Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Në Prishtinë u protestua për sigurinë e grave

QIKA 31.8.2026

Nën sloganin “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare” të premten, në Prishtinë, aktivistet feministe, bashkë me qytetarë të shumtë protestuan kundër vrasjes së grave, pas dy rasteve të femicidit që ndodhën brenda vetëm një jave, ku dy burra vranë bashkëshortet e tyre, njëri në Malishevë dhe tjetri në Prizren.

Në protestën e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist morën pjesë edhe familjarët e 25 vjecarës që u vra në Malishevë.

Aktivistja Qëndresa Hyseni gjatë fjalimit theksoi se janë në këtë protestë për shkak të vrasjes së grave në Kosovë. “Jemi dal zemërthyer e të revoltume me bërtit që ky patriarkat që po i shndërron burrat në kriminela po vret gra cep më cep të Kosovës. Kemi dalë se jemi të bindura se ne si gra të këtij vendi po jetojmë në gjendje lufte. Shumë prej nesh na mësohet prej fëmijërisë se jeta jonë është në fije peri. Jetëgjatësia e dinjiteti i trupit e qenësisë tonë varet prej burrave e sistemit patriarkal që e sheh çikën e gruan në shërbim të pushtetit mashkullor.” tha ajo.

Në kuadër të protestës, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka paraqitur disa kërkesa, ndër to trajtimin e sigurisë së grave si çështje të urgjencës kombëtare dhe pjesë të sigurisë publike, rritjen e përgjegjësisë institucionale dhe funksionalizimin e mekanizmave për parandalimin e femicidit.

Po ashtu, u kërkua edhe financim më i madh i politikave sociale që synojnë uljen e pabarazive gjinore dhe ekonomike, kodifikimi i femicidit si vepër e veçantë penale dhe përfshirja e “edukimit gjithëpërfshirës në sistemin arsimor për trajtimin e maskulinitetit toksik dhe promovimin e barazisë gjinore”.

Komunikatën e plotë të protestës e gjeni këtu.