Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë me aftësi të kufizuara në Kosovë vazhdojnë të përballen me diskriminim të shumëfishtë

QIKA 6.8.2026

Gratë me aftësi të kufizuara në Kosovë vazhdojnë të përballen me diskriminim të shumëfishtë, qasje të kufizuar në shërbime publike, mundësi të pakta punësimi dhe përjashtim nga proceset vendimmarrëse, pavarësisht ekzistencës së një kornize ligjore që garanton mbrojtjen e të drejtave të tyre. Këto janë disa nga gjetjet kryesore të hulumtimit “Hulumtim mbi të Drejtat e Grave me Aftësi të Kufizuara në Kosovë”, të publikuar nga Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar.

Sipas raportit, diskriminimi ndaj grave me aftësi të kufizuara nuk kufizohet vetëm në mungesën e qasjes fizike në institucione dhe shërbime, por shfaqet edhe përmes paragjykimeve, stereotipeve gjinore dhe barrierave institucionale që kufizojnë pjesëmarrjen e tyre të barabartë në shoqëri. Hulumtimi thekson se ekziston një hendek i madh ndërmjet të drejtave të garantuara me ligj dhe zbatimit të tyre në praktikë.

Hulumtimi është realizuar përmes një metodologjie të kombinuar, duke përfshirë një anketë me 100 respondentë nga komuna të ndryshme të Kosovës, dy fokus-grupe me gra me aftësi të kufizuara dhe përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe një studim rasti mbi përvojën e një gazetareje me aftësi të kufizuara.

Një nga gjetjet kryesore është se punësimi mbetet sfida më e madhe për gratë me aftësi të kufizuara. Respondentët identifikojnë mungesën e mundësive për punësim si pengesën kryesore për pavarësinë ekonomike dhe përfshirjen sociale të tyre. Përveç kësaj, diskriminimi dhe paragjykimet, mungesa e qasjes në arsim cilësor, mbështetja e pamjaftueshme institucionale dhe infrastruktura jo e qasshme vazhdojnë të kufizojnë mundësitë e grave me aftësi të kufizuara për të jetuar në mënyrë të pavarur dhe të barabartë.
Raporti po ashtu evidenton se shumica e respondentëve besojnë se gratë me aftësi të kufizuara përjetojnë diskriminim të dyfishtë – si gra dhe si persona me aftësi të kufizuara – duke u përballur me barriera të shumta në arsim, punësim, shëndetësi dhe jetë shoqërore. Shumica vlerësojnë se institucionet publike mbeten pak të qasshme, ndërsa zëri i grave me aftësi të kufizuara vazhdon të jetë i nën-përfaqësuar në proceset vendimmarrëse.
Një tjetër shqetësim i ngritur në hulumtim lidhet me sigurinë dhe mbrojtjen nga dhuna. Sipas gjetjeve, gratë me aftësi të kufizuara perceptohen si veçanërisht të rrezikuara nga dhuna, ndërsa raportimi i rasteve pengohet nga mosbesimi në institucione, mungesa e mbështetjes familjare, stigma sociale dhe varësia ekonomike. Këta faktorë ndikojnë që shumë raste të mos raportohen dhe të mbeten të padukshme.

Përmes diskutimeve në fokus-grupe, raporti sjell edhe përvojat e vetë grave me aftësi të kufizuara, të cilat flasin për pengesat në komunikim, mungesën e materialeve dhe teknologjive të qasshme, vështirësitë në qasje në shërbime publike dhe nevojën e vazhdueshme për të dëshmuar aftësitë e tyre në një shoqëri të mbushur me stereotipe. Megjithatë, raporti evidenton edhe shembuj të reziliencës dhe fuqizimit, duke treguar se me mbështetjen e duhur institucionale dhe shoqërore gratë me aftësi të kufizuara mund të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në jetën publike dhe profesionale.

Në përfundim, raporti bën thirrje për një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj të drejtave të grave me aftësi të kufizuara, duke rekomanduar rritjen e mundësive për punësim, përmirësimin e arsimit gjithëpërfshirës, forcimin e zbatimit të legjislacionit kundër diskriminimit, përmirësimin e qasshmërisë në infrastrukturë dhe shërbime, si dhe fuqizimin e grave me aftësi të kufizuara në proceset vendimmarrëse. Sipas autorëve, vetëm përmes zbatimit efektiv të këtyre masave mund të reduktohet hendeku ndërmjet të drejtave të garantuara dhe realitetit të përditshëm të grave me aftësi të kufizuara në Kosovë.

Lexoni raportin e plotë këtu.