Autoritetet turke kanë ndërmarrë një valë bastisjesh dhe ndalimesh ndaj organizatave, aktivistëve dhe hapësirave të lidhura me komunitetin LGBTQ+ në disa qytete të vendit.
Operacionet u zhvilluan në orët e para të së dielës, më 13 shtator, në Stamboll, Ankara, Izmir, Ajdin dhe Mersin, si pjesë e një hetimi të gjerë të autoriteteve turke. Sipas Ministrit të Drejtësisë, Akın Gürlek, procedurat hetimore përfshijnë 162 persona të dyshuar, nëntë shoqata dhe 13 biznese në gjithsej 15 provinca.
Në Stamboll, prokuroria njoftoi se 26 persona u ndaluan pas bastisjeve në 38 adresa në 12 provinca. Në një operacion të veçantë në Ankara, 21 persona të tjerë u ndaluan në kuadër të hetimeve ndaj organizatës LGBTQ+ Kaos GL.
Ndërkohë, Kaos GL deklaroi se të paktën 50 aktivistë ishin ndaluar, përfshirë më shumë se 10 persona të marrë nga shtëpitë e tyre. Organizata tha gjithashtu se autoritetet kanë bllokuar qasjen në dhjetëra uebfaqe dhe llogari në rrjete sociale të organizatave LGBTQ+, aktivistëve dhe mbrojtësve të të drejtave.
Sipas Associated Press, bastisjet prekën edhe organizata që ofrojnë mbështetje dhe informim për HIV-in, ndërsa u bastisën zyra të shoqatave dhe ambiente të frekuentuara nga komuniteti LGBTQ+. Faqet e disa prej organizatave të prekura u bllokuan gjithashtu.
Autoritetet turke e kanë quajtur operacionin “Ailem Güvende” (“Familja ime është e sigurt”) dhe e kanë lidhur atë me politikën qeveritare “Dekada e Familjes dhe Popullsisë” të presidentit Recep Tayyip Erdoğan. Ministri i Drejtësisë tha se hetimi synon të mbrojë fëmijët, familjen dhe rendin publik. Prokurorët kanë ngritur akuza që përfshijnë prostitucionin, “përmbajtje të pahijshme” dhe ndikimin e pretenduar te të miturit lidhur me orientimin seksual dhe identitetin gjinor.
Ministria e Drejtësisë tha gjithashtu se po heton financimet nga burime ndërkombëtare të disa prej organizatave të përfshira. Sipas ministrit Gürlek, në kuadër të hetimeve janë shqyrtuar edhe lëvizjet financiare dhe burimi i fondeve të huaja.
Organizatat për të drejtat e njeriut e kanë dënuar operacionin. Shoqata Turke për të Drejtat e Njeriut e përshkroi atë si një operacion politik që synon të ushtrojë presion mbi shoqërinë civile dhe komunitetin LGBTI+, ndërsa raportuesi i Parlamentit Evropian për Turqinë, Nacho Sánchez Amor, e cilësoi valën e ndalimeve si një përshkallëzim të rëndë të represionit.
Bastisjet e fundit vijnë pas vitesh të rritjes së presionit ndaj komunitetit LGBTQ+ në Turqi. Autoritetet kanë ndaluar prej vitesh organizimin e Paradës së Krenarisë në Stamboll dhe kanë shpërndarë tubime të komunitetit LGBTQ+.