Rastet e përndjekjes po rriten në Korenë e Jugut, ku 80% të viktimave janë gra. Raportimet janë trefishuar në katër vitet që nga miratimi i një ligji të posaçëm për përndjekjen në vitin 2021, duke arritur në 44,687 raste në vitin 2025.
Si rrjedhojë e ligjit të ri, në Korenë e Jugut, policia mund t’u drejtohet gjykatave për t’i vendosur një pajisje elektronike në kyçin e këmbës një personi të dyshuar për përndjekje, e cila gjurmon vendndodhjen e tij, raporton the Guardian.
Që nga fundi i qershorit, një e mbijetuar e përndjekjes në Korenë e Jugut mund të hapë një aplikacion dhe të ndjekë në kohë reale lëvizjet e një autori të pajisur me gjurmues, sapo ai të hyjë brenda një rrezeje prej 2 kilometrash. Nëse ai afrohet brenda një kilometri, njoftimi u përcillet policisë dhe autoriteteve të shërbimit sprovues, të cilat telefonojnë viktimën. Më parë, të mbijetuarat merrnin vetëm një mesazh me tekst që tregonte distancën, pa asnjë informacion mbi vendndodhjen. Rreth 400 persona janë tashmë pjesë e skemës së re.
Dy qendra kontrolli, në Seul dhe Daejeon, trajtojnë së bashku rreth 19,000 sinjalizime në ditë, duke mbuluar më shumë se 5,000 persona që janë nën monitorim elektronik për vepra penale që variojnë nga dhuna seksuale deri te vrasja. Shumica e sinjalizimeve filtrohen nga stafi i qendrave, por rreth 300 në ditë janë mjaftueshëm serioze sa të kërkojnë ndërhyrjen e një zyrtari policor.
Në Seul, zyrtarët policor ulen qetësisht përpara tre rreshtave me ekrane, ku shfaqet një listë në kohë reale e sinjalizimeve për rrezik dhe kujdes. Pranë secilit sinjalizim shfaqen të dhënat për personin e monitoruar, madje edhe niveli i baterisë së pajisjes së tij gjurmuese.
Secili zyrtar mbikëqyr më shumë se 20 persona, një numër që ministria thotë se po përpiqet ta përgjysmojë, përderisa numri i personave nën monitorim vazhdon të rritet.
Opinionet rreth aplikacionit e ri, i cili është ende në fazat e para dhe po përdoret në një shkallë të kufizuar, janë të ndryshme. Anna*, një grua që u largua nga një ish-partner i dhunshëm, thotë se të dinte se ku ndodhej ai do të kishte bërë një ndryshim të madh. Ajo kaloi dy javë duke lëvizur nga një strehimore shtetërore për të mbijetuarat e dhunës në familje në tjetrën, para se t’i jepej një orë me buton emergjence, e cila njofton policinë dhe u dërgon zyrtarëve vendndodhjen e saj. Aplikacioni nuk ishte i disponueshëm në atë kohë, por ajo thotë se do ta kishte mirëpritur.
Sujeong Kim, drejtore e qendrës për këshillim mbi të drejtat e grave pranë Korea Women’s Hotline, thotë se të dish se ku ndodhet kryesi i dhunës mund të jetë më e dobishme sesa të mos e dish. Por ajo ngre pyetjen nëse dhënia e këtij informacioni të mbijetuarave rrezikon gjithashtu t’ua kalojë atyre përgjegjësinë për sigurinë e tyre.
“Po t’i kryenin autoritetet siç duhet detyrat e tyre, kush do të donte ta kontrollonte vetë?” thotë ajo, duke shtuar se viktimat mund të përfundojnë duke kontrolluar vazhdimisht, kudo që shkojnë, nëse përndjekësi i tyre ka hyrë në rrezen e përcaktuar. Kjo ua shton barrën psikologjike të të jetuarit nën kërcënim dhe ndjesinë se duhet të jenë gjithmonë të gatshme për t’u larguar.
Pastaj është edhe çështja e pajisjes së gjurmimit. Aplikacioni funksionon vetëm nëse gjykata ka urdhëruar vendosjen e saj dhe, në rastet e përndjekjes, kjo masë kërkohet rrallë. Gjatë viteve 2024 dhe 2025, policia arrestoi 29,404 persona të dyshuar për përndjekje. Gjatë së njëjtës periudhë, ajo paraqiti 1,187 kërkesa për vendosjen e pajisjeve gjurmuese ndaj të dyshuarve, nga të cilat gjykatat miratuan vetëm 427. Ende nuk dihet nëse aplikacioni i ri do të ndikojë në shpeshtësinë me të cilën kërkohet ose miratohet vendosja e këtyre pajisjeve.
Për Kim, asnjëra nga këto nuk e trajton çështjen më të gjerë. “Shkaku i këtij problemi dhe arsyeja pse ai nuk zgjidhet është diskriminimi gjinor”, thotë ajo. “Ta trajtosh atë si diçka të parëndësishme, si një çështje private, si diçka që viktima mund ta zgjidhë vetë — e gjithë kjo buron nga diskriminimi gjinor.”