozimin e grave ndaj formave të ndryshme të dhunës në familje. Sipas saj, mungesa e burimeve të pavarura ekonomike kufizon mundësinë e tyre për t’u larguar nga situata abuzive.

Prona është gjithashtu një nga mekanizmat më të rëndësishëm të mbrojtjes kundër dhunës në bazë gjinore. Kur gratë nuk kanë shtëpi, tokë apo pasuri në emrin e tyre, largimi nga marrëdhëniet e dhunshme bëhet vështirë i mundur. Dhuna përveçse nga frika apo kontrolli emocional, mirëmbahen në masë të madhe nga varfëria dhe mungesa e qasjes në të ardhura për gratë.

Në mungesë të një baze materiale, shumë gra detyrohen të qëndrojnë në marrëdhënie të dhunshme sepse pa pronë nuk kanë ku të shkojnë, dhe pa punë apo të keqpaguara nuk kanë mjete për të siguruar strehim, mbështetje për vetën dhe për fëmijët.

“Po e marrë shembull veten. Sot me dashtë me u nda nga burri, unë nuk mundem. A e din pse? Nuk kam ku me shku. E kam kry fakultetin dhe punoj, por vetë s’mundem me ja dalë me i rrit tre fëmijë, me i shkollu, me pagu qira dhe ushqimin”, thotë Rrezarta*, duke shtuar se po ta kishte trashëguar një pjesë të pronës nga baba i saj, nuk do të ishte e nënshtruar, por do të kishte tjetër rol dhe rëndësi në familje.

Mohimi i të drejtës në trashëgimi i vendos gratë në një cikël të vazhdueshëm cenueshmërie, ku zgjedhjet e tyre personale dhe profesionale ndikohen drejtpërdrejt nga mungesa e sigurisë financiare. Profesorja Linda Gusia e vendos këtë fenomen në kontekst të funksionimit të sistemit ekonomiko-shoqëror aktual, duke theksuar se “fatkeqësisht po jetojmë në një shoqëri super-kapitaliste ku siguria ekonomike është e rëndësishme, prandaj, edhe lufta për trashëgimi bëhet më e vrazhdë”.

Në linjë me të dhënat e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, të cilat tregojnë se burimi kryesor i pronave të regjistruara në emër të grave janë blerjet, profesorja Gusia thekson se mungesa e trashëgimisë i detyron gratë të hyjnë në cikle të vazhdueshme kredish, duke paguar interesa të larta për të siguruar një stabilitet ekonomik që për burrat shpesh ekziston si privilegj gjinor.

Përvojat e grave janë dëshmi se heqja dorë nga prona është vendim që kushtëzohet dhe formësohet nga rrethanat shoqërore, dhe përkeqësohet nga mangësitë procedurale e institucionale. Andaj, adresimi i kësaj çështje kërkon ndërhyrje të drejtpërdrejt nga shteti.

Avokati i Popullit Naim Çelaj thotë se shteti ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim, ndërsa avokatja Vjosa Shkodra thekson rëndësinë e masave afirmative dhe nevojës për vëmendjeje të shtuar institucionale ndaj të drejtave pronësore të grave.

Për këtë arsye, rekomandimet në vijim të përpiluara nga QIKA synojnë të adresojnë aspektet ligjore, procedurale dhe shoqërore që duhet të trajtohen, në mënyrë që të garantohet realizimi efektiv i të drejtave pronësore dhe trashëgimore të grave.

*Identiteti i grave që kanë ndarë përvojat e tyre është koduar nga QIKA, me qëllim të mbrojtjes së privatësisë dhe sigurisë së tyre.

QIKA rekomandon që:

– Të hartohet një masë afirmative në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore, përmes shtimit të një klauzole në Ligjin për Trashëgiminë dhe atij për Procedurën Jo-kontestimore, e cila mundëson që deklaratat e grave për heqje dorë nga trashëgimia të mund të revokohen brenda një periudhe 3-vjeçare, me qëllim mbrojtjen e tyre nga presioni dhe pabarazitë strukturore.

– Ligji për Familjen të amendohet në mënyrë që prona e blerë gjatë martesës të regjistrohet automatikisht në emër të të dy bashkëshortëve.

– Të funksionalizohet plotësisht sistemi i trungut familjar në regjistrat civilë dhe të krijohet një databazë e qasshme për noterët, gjykatat civile dhe institucionet e tjera relevante, për të siguruar transparencë dhe rritje të efikasitetit në procedurat pronësore e trashëgimore.

– Të zbatohet plotësisht obligimi ligjor që procedurat trashëgimore të nisin ex-officio nga shteti: Agjencia e Regjistrimit Civil të dërgojë akt-vdekjen në Odën e Noterëve, e cila pastaj e procedon te noterët e komunës respektive për thirrjen e palëve në procedurë.

