Një ditë pas sulmit vdekjeprurës gjatë Paradës së Krenarisë në Berlin, mijëra persona u rikthyen në rrugët e kryeqytetit gjerman – këtë herë për të bërë homazhe për viktimat dhe për tu solidarizuar me komunitetin LGBTIQ+ atje. Mes pikëllimit dhe frikës, aktivistet/ët kanë bërë thirrje që sulmi të mos shndërrohet në arsye për tërheqjen e personave queer nga hapësirat publike.
Të dielën, mijëra persona u mblodhën në Pariser Platz, pranë Portës së Brandenburgut dhe vetëm disa qindra metra larg vendit ku kishte ndodhur sulmi një natë më parë. Të pranishmit mbajtën një minutë heshtje për viktimat, valëvitën flamujt e krenarisë dhe mbanin pankarta me mesazhe rezistence si: “Nga pikëllimi, në zemërim, në rezistencë!”.
Komisioneri i qeverisë së Berlinit për çështjet LGBTIQ+, Alfonso Pantisano, i cili ndodhej pranë Portës së Brandenburgut kur ndodhi sulmi, iu drejtua komunitetit duke pranuar frikën dhe pasigurinë që ka lënë pas ngjarja.
“E di se shumë prej jush kanë frikë tani. Nuk do ta zbukuroj – edhe unë kam. Por nuk jeni vetëm në këtë frikë, në pikëllimin dhe zemërimin tuaj”, shkroi Pantisano në rrjetin social Instagram, raporton Reuters.
Në të njëjtën ditë, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe ministrja e Drejtësisë, Stefanie Hubig, morën pjesë në një ceremoni përkujtimore në Kishën e Shën Marisë në Berlin.
Çfarë ndodhi në Berlin Pride?
Sulmi ndodhi mbrëmjen e së shtunës, më 25 korrik, gjatë Christopher Street Day (CSD), Paradës së Krenarisë të përvjetshme të Berlinit dhe një prej ngjarjeve më të mëdha queer në Evropë.
Një automjet përplasi qëllimisht turmën pranë festimeve të Pride-it. Një grua u vra dhe 29 persona të tjerë u plagosën. Autoritetet gjermane e kanë trajtuar ngjarjen si sulm të dyshuar terrorist me motiv ekstremist islamist. I dyshuari, një 21-vjeçar shtetas gjerman, u vra nga policia të dielën në mbrëmje gjatë operacionit për kapjen e tij, pasi, sipas autoriteteve, iu drejtua policëve me një mjet të mprehtë.
Pas sulmit, organizatorët anuluan disa prej aktiviteteve të planifikuara në kuadër të CSD-së. Atmosfera festive që vetëm disa orë më parë kishte mbushur rrugët e Berlinit u zëvendësua me lule, përqafime dhe tubime përkujtimore.
Përtej reagimeve institucionale, rrëfimet e personave queer në Berlin kanë treguar ndikimin personal që sulmi ka pasur mbi një komunitet që prej vitesh paralajmëron për rritjen e urrejtjes dhe dhunës.
Ali Darwich, 34-vjeçar, polic, burrë homoseksual dhe mysliman me prejardhje libaneze dhe palestineze, i tha Associated Press se sulmi ishte edhe një goditje ndaj vetë Berlinit dhe vlerave të diversitetit, tolerancës dhe lirisë me të cilat identifikohet qyteti.
Megjithatë, ai refuzoi idenë që urrejtja të përcaktojë atë që vjen pas. Ai shprehu shpresën se njerëzit në Berlin do të bashkohen dhe se qyteti do të dalë më i fortë nga kjo ngjarje.
Një mesazh të ngjashëm dha edhe Ashley Jump, 26-vjeçare nga Mbretëria e Bashkuar, e cila kishte udhëtuar drejt Berlinit për Paradë. Ajo ishte larguar nga festimet para sulmit, por u kthye të dielën për të vendosur lule pranë vendit të ngjarjes.
“Ata kurrë nuk do të na fshijnë”, tha Jump për AP, duke insistuar se personat queer kanë ekzistuar përgjatë historisë dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë.
Për aktivistët LGBTQ+, sulmi ka rikthyer në qendër të vëmendjes edhe një shqetësim më të gjerë: rritjen e dhunës dhe krimeve të urrejtjes ndaj personave queer në Gjermani.
Andre Lehmann nga LSVD+, një prej organizatave kryesore LGBTIQ+ në Gjermani, tha për AP se sulmi “godet zemrën e komunitetit queer”. Sipas tij, viktima të sulmit ishin njerëz që kishin dalë në rrugët e Berlinit pikërisht për të kërkuar të drejtat dhe barazinë e tyre, çka i jep ngjarjes edhe dimension politik.
Lehmann tha se Gjermania ka përjetuar një rritje të shumëfishtë të krimeve të urrejtjes anti-queer gjatë viteve të fundit, ndërsa kritikoi mungesën e reagimit të mjaftueshëm ndaj kësaj dhune.
Sulmi ka nxitur reagime solidariteti nga aktivistë, organizata të shoqërisë civile dhe përfaqësues institucionalë në Gjermani dhe më gjerë, ndërsa mesazhi që ka dominuar tubimet në Berlin është se frika nuk duhet t’i largojë personat queer nga hapësirat publike.
Solidaritet me komunitetin queer në Gjermani dhe mbarë botën kanë shprehur edhe organizatat queer nga Kosova. “Sulmi ndaj Pride-t është sulm ndaj të gjithë neve”, thuhet në reagimin e organizatës CSGD, ndërsa Dylberizm teksa raportojnë për ngjarjen e rëndë shkruajnë se: “Mendimet tona janë me krejt ata që u prekën nga kjo tragjedi. Sulmet ndaj hapsinave tona nuk kanë me na ndalë me u mbledh, me u pa e me jetu lirshëm.”