Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Apeli kthen në rigjykim rastin ndaj Endrit Nikës, reagon RrGK

QIKA 7.8.2026

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e të dashurës së tij, Maria Clara Urdangaray. Nika ishte dënuar me 18 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 19 shkurt 2026.

Lajmin për kthimin e çështjes në rigjykim e bëri të ditur avokati i Endrit Nikës, Tomë Gashi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook. Pas këtij vendimi, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shprehu shqetësimin, duke kërkuar që procedura e rigjykimit të zhvillohet me kujdesin maksimal, në përputhje me standardet e një procesi të rregullt gjyqësor dhe legjislacionin në fuqi.

“RrGK kërkon që të shqiptohet një dënim i drejtë dhe proporcional me peshën e veprës penale, duke aplikuar dënimin maksimal të paraparë me ligj”, thuhet në reagimin e Rrjetit të Grave të Kosovës.

Endrit Nika akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se e ka hedhur nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë Kosovë të dashurën e tij, shtetasen argjentinase Maria Clara Urdangaray.

Kujtojmë se Kallxo.com, më 15 shkurt 2026, publikoi një hulumtim lidhur me këtë rast.

Në këtë hulumtim trajtohet një aferë në vlerë prej 50 mijë eurosh, e cila lidhet me dosjen e aktakuzës për vrasjen në Fushë Kosovë. Në pamje dhe audio-incizime flitet për pazare të dyshuara për lirimin nga aktakuza të Endrit Nikës.

Lexoni reagimin e plotë të RrGK këtu.

Shikoni hulumtimin e Kallxo.com: “Afera e 50 mijë eurove” këtu.