– Derisa të nis zbatimi i plotë i procedurës trashëgimore ex-officio, të unifikohet praktika që çdo person që kërkon aktvdekjen me qëllim të inicimit të procedurës së trashëgimisë para noterit ose gjyqtarit, të obligohet të japë deklaratë të betimit, nën përgjegjësinë penale, se nuk po fsheh ndonjë trashëgimtar të njohur. Kjo deklaratë duhet të noterizohet dhe të bëhet dokument i detyrueshëm hyrës në dosjen trashëgimore, si masë mbrojtëse për të parandaluar përjashtimin e grave nga trashëgimia.

– Çdo trashëgimtar që dëshiron të heqë dorë nga trashëgimia të japë deklaratë në një seancë të veçantë para noterit ose gjykatësit, pas informimit të plotë për të drejtat dhe pasojat juridike.

– Ministria e Drejtësisë të forcojë mbikëqyrjen sistematike të punës së noterëve, duke siguruar praktika konsistente, respektim të standardeve procedurale dhe shmangie të praktikave diskriminuese në trajtimin e grave.

– Ministria e Drejtësisë të organizojë trajnime të detyrueshme për noterët mbi dimensionin gjinor të trashëgimisë dhe të drejtave pronësore, me fokus në identifikimin e presionit, pabarazisë dhe situatave të cenueshmërisë së grave.

– Ministria e Drejtësisë, përkatësisht Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, të prioritizojë trajtimin e rasteve të grave që kërkojnë ndihmë juridike në çështje pronësore dhe trashëgimore, me qëllim rritjen e qasjes së tyre efektive në drejtësi dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.

– Të ndërmerren masa gjithëkombëtare për luftimin e informalitetit në pronësi, përfshirë rivitalizimin e kadastrit, thjeshtimin administrativ, heqjen e tarifave të larta dhe harmonizimin e praktikave në të gjitha zyrat komunale të kadastrës për regjistrime të sakta dhe të barabarta.

– Oda e Noterëve të obligohet të mbledhë dhe publikojë çdo vit të dhëna të ndara sipas gjinisë mbi numrin e grave që heqin dorë nga trashëgimia dhe aktet e tjera noteriale, për të mundësuar analizë të vazhdueshme dhe politikëbërjen të bazuar në evidencë.

– Agjencia Kadastrale dhe Agjencia e Statistikave të mbledhin e publikojnë të dhëna të ndara sipas gjinisë për pronësinë dhe burimin e pronës.

– Agjencia Kadastrale të rikthej pozitën e Zyrtarit/es për Barazi Gjinore, me mandat të qartë për monitorimin e praktikave të barabarta dhe adresimin e barrierave që prekin gratë në sistemin e pronësisë.

– Të harmonizohet Ligji për Trashëgiminë me Ligjin për Familjen, duke njohur bashkëjetesën jo martesore si të barabartë me martesën për qëllime trashëgimie pas 5 viteve bashkëjetesë ose 3 viteve nëse ka fëmijë, si dhe të shqyrtohet mundësia e regjistrimit vullnetar të bashkëjetesës sipas praktikave evropiane.

– Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me institucionet tjera relevante, duhet të hartojë dhe implementojë një strategji të detajuar dhe konkrete për avancimin e të drejtave pronësore të grave, me fokus të veçantë në të drejtat trashëgimore. Strategjia duhet të përfshijë masa ligjore, administrative dhe shoqërore, si dhe të përcaktojë qartë përgjegjësitë institucionale, afatet kohore dhe mekanizmat e monitorimit për të siguruar zbatimin e plotë dhe të matshëm të saj.

– Ministria e Arsimit duhet të integrojë sistematikisht barazinë gjinore dhe edukimin pronësor në të gjitha nivelet e kurrikulës zyrtare, në mënyrë që fëmijët të rriten me kuptimin e qartë se pronësia dhe trashëgimia u takojnë njësoj grave dhe burrave. Edukimi i hershëm për të drejtat pronësore kontribuon në ndryshimin e normave shoqërore që sot i vendosin gratë në pozitë të pafavorshme dhe krijon gjenerata të reja me qasje të barabartë ndaj pasurisë.

– Agjencia për Barazi Gjinore duhet të hartojë dhe zbatojë një fushatë gjithëkombëtare informuese që adreson të drejtat pronësore dhe trashëgimore të grave dhe burrave, duke përfshirë informim praktik, të kuptueshëm dhe të qasshëm për komunitetin. Fushata duhet të synojë rritjen e ndërgjegjësimit publik, fuqizimin e grave për të kërkuar të drejtat e tyre dhe parandalimin e praktikave diskriminuese brenda familjeve dhe komuniteteve.

    Shkruajnë Blenda Asllani, Anita Vllahiu dhe Medinë Dauti.

    Ky hulumtim është publikuar në formë të gazetës, të cilën mund ta gjeni këtu.

    ___________________________________________________________________________________

    Ky publikim është financuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e QIKA dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it.