Gratë ish-luftëtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vazhdimisht i janë bashkuar protestave dhe tubimeve në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke kërkuar drejtësi dhe liri për çlirimtarët që po përballen me dënime nga Gjykata Speciale në Hagë.
Në fjalimet e tyre, ato kanë artikuluar se lufta e UÇK-së ishte një përpjekje e përbashkët për liri, ndërsa gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit e kanë konsideruar si gjykim ndaj vetë historisë së Kosovës, dhe jo thjesht si dënime individuale.
Veterania e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shyhrete Kastrati, ka thënë se ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë nuk mund të ndahen nga bashkëluftëtarët me të cilët ndanë luftën dhe fatin e Kosovës.
Në fjalimin e saj, Kastrati tha se gratë veterane, bashkëluftëtare dhe dëshmitare të historisë dolën për të kërkuar drejtësi dhe për të dëshmuar se edhe ato ishin pjesë e luftës çlirimtare.
“Ne luftuam bashkë, ne e fituam lirinë bashkë. Sot nuk kemi dalë në shesh vetëm për të kërkuar drejtësi, por edhe për të dëshmuar se edhe ne ishim aty, bashkë me ata të cilët sot po gjykohen dhe po mbahen në Hagë”, tha Kastrati.
Ajo theksoi se gratë ishin pjesë e të gjitha proceseve gjatë luftës, si në aspektin ushtarak, ashtu edhe në atë politik. Bashkë me gratë që ishin bashkuar në tubim treguan se gratë në Kosovë ishin në frontet e luftës, në spitalet ushtarake në male, në rrugët e Kosovës dhe pranë popullit në ditët më të vështira.
“Duke qenë pjesë e së njëjtës luftë, bashkëluftëtarët tanë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që sot po gjykohen në Hagë, i bëjmë me dije se ne luftuam, sakrifikuam dhe rrezikuam bashkë për të njëjtin qëllim: lirinë e Kosovës”, u shpreh ajo.
Kastrati tha se procesi në Hagë po prek një pjesë të historisë së Kosovës dhe të luftës çlirimtare.
Pas aktgjykimit të 16 shtatorit 2026, me të cilin Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet, Jakup Krasniqi me 25 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim, protestat dhe tubimet në mbështetje të tyre po mbahen çdo ditë në sheshet e Prishtinës. Qytetarët po e kundërshtojnë vendimin përmes formave të ndryshme, duke kërkuar që provat të rishqyrtohen në apel dhe të merret një vendim i drejtë, që përkon me të vërtetën e popullit të Kosovës dhe luftën e drejtë për çlirim.