Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Narges Mohammadi transferohet nga burgu në spital

QIKA 7.5.2026

Aktivistja iraniane për të drejtat e njeriut dhe laureatja e Çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi, është transferuar nga burgu në spital për shkak të përkeqësimit të rëndë të gjendjes së saj shëndetësore.

Sipas Fondacionit Narges Mohammadi, ajo humbi ndjenjat dy herë dhe pësoi një krizë të rëndë kardiake në burgun e Zanjanit në Iran. Mjekët e burgut vlerësuan se gjendja e saj nuk mund të trajtohej më aty, duke bërë të domosdoshëm transferimin në spital.

Mohammadi, 53 vjeç, ndodhet në burg që nga dhjetori, ndërsa në shkurt u dënua me më shumë se shtatë vite burgim. Familja dhe avokatët e saj kanë ngritur shqetësime të vazhdueshme për gjendjen e saj shëndetësore dhe trajtimin që ajo po merr në paraburgim.

Komiteti Nobel përmes një deklarate të publikuar në muajin shkurt dënoi “keqtrajtimin e vazhdueshëm që rrezikon jetën e Mohammadi-t”, shkruan Al Jazeera.

Qeveria iraniane nuk ka komentuar mbi sulmin e pretenduar.

Para arrestimit të saj në dhjetor, Mohammadi po vuante tashmë një dënim prej 13 vitesh e nëntë muajsh për shkak të aktivizmit të saj, për cka akuzohej për “bashkëpunim kundër sigurisë shtetërore dhe propagandë kundër qeverisë së Iranit”.