Prishtina Queer Festival (PQF) rikthehet nga 4 deri më 6 shtator në Prishtinë, me edicionin e tij të katërt. I organizuar nga Dylberizm, festivali sjell për tri ditë një program që ndërthur filmin, artin, muzikën, performancën, diskutimet dhe aktivitetet komunitare në hapësira të ndryshme të qytetit.
Edicioni i sivjetmë e vendos në qendër pyetjen se si sistemet dhe normat shoqërore ndikojnë në mënyrën se si jetojmë, dashurojmë, shprehemi dhe e përjetojmë trupin tonë. Përmes një programi që kalon nga siguria digjitale dhe mbikëqyrja, te kujtesa e luftës, kinemaja queer, drag-u dhe hapësira publike, festivali krijon një lidhje mes përvojave të ndryshme të jetës queer dhe formave të rezistencës ndaj kontrollit e përjashtimit.
Festivali hapet më 4 shtator me punëtorinë Access Denied: Cybersecurity & Digital Self-Defense, e cila trajton sigurinë digjitale, privatësinë dhe mbrojtjen nga ngacmimi online, ndërsa në ora 20:00 hapet ekspozita dhe lansohet libri fotografik të artistit vizual Besfort Syla, From An Uncomfortable Distance, I Remain, në Hajde Foundation. Dita përmbyllet me muzikë në Grand Hotel dhe një afterparty në e.dh.e – Sofali me Babetronixx dhe Josh Caffé.
E shtuna, 5 shtator, sjell pjesën më të ngjeshur të programit. Në kuadër të punëtorisë Sorry, Face Not Found, pjesëmarrësit do të eksplorojnë grimin anti-mbikëqyrje dhe mënyrat se si mund të sfidohen teknologjitë e njohjes së fytyrës. Programi vazhdon në Kino Armata me shfaqjen e filmave Two People Exchanging Saliva dhe premierën e filmit të shkurtër To The Boy I Was.
Në orën 17:00, në Muzeun Burgu i Idealit, mbahet promovimi i librit “Identitetin s’ta ndërron askush – as lufta” me autor Dan Sokoli dhe Medinë Dauti, një dokumentim i përvojave queer para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Përmes dëshmive të mbledhura dhe të dokumentuara ndër vite, botimi synon t’i japë hapësirë historive queer që kanë mbetur jashtë narrativave dominuese për të kaluarën e Kosovës. Aktiviteti shoqërohet me panel diskutimi.
Mbrëmja e së shtunës vazhdon me Choke Hole: Balkan Beatdown, një performancë drag wrestling nga kolektivi me bazë në New Orleans, në Burnt Hall të Pallatit të Rinisë. Programi muzikor vazhdon deri në orët e mëngjesit me Angelboy, Oldyungmayn dhe Rebiswan.
Dita e fundit e festivalit, 6 shtator, sjell një program filmik me tetë animacione queer nga Gobelins, Paris, në Kino Armata. Festivali përmbyllet në hapësirën publike me pazar të hapur dhe program muzikor te Kafet e Rakisë, ku performojnë Makadsi, James Indigo, Lisa Kida dhe Rindaya.
Përveç programit artistik, organizatorët kanë vendosur theks të veçantë edhe te siguria dhe privatësia e komunitetit queer. Për këtë arsye, PQF ka hapur paraprakisht akreditim për mediat, duke kërkuar raportim etik dhe të kujdesshëm dhe duke u bërë thirrje gazetarëve që të kufizojnë fotografimin, intervistat dhe publikimin e informacioneve që mund të rrezikojnë mirëqenien e personave LGBTIQ+.
Edicioni i katërt i Prishtina Queer Festival vjen pas një viti ku PQF e ka zgjeruar edhe dimensionin e tij rajonal. Në prill të këtij viti, festivali u zhvendos përkohësisht në Athinë për një edicion special që bashkoi artistë, aktivistë dhe komunitete LGBTQ+ nga Kosova, Greqia dhe rajoni.
Me një program që kalon nga kujtesa në rezistencë, nga privatësia digjitale te trupi dhe nga kinemaja te festa, PQF 2026 e trajton hapësirën queer jo vetëm si vend për t’u parë e dëgjuar, por edhe si hapësirë për të kujtuar, për t’u mbrojtur, për t’u organizuar dhe për të qenë bashkë.
Prishtina Queer Festival mbahet më 4, 5 dhe 6 shtator 2026, në hapësira të ndryshme në Prishtinë. Pjesa më e madhe e programit është pa pagesë, ndërsa eventi në e.dh.e dhe nata e ChokeHole janë me bileta.
Lexoni programin e plotë këtu.