Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

“Ndihem sikur e gjithë bota është fajtore” – Si e përjetojnë zhvendosjen gratë në konfliktin në Liban

QIKA 30.4.2026

“Kjo është shpërngulja ime e dytë në vitet e fundit. Nuk i kam harruar luftërat e përsëritura në Libanin Jugor që nga fëmijëria,” thotë Zainab, 63 vjeçe, njëra prej rreth 620 mijë grave dhe vajzave të detyruara të braktisin shtëpitë e tyre vetëm gjatë muajit të fundit, pas përshkallëzimit të armiqësive në Liban.

Zainabi dhe burri i saj u larguan nga Nabatieh në fillim të marsit. Ata kaluan dy net duke fjetur në makinë, përpara se të gjenin strehim në Universitetin Islamik në Khaldeh, rreth 15 kilometra në jug të Bejrutit. Sot, janë ndër qindra familje të vendosura në një hapësirë që nuk ishte projektuar për të strehuar të zhvendosur. Më shumë se gjysma e banorëve janë gra dhe vajza, ndërsa numri i të ardhurve vazhdon të rritet çdo ditë.

Konflikti dhe zhvendosja thellojnë pabarazitë ekzistuese gjinore, duke i bërë gratë dhe vajzat më të ekspozuara ndaj rreziqeve dhe pasigurisë. Përveç mungesës së ushqimit, strehimit dhe kujdesit shëndetësor, ato mbajnë një barrë të rëndë kujdesi: kujdesen për të plagosurit, përpiqen të qetësojnë fëmijët e frikësuar dhe shpesh heqin dorë nga ushqimi që të tjerët të mund të hanë, duke u përpjekur të mbajnë familjet së bashku nën stres të vazhdueshëm.

Zainabi, një ish-rrobaqepëse me probleme kronike të zemrës, është gjithashtu kujdestare për burrin e saj, i cili vuan nga diabeti. Ashtu si shumë familje të tjera, ata flenë në korridore, pa shtretër, pa ngrohje dhe pa kushte bazë. Banorët raportojnë se marrin vetëm një vakt në ditë, kryesisht oriz, patate ose makarona, me mungesë të theksuar proteinash. Familjet me foshnje po përballen me mungesë të qumështit dhe pelenave.

“Unë nuk kam as jastëk këtu. Nuk ka ujë të nxehtë për t’u larë, as çorape nuk kemi. Na duhen ilaçe për të dy, por si mund t’i sigurojmë?” thotë ajo.

Në të njëjtën strehë është edhe Hadil*, 28 vjeçe, e cila u detyrua të largohej nga shtëpia disa ditë pas fillimit të konfliktit. Ajo jeton aty me prindërit dhe motrat, ndërsa kujdeset për prindërit e sëmurë. Studimet në shkencat humane i ndërpreu për shkak të përgjegjësive familjare. Përvoja e zhvendosjes, për të, lidhet drejtpërdrejt me mungesën e privatësisë dhe pasigurinë si grua e re në një hapësirë të mbipopulluar.

“Ndihem e pafuqishme, sikur nuk kam më energji. Si grua, gjithçka është më e vështirë këtu. Pa rroba të mjaftueshme dhe pa nevoja bazë, nuk e di si pritet të vazhdojmë,” thotë ajo, duke shtuar se përpjekjet për të gjetur një strehë më të mirë kanë dështuar.

Zhvendosja rrit ndjeshëm rreziqet për dhunë me bazë gjinore. Në strehë të mbipopulluara dhe hapësira informale, ku mungon privatësia dhe siguria, gratë dhe vajzat janë më të ekspozuara ndaj ngacmimeve dhe abuzimit. Në të njëjtën kohë, qasja në shërbime mbrojtëse dhe drejtësi bëhet më e kufizuar, ndërsa shumë gra reduktojnë lëvizjen e tyre, duke u izoluar edhe më tej nga mbështetja.

Kur pyetet për një mesazh që do të donte të ndante, Hadil përgjigjet shkurt: “Nuk kam ndonjë mesazh… ndihet sikur e gjithë bota është fajtore.”

Sipas të dhënave zyrtare, mbi 660 strehë kolektive janë ngritur në të gjithë Libanin, duke strehuar më shumë se 136 mijë persona. Shumica operojnë mbi 90 për qind të kapacitetit, duke rritur presionin mbi hapësirat dhe burimet ekzistuese. Edhe pse disa organizata lokale ofrojnë mbështetje mjekësore, prania më e gjerë humanitare mbetet e kufizuar.

Në këtë kontekst, UN Women ka intensifikuar ndërhyrjet e saj për të adresuar nevojat urgjente të grave dhe vajzave. Këto përfshijnë mbrojtje emergjente, mbështetje për jetesë dhe forcimin e rolit të grave në vendimmarrje, duke synuar që përgjigjja humanitare të jetë më e ndjeshme ndaj barazisë gjinore.

Përkthyer nga Jona Shala, praktikante përmes programit Bashkohu me QIKA.